Me emërimin e Amy Coney Barret si gjyqtare në Gjykatën Supreme, presidenti amerikan, Donald Trump u shërben interesave të votuesve konservatorë dhe me këtë çimenton kthesën djathtas të kësaj gjykate, komenton Ines Pohl.
Dallimi me gjyqtaren pasuese nuk ka si të jetë më i madh. Ruth Bader Ginsburg, e cila u shua pas një sëmundjeje të gjatë të kancerit ia kishte kushtuar jetën luftës për barazinë gjinore, për të drejtën e abortit, luftës kundër diskriminit të pakicave, një kujdesi shëndetësor për të gjithë dhe një politike humane të migracionit, zëvendësohet nga gjyqtarja konservatore Amy Coney Barret.
Zgjedhja e Donald Trumpit ra mbi 48 vjeçaren Amy Coney Barrett, që në shumë drejtime është e kundërta e Ruth Bader Ginsburg. Katolikja besimtare është kundër abortit, mbështet politikën e ashpër të Trumpit ndaj migracionit dhe lufton kundër një kujdesi shëndetësor për të gjithë amerikanet e amerikanët. Një vendim që mund ta ndezë edhe më shumë atmosferën shpërthyese në këtë vend, që nuk ka qenë kurrë kaq e ndarë që nga kohë e luftës civile, kur bëhej fjalë për lirinë e skllevërve.
Të pritej deri pas zgjedhjeve
Ky vendim i Trumpit për vendin e liruar në Gjykatën Supreme që para zgjedhjeve, është i kontestuar pavarësisht nga personi konkret. Shumë thonë, se kaq pak para zgjedhjeve presidenciale, votueset e votuesit do duhet të vendosin se nga cili kamp do të vinte gjyqtari i ardhshëm i lartë. Në bazë të kësaj do duhej të zgjidhej njëherë presidenti, e ky pastaj do të jepte emërimin për postin që jepet deri në fund të jetës. Ky është një pozicion që e përkrah edhe kandidati për president i demokratëve, Joe Biden.
Joe Biden vetë nuk paraqiti ndonjë kandidate, por kishte lenë të kuptohej, se do të emëronte një afroamerikane liberale, që lufton kundër diskriminimit, për ligje më të ashpra për armët, kujdesin shëndetësor dhe të drejtën për abortin, duke e vazhduar kështu trashëgiminë e Ruth Bader Ginsburg.
Tre vende gjytarësh të zënë
Ka shumë gjasa që senati i dominuar nga republikanët që para marrjes së mandatit nga presidenti i ri, të miratojë kandidaturën e gjyqtarës së lartë. Me këtë Donald Trump do kishte tre poste gjyqtarësh në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën e Lartë të zëna me kandidatë të djathtë.
Për shkak të moshës së gjyqtarëve në post ka mundësi, që Trump në rast rizgjedhjeje të mund të emërojë edhe një kandidat të katërt. Një argument ky, që mund të bindë republikanët e pavendosur të votojnë edhe njëherë për Donald Trump. E nëse kjo ndodh, atëherë Gjykata e Lartë për dekada të tëra do të ishte tërësisht në duart e republikanëve, e presidentët apo deputetët t ardhshëm nuk do mund të ndryshonin asgjë. Nuk ka pak amerikanë të gatshëm që për këtë të durojnë edhe katër vite të tjera me Donald Trump.