E diel, 3 Nëntor, 2024

Vendet e Kuintit bëjnë thirrje që të kundërshtohet çdo përpjekje për të zhvlerësuar Gjykatën Speciale

Ambasadorët e vendeve të Kuintit u kanë bërë thirrje të premten, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Gjykata Speciale), si dhe të sigurojnë që këta trupa të kryejnë detyrën e tyre në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Vendet e Kuintit janë: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Përmes një komunikate për media, vendet e Kuintit kanë përgëzuar edhe vendimin e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, për të kërkuar nga Gjykata Speciale që të shqyrtojë kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për bërjen e ndryshimeve kushtetuese, që lidhen me mandatin e kësaj Gjykate.

Në këtë letër, që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, Osmani ka kërkuar shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore.

Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.

Dhomat e Specializuara kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, do t’ua dorëzojë gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, kërkesën e nisur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani rreth ndryshimeve kushtetuese që lidhen me mandatin e kësaj Gjykate.

Më 25 gusht, presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentimin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare. Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon në gusht të këtij viti. Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vetë këtë gjykatë.

Në Gjykatën Speciale në Hagë nuk kanë dashur të komentojnë veprimin e presidentit lidhur me vazhdimin e mandatit të gjykatës.

Mirëpo, në fund të vitit të kaluar, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a do të duhet që institucionet e Kosovës të vendosin për vazhdimin e mandatit të gjykatës, zyrtarët në Hagë kanë thënë se “për vazhdimin e mandatit, nuk janë të nevojshme formalitetet ose veprimet specifike”.

Në komunikatën e vendeve të Kuintit është përgëzuar, po ashtu, Zyra e Prokurorit Special të Republikës së Kosovës për siç, është thënë, “respektimin e autoritetit të Zyrës së Prokurorit të Dhomave të Specializuara për të hetuar zbulimin e mundshëm të paligjshëm të dokumenteve dhe informatave të besueshme, njëkohësisht duke ofruar ndihmën e saj sipas nevojës“.

Kjo deklaratë vjen ndërkohë që ende nuk dihet se kush është duke dërguar dokumente në zyret qendrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të cilat po pretendohet se janë konfidenciale dhe të Dhomave Specializuara në Hagë.

Identiteti i personit, i cili më 7 dhe 16 shtator ka dërguar në këtë organizatë “me mijëra dosje me dëshmi dhe emra dëshmitarësh”, vazhdon të jetë anonim.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve të pretenduara është e panjohur dhe nuk dihet ende nëse ato janë origjinale.

Në një konferencë për media të enjten në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së konfirmoi se në prani të avokatit Tomë Gashi, u ka dorëzuar hetuesve të Gjykatës Speciale ‘dosjet që kanë mbetur’ në zyret e kësaj organizate.

Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u themeluan pesë vjet më parë nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim me qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar ose hedhur poshtë publikisht. Gjyqtari ka gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Nën përgjegjësinë e Gjykatës Speciale është hetimi i krimeve të pretenduara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011.

/DW

Të fundit