I dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë delegacioni që ai udhëheq është në Kosovë, për të nisur zbatimin e marrëveshjes së 4 shtatorit.
Këtë deklratë ai e ka bërë pas takimit të kryeministrit, Avdullah Hoti me delegacionin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka thënë se është i lumtur ta mirëpres delegacionin amerikan në Kosovë, transmeton Telegrafi.
“Prezenca e tyre e tregon seriozitetin për zbatimin e një marrëveshjeje, e cila po cilësohet marrëveshje historike drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Kishim një bisede të gjerë për të gjitha pikat e marrëveshjes, do të lëvizim shpejt drejt zbatimin të kësaj marrëveshje. Marrëveshja që kemi arritur do të krijojë mijëra vende të punës, do të shndërrojë Kosovën dhe regjionin më të integruar. Ne jemi angazhuar si Qeveri dhe kemi bërë përgatitjet e duhura të lëvizim drejt zbatim të marrëveshjes”, tha ai.
Ndërkaq, i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell ka pohuar se qëllimi i vizitës së tyre në Kosovë ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes ekonomike mes dy vendeve.
“Jemi këtu për të treguar zotimin dhe angazhimin tonë për marrëveshjen për normalizim ekonomik. Qytetarëve të Kosovës u janë bërë shumë premtime në të kaluarën, dhe ne përmes kësaj marrëveshje po bëjmë një zotim para jush që është zbatimi i marrëveshjes ajo për çka kemi ardhur. Ajo që ne po bëjmë përmes kësaj marrëveshjeje, dhe të gjithë stafet nga SHBA dhe përmes ambasadës amerikane, është që të shprehim përkushtimin tonë. Ajo që duam ne është përmbushja e marrëveshjes dhe të ecim përpara për një zhvillim ekonomik. Zhvillimi ekonomik, vendet e punës dhe energjia, do të ndryshojë peizazhin politik të rajonit. Në muajin e ardhshëm do të kemi një delegacion tjetër që do ta vizitojë Kosovën. Ne shpresojmë se do të na mbani llogaridhënës. Presidenti Trump mburret me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ishim këtu po të mos ishte ai. Trump na tha shkoni në Kosovë dhe zbatojeni marrëveshjen dhe mos e leni vetëm fjalë. Jam mirënjohës për zotimet e tij”, deklaroi ai.
Kurse, kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler theksoi se do të investojnë 100 milionë dollarë në Kosovë.
“100 milionë dollarë do të investojmë në Kosovë, ne kemi ardhur me kolegë që të ju tregojmë së sa jemi serioz. Ne jemi këtu për të nënshkruar një marrëveshje dhe për te investuar”, tha ai.
Ndryshe Delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po udhëhiqet nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, po ashtu në delegacion do të jetë edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA