E premte, 26 Korrik, 2024

DAUT DAUTI: GJËRAT E MËDHA NUK BËHEN VETËM ME VULLNET DHE ZOTIME

“Unë për vete përherë ua kam pasur zili premtimeve të subjekteve para se të vijnë në pushtet, sepse krijojnë percepicionin se kur vijnë ato do të rrjedhë tambël zogu! Pastaj vjen periudha e ballafaqimit me premtimet e dhëna. Nuk bën përjashtim as ky koalicion”, thotë në një intervistë për KDP gazetari dhe analisti nga Shkupi, Daut Dauti.

 

Intervistoi: KDP 

Si ish-anëtar i Komisionit të lustrimit ai përgjigjet edhe për propozim-paditë e Prokurorisë Publike ndaj anëtarëve të këtij komisioni për rastin “I forti”.

“Ajo që brengos është se me hapjen e lëndës ndaj “lustratorëve”, kemi një rrënim të shtetit juridik! Pse? Sepse, siç thashë më parë, lënda është hapur në mënyrë të paligjshme nga PSP-ja. Këtë nuk e them unë, e thotë Gjykata Supreme, kur mori qëndrim për lëndët që PSP-ja i kishte hapur jashtë afatit 18 muajsh që parashihte Ligji për punën e PSP-së”, thotë Dauti.

 

KDP: Qeveria LSDM-BDI doli me një program ambicioz, edhe përskaj pandemisë. Si e shihni Ju këtë?

DAUT DAUTI: Cila qeveri deri tash nuk ka pasur program të mirë e joshës për interesat e qytetarëve? Secila përpiqet, sidomos kur ndërrohet garnitura pushtetare, që kësaj radhe nuk është rast, ofron një program “më të mirë” se ajo e mëparshme. Programet në një përqindje të madhe, të shpeshtën janë një listë dëshirash, ose në fund shumica e pikave mbeten dëshira të parealizuara.
Kam një teori e cila zakonisht po dëshmohet, e kjo se ka çështje që çdo qeveri, nëse ka vullnet i zgjidh lehtë dhe ka çështje për të cilat nuk mjafton vullneti, sepse varen nga aftësia e kuadrit udhëheqës, që nga ministrat e gjer te eshaloni i dytë ose i tretë i udhëheqësve dhe ka çështje që shkon edhe përtej kësaj, varen nga rrethanat e përgjithshme objektive. Në këtë “teorinë” time koalicioni LSDM-BDI ndryshojnë në metodologji nga koalicioni i mëparshëm VMRO-BDI. Sepse, u dëshmua se Zaevi si kryeministër ishte më pak kalkulant në çështjet politike dhe arriti ta mbyllte kontestin me Greqinë, që Maqedonisë ia hapi dyert e NATO-s dhe e afroi më shumë me BE-në, si dhe disa çështje të brendshme. Kur ishte Gruevski në krye të qeverisë, nuk e kishte atë vullnet politik dhe aq më pak guximin që këtyre çështjeve t’u hynte për t’i zgjidhur, bile, bënte që të ndërlikohen edhe më shumë. Ka gjasë që diçka bëhej nga bindja, e diçka nga PR-strategjia. Në këtë pikë, qasja e Zaevit u tregua më e dobishme se ajo e Gruevskit. Por kur jemi te çështjet tjera të cilat varen nga aftësia dhe rrethanat objektive, këtu mund të luajnë rol vetëm finesa, sepse te problemet jetike, zhvillimi ekonomik, politikat sociale, zvogëlimi i papunësisë, njësoj kanë të arritura dhe njësoj kanë dështime të gjitha koalicionet dhe këtu e shoh edhe programin e qeverisë së re, e cila ndryshe nga më parë, ka më pak çështje politike për të cilat ka vullnet t’i bëjë, e më shumë shanse për dështime në fushën e ekonomisë dhe politikave sociale, për çka nuk mungon vullneti, por rrethanat e përgjithshme nuk janë të favorshme duke pasur parasysh edhe pandeminë, e cila ka pasivizuar një pjesë të madhe të ekonomisë dhe ka shtuar papunësinë. Kjo situatë edhe në rast se gjithçka shkon sipas premtimeve, për shkak të humbjeve të bizneseve, do të rritë nevojën për huamarrje, siç dhe ka ndodhur pas fillimit të pandemisë. Kjo mund të jetë një alibi në fund të mandatit për mospërmbushje premtimesh, por realisht, edhe pa këtë, një vend si Maqedonia Veriore, me këtë shkallë zhvillimi dhe kapacitete e parakushte të tjera zhvillimore(pak prodhim, e më shumë tregti e shërbime), çdo qeveri e ka vështirë të tregojë rezultate spektakulare që do të ndërronte dukshëm standardin e jetës që e presin qytetarët.

KDP: Edhe një herë paralajmërohen reforma në gjyqësor. Në 2017, kur Zaev erdhi në krye të qeverisë paralajmëroi “rizgjedhje” të gjykatësve, gjë që nuk ndodhi. Tash paralajmëron “pastrim” të gjyqësorit. Është ky një përkushtim apo lojë fjalësh?

DAUT DAUTI: Dy partnerët e koalicionit ia kanë vënë syrin kaherë gjyqësorit, LSDM-ja me reformat e BDI-ja me idenë e “vetingut”, por kjo është fusha më e rrëshqitshme duke pasur parasysh sa vështirë mund të arrihet diçka konkrete e të mos çrregullohet sistemi. Një është ajo reformë e cila do të futet në ligj, ndonëse edhe për këtë duhet një model efikas, dhe e dyta është sa kjo mund të jetësohet dhe sa kjo mund ta bëjë gjyqësinë më të pavarur. Atë që kemi parë deri tash, është sipas asaj meseles boshnjake “zbrit Mujo nga kali, që të hypë Haso!”, sepse gjëja më e vështirë për çdo pushtet është që të heqë dorë nga ndikimi në gjyqësi, sepse gjykatësit “lojalë” i nevojiten për t’i kryer shumë punë, ose më së vështiri është që gjesh mekanizëm për seleksionim të pa ndikim të politikës. Kjo madje, edhe në kushtet më ideale formale juridike. Pastaj çështja e vetingut që insiston BDI-ja, poashtu është një çështje me shumë të panjohura se si do të funksionojë, sepse ai sprovua në Shqipëri, por pikërisht atje e shohim se me sa kundërthënie po zbatohet. Pothuajse nuk ke gjykatës që kalon nëpër veting atje e të mos problematizohet nga dikush.

Unë besoj në zotimet e qeverisë së re për të bërë diçka dhe ndikimin e BE-së, që mund ta ushtrojë duke vënë kushte, por jam skeptik.

Kur jemi te gjyqësori, kjo qeveri e re e vjetër, në këtë fushë i ka dështimet më të mëdha. Në mandatin e saj dështoi projekti më madhor i luftës kundër korrupsionit me devalvimin e Prokurorisë Speciale Publike, e cila vetë përfundoi në korrupsion. S’është e thënë t’i adresohet qeverisë së kaluar ky dështim i PSP-së, por është fakt se ajo e kreu misionin në mënyrë të turpshme me kryeprokuroren Katica Janeva me involvim edhe të disa individëve të LSDM-së në aferën më të madhe korruptive me shoumenin kontravers Bojan Jovanovski(Boki 13) dhe Lidhjes Ndërkombëtare të tij. Zhytja në korrupsion e subjektit që duhej të luftonte korrupsionin, është një skenar i papritur dështimi. Çështja është se me dështimin e saj, u humb një shpresë e fryrë si duket në mënyrë joreale se më në fund do të luftohet korrupsioni dhe keqpërodrimi i pushtetit. Nga ana tjetër, në mandatin e kaluar, për hir të interesave më të larta, u bënë lëvizje me të cilat erdhi në shprehje drejtësia selektive dhe psh. në rastet gjyqësore lidhur me ngjarjen e 27 prillit, ke nivele të ndryshme të përgjegjësisë penale: ke disa deputetë që i kanë hapur dyert e parlamentit dhe ata janë në liri, sepse duheshin për vota për ndryshimet kushtetuese dhe ke kolegë të tyre, të cilët nuk qenë pajtuar me ato ndryshime, që vazhdojnë të gjykohen, dhe ke persona “të vegjël”, si Feta Alimi, roje e parlamentit, për “votën” e të cilit askush nuk ka interes dhe i fitoi 7 vjet burg, edhe pse faji i tij që i ka dhënë çelësat është më i vogël se atyre deputetëve që i kanë hapur dyert dhe drejtësia selektive i shpëtoi nga ndjekja penale. Dhe për këtë slektivitet që ka shkaktuar viktima, sot e kësaj dite askush nuk çan kokën, në vend se për hir të interesave të larta të shtetit, të realizohej përnjëmend pajtimi siç ishte folur, ndërkaq të përgjigjeshin vetëm ata që kanë ushtruar dhunë të drejtpërdrejtë.
Një dështim tjetër në gjyqësi, doemos duhet të jetë rrënimi i shtetit të drejtësisë në rastin e disa lëndëve të PSP-së, të cilat edhe pse qenë hapur jashtë afatit ligjor dhe për këtë Gjykata Supreme dha mendim se janë të paligjshme, me Ligjin për Prokurorinë Publike u mundësua të vazhdojnë, pavarësisht se ato që hapen jashtë procedurës ligjore, mbeten të paligjshme.

KDP: A shpresoni se procesi i negociatave me BE-në do të sjellë një gjyqësor të pavarur?

DAUT DAUTI: Unë besoj në zotimet e qeverisë së re për të bërë diçka dhe ndikimin e BE-së, që mund ta ushtrojë duke vënë kushte, por jam skeptik. Sepse, në emër të interesit më të lartë dhe kushtëzimeve për të luftuar korrupsionin, ne deri tash kemi fituar një varg lëndësh kontraverse. Reforma në gjyqësi i tejkalon mundësitë objektive dhe vullnetin.

KDP: Ju keni qenë anëtar i Komisionit të lustrimit. Për një rast me një gjykatës nga Kërçova, të gjithë anëtarët e Komisionit janë vënë në listën e Prokurosisë si të dyshuar dhe ka propozim-akuzë. Pra, bëhet fjalë për rastin “I forti”, ku dyshohet se deputeti Antonio Milloshovski ka urdhëruar lustrimin e gjykatësit nga Kërçova për shkak se nuk i kishte kryer një punë babait të tij për ta mënjanuar gjykatësin. Sa ka të vërtetë këtu?

KDP: Nga ajo që dimë është nga përgjimet se Antonio Milloshovski ka qenë i interesuar që të lustrohet gjykatësi kërçovar Dragi Bilevski. Por unë kam qenë anëtar i komisionit të lustrimit dhe për këtë lloj interesimi, sikundër edhe gjithë opinioni publik, këtë e kemi marrë vesh 4-5 vjet më pas! Çka dua të them me këtë? Një është rasti për interesimin e Milloshovkit për ta ilustruar, e tjetër është vetë lustrimi. E çfarë ka qenë lënda e Dragi Billevskit, a ka qenë në kundërshtim me ligjin? Iniciativa për lustrimin e Bilevskit ka ardhur nga njëperson i tretë, pra, nga një i përndjekur, ku gjykatësi viteve 70-të gjithë kohën ka qenë informator i Shërbimit për Siguri Shtetërore, i cili ka denoncuar një grup të rinjsh nacionalistë maqedonas. Në dokumentet theksohet se ka qenë i angazhuar për të ndjekur edhe shqiptarë edhe maqedonas, dhe ky angazhim, herë si “lidhje miqësore” e herë si “lidhje operative” ka zgjatur disa vjet dhe është zhvilluar në Shkup dhe Kërçovë, këtë e thonë dokumentet në bazë të cilave ka vendosur komisioni. Dhe kini kujdes, komisioni ka votuar 10-0, pra, asnjë votë kundër(një anëtar nuk ka qenë prezent si duket). Kanë votuar jo vetëm ata anëtarë që i ka zgjedhur VMRO-ja, por edhe ata të LSDM-së. Pyes, a ka logjikë që anëtarë të LSDM-së, në kohën e acarimit më të madh me kryetarin e komisionit, Tome Axhievit, të kenë zbatuar ndonjë kërkesë apo urdhër për të votuar në interes të Antonio Milloshovskit? Pra, nuk ka kurrfarë logjike dhe e vetmja logjikë është se lojërat që janë luajtur në prapaskenë kanë qenë larg syve e veshëve të anëtarëve të Komisionit për Verifikimin e Fakteve(Lustrimit), me ndonjë përjashtim. Pra nuk ka asgjë kontestuese në këtë lëndë, sa i përket anëtarëve të komisionit.
Në anën tjetër, ajo që brengos është se me hapjen e lëndës ndaj “lustratorëve”, kemi një rrënim të shtetit juridik! Pse? Sepse, siç thashë më parë, lënda është hapur në mënyrë të paligjshme nga PSP-ja. Këtë nuk e them unë, e thotë Gjykata Supreme, kur mori qëndrim për lëndët që PSP-ja i kishte hapur jashtë afatit 18 muajsh që parashihte Ligji për punën e PSP-së. Përkundër këtij fakti, këto lëndë, në mesin e të cilave edhe kjo e lustratorëve në kuadër të procesit “I Forti” vazhdojnë të procesuohen, edhe pse ato kanë lindur jashtë afatit ligjor. Nëse ka shkelje të detyrës zyrtare, nuk është ajo që kanë bërë anëtarët e komisionit të lustrimit duke shpallur bashkëpunëtor dikë për të cilin dokumentet flasin se ka qenë. Sepse, në mungesë të informatave se dikush e ka porositur lustrimin, sepse shumica këtë gjë nuk kanë mundur ta dinë, ata kanë qenë të obliguar me ligj të veprojnë në bazë të iniciativës së arritur. Ka pasur edhe iniciativa të tjera, dhe nuk bën ndonjë përjashtim rasti i gjykatësit Bilevski. Por, shkelje ka bërë pikërisht PSP-ja që ka marrë veprime të kundërligjshme, ndaj mendoj se nëse vjen vërtet deri te gjykimi i anëtarëve të komisionit do të jetë një rast i papresedentë që për përgjegjësi në baza të detyrës dhe autorizimeve zyrtare të merren anëtarë të një organi kolektiv, për punë e të cilit në ligjet e saj nuk parashihet një gjë e tillë!

KDP: A ka diçka që punën e kësaj qeverie mund ta ndihmojë ose pengojë në mandatin e saj katër-vjeçar?

DAUT DAUTI: Unë për vete përherë ua kam pasur zili premtimeve të subjekteve para se të vijnë në pushtet, sepse krijojnë percepicionin se kur vijnë ato do të rrjedhë tambël zogu! Pastaj vjen periudha e ballafaqimit me premtimet e dhëna. Nuk bën përjashtim as ky koalicion. Një gjë që e bën karakteristik këtë koalicion, është se ai u bë pas një përplasje parazgjedhore midis partnerëve të koalicioni, për mua fare të pakuptimtë, duke pasur parasysh bashkëqeverisjen dhe koalicionet që kishin bërë për zgjedhjet lokale dhe ato presidenciale duke kaluar mirë të dy palët. Përpjekjet për ta bërë njërën palë fajtore (LSDM-ja BDI-në)për dështimet e qeverisë në fushën kur më shumë ishin zhytur vetë se ata të partnerit të koalicionit, la një shije të hidhur në marrëdhëniet midis tyre, por lëvizja taktike e BDI-së, pengoi skenarin e LSDM-së për ta çuar në opozitë. Kjo histori nuk është pa rëndësi për funksionimin e qeverisë, sepse pas një idili të fillimit(ashtu ishte edhe mandatin e kaluar), vijnë sprovat ku harmonia midis partnerëve mund të jetë faktor vendimtar se si do t’i zgjidhin problemet. Unë do të kisha dashur të shpresoj se situatat e përplasjeve brenda koalicionit kësaj radhe nuk do të përsëriten, sepse atyre u doli boja herën e kaluar, ose do të jenë sporadike, që mos ta vënë në pikëpyetje funksionimin e qeverisë dhe ta çojë mandatin gjer në fund, që ta shohim edhe si do të funksionojë me një kryeministër shqiptar, anise në një periudhë simbolike, si një arritje të madhe të demokracisë në Maqedoni. Duhet të jetë mësuar leksioni i shterpësisë së zënkave të panevojshme, që më mirë të merren me problemet e shtetit dhe interesat e qytetarëve.

KDP: Si e vlerësoni menaxhimin e pandemisë nga ana e institucioneve dhe sa qytetarët kanë qenë të vëmendshëm në këtë drejtim?

DAUT DAUTI: Si në çdo vend tjetër, përballja me pandeminë u tregua si një problem i vështirë. Mendoj se kishim një fillim shumë të mirë dhe mbajtje nën kontroll të situatës, pa marrë përmasa dramatike si në disa vende evropiane ose të botës. Por, mos zbatimi rigoroz i masave ndëshkuese, jodisciplina qytetare, e ndërlikuan situatën dhe Maqedonia, gjendet me përqindjet më të larta të infektimeve me Covid 19 kundrejt numrit të popullsisë, e veçanërisht brengosës është numri i lartë i vdekjeve, nga më të lartit në botë, edhe pse nga ana tjetër, kemi një paradoks në “valën e dytë” kohëve të fundit, kur është shtuar numri i testimeve dhe krahasuar me Kosovën ose Shqipërinë, përqindja e prekjeve me virus është më e ulët. Tash kemi raste, që pasi të konstatohet virusi, askush nuk u bie prapa që të izolohen kontaktet. Di raste që kur në testin e parë disa familjarë kanë dalë pozitivë e të tjerë negativë, në testin e ardhshëm “negativët” fare nuk janë përfshirë, ndonëse ndërkohë edhe ata mund të jenë infekruar… Është për çdo lëvdatë rritja e kapaciteteve për një hov të mundshëm të pandemisë pas vjeshtës, por brengos një lloj “liberalizimi” i pakontrolluar i masave(hapja e çerdheve ose shkollave pas 1 tetorit), duke harruar se rezultatet më të mira i patëm kur masat ishin më rigoroze. Edhe vendi ynë i përcjell trendet e shteteve tjera që vlerësuan se “karantinimi” në masë të madhe ia ndali hovin virusit, por dhe dëmtoi ekonominë dhe duhet kombinim masash, Po dhe nëse nuk bëhen maskat e detyueshme, zaten ato janë të tilla, dhe mungojnë sanskionet, do ta kemi problem serioz dhe do të zhytemi në ndonjë “imunizim” kolektiv të pakontrolluar kur do të rrezikohen edhe kapacitetet shëndetësore të cilat edhe ashtu janë tepër të lëndueshme.

 

Të fundit