E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

Liderët e BE-së diskutojnë për krizën në Mesdhe

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën më 1 tetor në Bruksel për një samit dy-ditor për të diskutuar mosmarrëveshjet rreth pakos së rimëkëmbjes ekonomike si dhe për krizat që përfshijnë Turqinë dhe Bjellorusinë fqinje.

Mbrëmja e parë e samitit të jashtëzakonshëm u përqëndrua në tensionet midis Turqisë dhe anëtarëve të BE-së, Greqisë dhe Qipros, mbi kufijtë detarë dhe burimet e energjisë në Mesdheun Lindor.

Marrëdhëniet me Ankaranë u përkeqësuan në korrik, kur Turqia dërgoi një anije kërkimore për të kryer kërkime të gazit në rajon, gjë që nxiti reagimin e Athinës dhe disa vendeve tjera evropiane, përfshirë Francën.

Turqia dhe Greqia kanë rënë dakord që të rinisin bisedimet e ngecura.

Kriza mund të përfshijë sanksione të ashpra ekonomike kundër Turqisë, por zyrtarët e BE-së këmbëngulin në përpjekjen për të gjetur zgjidhje diplomatike.

“Unë do të theksoj se marrëdhënia jonë me Turqinë është natyrisht shumë komplekse”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel, duke nënvizuar se vendi është një anëtar i NATO-s dhe pret një numër të madh refugjatësh.

Kancelari austriak Sebastian Kurz, megjithatë, bëri thirrje për t’i dhënë fund bisedimeve të pranimit në BE për Turqinë dhe për vendosjen e sanksioneve.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyp Erdogan në anën tjetër sulmoi BE-në, duke thënë se blloku është marrë “peng” nga Greqia dhe Qiproja.

Ndërkohë, udhëheqësit e BE-s u përballën me kërkesën e Qipros, e cila ka bllokuar sanksionet mbi krizën politike në Bjellorusi, duke këmbëngulur se blloku duhet gjithashtu të të vendosë sanksione ndaj Turqisë lidhur me aktivitetet e saj të diskutueshme të kërkimit të naftës dhe gazit.

Zyrtarët e BE kanë përpiluar një listë të zezë prej 40 zyrtarësh bjellorusë që shihen si përgjegjës për shtypjen e protestave, pas zgjedhjeve në gusht, për të cilat perëndimi dhe opozita thonë se ishin manipuluar.

Udhëheqësit e BE-së pritet gjithashtu të trajtojnë çështjen e pakos së rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë – për të cilën kanë shprehur kundërshtime Hungaria dhe Polonia.

Udhëheqësit tashmë kanë rënë dakord në parim për të shpallur një paketë të rimëkëmbjes ekonomike në vlerë të 750 miliardë eurosh, që do të mbështetet nga një buxhet afatgjatë i BE-së që arrin në 1.8 trilionë euro.

Të fundit