Turqia po fillon një program të madh ndërtimi ushtarko-detar për të rivendosur ndikimin që humbi pas shembjes së Perandorisë Osmane. Por kjo politikë e Ankarasë po krijon tensione rajonale, në veçanti me vendin fqinj, Greqinë.
Nën udhëheqjen e admiralit Hayreddin të shekullit 16, që njihet edhe si Barbarossa, Perandoria Osmane dominonte Detin Mesdhe. Shumë historianë evropianë e portretizojnë Barbarrosa-n si pirat dhe tregtar skllevërish, por në Turqinë moderne ai ende respektohet.
Aktualisht, Presidenti Erdogan po synon kthimin e fuqisë detare të së kaluarës dhe ndikimin nën moton “Atdheu Blu”.Cem Gurdeniz është admiral në pension:
“Turqia po bëhet një shtet detar si Anglia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara. Për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e Turqisë në zonat përtej detit si në Gjirin Persik, Detin e Kuq dhe ku të jetë e nevojshme, marina turke, fuqia detare turke duhet të jetë atje.”
Turqia po kërkon ta shndërrojë flotën e saj detare në fuqi ushtarake me një program të fuqishëm ndërtimi detar ku përfshihet një aeroplanmbajtëse sulmuese.
Tashmë, Turqia po tregon aftësitë e saj detare, duke sfiduar Greqinë fqinje lidhur me ujërat e kontestuara territoriale, ku besohet sa ka rezerva të mëdha energjitike.
Një garë ushtarake mund të jetë në fillim e sipër, ndërsa Athina ka njoftuar fuqizimin e saj ushtarako-detar. Kyriakos Mitsotakis është Kryeministër i Greqisë:
“Është koha për të forcuar ushtrinë si një tashëgimi për sigurinë e vendit. Është detyrim ndaj grekëve të cilët do të paguajnë koston.”
Turqia po përballet me presione diplomatike. Më herët këtë muaj, Presidenti i Francës Emmanuel Macron mblodhi udhëheqësit e Mesdheut për t’iu kundërvënë qëndrimeve të Ankarasë. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të diskutojnë këtë javë për sanksione kundër Turqisë në mbështetje të vendit anëtar, Greqisë.
Ndërsa popullariteti i zotit Erdogan është goditur nga problemet ekonomike të vendit, rikthimi i fuqisë ushtarake detare mund të sjellë përfitime politike afatshkurtra, thonë analistët. Serhat Guvenc është me Universitetin Kadir Has.
“Përqafimi i kësaj ideje nacionaliste, e orientuar drejt sovranitetit, ka përmirësuar ose zgjeruar bazën e tij të mbështetjes. Madje ai po merr mbështetje nga qarqet që normalisht nuk do të donin të kishin lidhje me Erdoganin.”
Videot qeveritare ngrejnë lart lavdinë e perandorisë së dikurshme Osmane, me premtimin për shtrirjen edhe një herë të influencës turke përgjatë Mesdheut dhe më tej.
Por me koston prej disa miliarda dollarësh për programin ambicioz detar, realiteti ekonomik mund të vërë në pikëpyetje aspiratat e Ankarasë për t’u bërë fuqi e madhe detare.