Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer, vlerëson se sundimi i ligjit mbetet një nga kriteret kryesore në rrugën e këtij vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përskaj edhe kushteve tjera që kanë të bëjnë me demokracinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe raportet e mira me shtetet fqinje.
Ambasadori Geer këto komente i bëri pas takimit të parë në këtë detyrë me kryeministrin Zoran Zaev. Ai iu shmang interesimit të mediave lidhur me tensionet mes Shkupit dhe Sofjes e cila ka thënë se do të bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE nëse dy vendet nuk gjejnë zgjidhje për kontestet lidhur me gjuhën maqedone dhe prejardhjen etnike të Goce Dellçevit, heroit të dy shteteve.
“Ky shtet në këtë fazë ka bërë mjaft në procesin e integrimit evropian kur bëhet fjalë për reformat, por edhe në zgjidhjen e kontesteve dypalëshe me shtetet fqinjë. Në këtë kuadër Maqedonia e Veriut është shembull për gjithë rajonin. Duhet të vazhdohet me zbatimin e dy marrëveshjeve të arritura, marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe atë me Bullgarinë për fqinjësi të mirë”.
“Me kryeministrin biseduam për punën që duhet bërë, për reformat në të gjitha sferat, në veçanti në atë që ka të bëjë me funksionimin e shtetit ligjor që është një nga shtyllat bazë në bisedimet e anëtarësimit bazuar në metodologjinë e re të anëtarësimit. Ka edhe fusha tjera si mbështetja e demokracisë, respektimi i të drejtave të njeriut e sfera tjera”, ka deklaruar ambasadori evropian, David Geer i cili në këtë post ka zëvendësuar ambasadorin e deritanishëm, Sumuel Zhbogar.
Kryeministri Zoran Zaev ndërkohë ka theksuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë duke paralajmëruar një vizitë në Sofje në fillim të muajin nëntor. Kreu i qeverisë maqedonase tha se dallimet nuk duhet të heshten siç ka ndodhur në të kaluarën.
“Të gjithë duhet ta dimë se nëse i shmangemi momenteve historike, i vendosim nën tepih dhe nuk bisedojmë për to, rajoni i Ballkanit nuk do të ketë të ardhme të mire evropiane andaj edhe kemi marrëveshjet si kjo për fqinjësi të mirë me Bullgarinë apo tjetra me Greqinë për çështjen e emrit, që të mundemi t’i zgjidhin çështjet e hapura, të cilat duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë”, ka deklaruar Zaev ndërsa i pyetur se si i vlerëson këmbënguljen e palës bullgare e cila me çdo kusht insiston që pala maqedonas të heq dorë nga Goce Dellçev, u përgjigj:
“Goce Delçev është një revolucionar maqedonas, por është gjithashtu fakt se Bullgaria dhe bullgarët e konsiderojnë atë një revolucionar bullgar. Fakti është që ne kemi Delçevën, një qytet që mban emrin e tij, por edhe në Bullgari ekziston qyteti me emrin Goce Delçev. Ne kemi monumente kudo në Maqedoninë Veriore dhe Bullgari. Së bashku me Kryeministrin Bojko Borisov, ne u përkulën në Sofje te monumenti i Goce Delçevit, por edhe te varri i Goce Delçevit këtu në Shkup. Kjo janë fakte dhe realiteti në të cilin jetojmë,” tha kryeministri Zoran Zaev duke theksuar se zgjidhje duhet të ketë pasi fshehja apo zvarritja e problemeve nuk është zgjidhje për asnjërin vend”, theksoi Zaev.
Dy vendet kanë formuar një komision ndërshtetëror për zgjidhjen e kontesteve, por ende pa ndonjë marrëveshje konkrete.
Bullgaria kërkon mbështetje nga Bashkimi Evropian, që në kuadër të kornizës negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, të futet edhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë, që dy shtetet e nënshkruan në vitin 2017.
Veç Goce Dellçevit, Bullgaria konteston edhe gjuhën maqedonase. Në këtë dokument prej gjashtë faqesh, dërguar Brukseli, Bullgaria thekson se “gjuha maqedonase nuk ka ekzistuar deri në 2 gusht të vitit 1944 dhe se formimi i kombit maqedonas është projekt i Beogradit gjatë periudhës mes dy luftërave botërore”.