E premte, 13 Dhjetor, 2024

Opinion: Ka ardhur koha për rebelimin e humanistëve

Gjermania do të marrë 1 500 refugjatë nga Greqia. Shumë mirë! E megjithatë ky është një shembull për falimentimin e politikës europiane ndaj refugjatëve, thotë Jens Thurau.

12 000 refugjatë jetonin në kampin e djegur të Morias në Lesbos dhe vazhdojnë të jenë aty. 1500 refugjate ka vendosur t’i marrë tani Gjermania. Ky është një lajm i mirë – ta themi që në krye.  Por a është ky një hap unilateral i Gjermanisë, i ngjashëm me atë të vitit 2015, kur Gjermania pranoi me qindra mijëra refugjatë nga vende të ndryshme, përfshirë edhe ata që kishin ardhur prej vendeve të tjera të BE-së, ku duhej të kishin kërkuar azil?
Jo, nuk është.

Frikë nga narrativi i gabuar? 

Gjesti humanitar i qeverisë gjermane duket sikur ka brenda pak dëshpërim dhe pasiguri. Përgjegjësit nëpër ministri përpiqen të shpjegojnë me zell se rreth 400 familjet që tani do të strehohen në Gjermani nuk vijnë vetëm nga ishulli Lesbos, por nga shumë ishuj të tjerë. Dhe se shumicës dërrmuese të tyre tashmë u është njohur e drejta azilit.

Mesazhi është i qartë: ne po vijmë në ndihmë grekëve të cilët nuk e përballojnë dot vetëm situatën. Por narrativi nuk duhet të jetë si vijon: Në fillim u dogj kampi, (Greqia tani dyshon se këtë e kanë bërë disa refugjatë të rinj, të cilëve u është refuzuar e drejta azilit), dhe pastaj u hap rruga për në Gjermani. Një narrativ i pakëndshëm që fajëson qindra fëmijë, gra, burra, këta refugjatë të dëshpëruar. E megjithatë ky narrativ përshkruan nivelin moral, etik dhe humanitar, në të cilin ka kohë që është ulur politika europiane e refugjatëve.

Aman, të mos krijojmë një rast precedent! Politikanët në Berlin raportojnë herë pas here se me këto fjalë i drejtohen në Bruksel BE-së sidomos disa vende nga Europa Lindore. Pranimi i refugjatëve është problemi juaj – ne nuk kemi të bëjmë me të! U thonë ata gjermanëve. Dhe gjermanët e dinë se çfarë u sjell ky presion: çdo gjest njerzillëku është një program stimulimi konjunkturor për mizantropët e djathtë populistë. Çdo veprim unilateral, sado i vogël qoftë, shihet si një përpjekje gjermane për dominim në Europë.

Nëse për një çast, nuk do të mendonim vetëm për pazaret dhe jepemarrjet në Bruksel, kur flasim për politikën e refugjatëve, atëherë del në pah se: Edhe në Gjermani, për të cilën kritikët thonë se është bërë po aq jomikpritëse ndaj refugjatëve, sa edhe shumë shtete të tjera dhe shoqëritë e tyre, edhe në Gjermani gatishmëria për të ndihmuar është çuditërisht e madhe. Qytetet dhe bashkitë janë shprehur të gatshme të marrin shumë më tepër sesa afro 1500 refugjatët që planifikon të marrë qeveria tani. Por për momentin, kjo kërkesë është refuzuar, për shkak të falimentimit moral të BE-së.

A ka Europa vlera të përbashkëta? 

Çfarë kërkon të jetë Europa konkretisht? Një makineri për rishpërndarjen e të ardhurave me kufij të hapur (pas përfundimit të pandemisë)? Apo ka edhe vlera, që i përfaqësojnë së paku shumica e 27 shteteve?  Vlera, me të cilat BE-ja do të mund t’u kundërvihej populistëve në Uashington, autokratëve në Lindjen e Mesme, në Azi ose në Turqi.

Kommentatorenfoto Jens Thurau (DW)Jens Thurau është korrespondent i Deutsche Welles nga studioja e Berlinit

Kur pyet në Berlin, mëson se shumica e politikanëve kanë hequr dorë nga shpresa se vende si Hungaria dhe Polonia janë të gatshme ose të afta për një politikë të përbashkët për refugjatët. Prandaj tani është më e drejta, që të formohet një grup shtetesh të gatshme që ose të pranojnë refugjatë nga Greqia, por edhe nga Italia, ose të paktën të ndihmojnë me para për të ndihmuar në kapërcimin e krizës.

Rebelimi i të dhembshurve

Ky kontinent tani ka nevojë për një kryengritje të mirë të njerëzve të ndershëm dhe të dhembshur, edhe nëse ky rebelim rrezikon të përçajë komunitetin. Ndryshe europianët nuk do të kenë se me se t’u kundërvihen nacionalistëve dhe populistëve. Dhe ka shumë njerëz të ndershëm dhe të dhembshur. Ata i gjen kudo: nëpër bashki dhe komuna, në kisha, shoqata, sindikata, në fabrika dhe kompani.

Të fundit