E shtunë, 18 Maj, 2024

Kaltrina Ajeti: Gazetari nuk po bëjnë gazetarët me diploma, po personat me ‘followersa’

Përveç angazhimit rreth doktoraturës, Ajeti është edhe Redaktore në Televizionin Publik të Kosovës dhe Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit Kosovar të Medias dhe Komunikimit.

 

Intervistoi: KDP

Gjithnjë e vendosur që të jetë një zë i përveçëm në jetën publike të Kosovës, Kaltrina Ajeti, reflekton me protagonizmin e saj në fushën e medias, në shoqërinë civile dhe në sferën e psikologjisë, ku tashmë është studente e ciklit të doktoratës në Universitetin Publik të Shkupit.

Dimensionet e psikologjisë, të jetës sociale në kohë pandemie, por jo vetëm, të gërshetuara me profesionin e gazetares, ajo tashmë i ka formatuar në emisionin “Divers” të startuar në RTK.

Në një intervistë për KDP, Kaltrina Ajeti thotë se Covid 19 konsiderohet si ngjarja më traumatike që ka përjetuar njerëzimi pas Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që vë në dukje se frika nga infektimi, distancimi social, izolimi dhe ekspozimi ndaj lajmeve dhe rekomandimet kontradiktore kanë efekt negativ në shëndetin mendor individual dhe kolektiv.

Synim i imi ka qenë krijimi i një formati televiziv ku diskutohen çështje të rëndësishme sociale dhe psikologjike, në një kohë kur gazetari nuk po bëjnë studentët me diploma, po personat me ‘followersa’.

Ajo flet hapur mbi shume fenomene negative në shoqëri, por edhe mbi gazetarinë në Kosovë që qëndron në një shkallë më lart në krahasim me vendet e rajonit, por që akoma është në tentativë për të bërë gazetari hulumtuese kredibile.

KDP: Jemi duke funksionuar në kushte pandemie që nga marsi i këtij viti. Ndërkohë, nuk e dimë as sa do të zgjasë kjo gjendje. Si ndikon në psikologjinë individuale dhe kolektive pandemia? Çfarë pasojash ka?

Frika e vazhdueshme për infektim, distancimi social, izolimi, ekspozimi i përditshëm ndaj lajmeve dhe rekomandimet kontradiktore, kanë efekt negativ në shendetin mendor individual dhe kolektiv.

Kaltrina Ajeti: Covid-19, konsiderohet si ngjarja më traumatike që ka përjetuar njerëzimi, që nga lufta e dytë botërore. Frika e vazhdueshme për infektim, distancimi social, izolimi, ekspozimi i përditshëm ndaj lajmeve dhe rekomandimet kontradiktore, kanë efekt negativ në shendetin mendor individual dhe kolektiv. Zgjatja e kësaj situate do të ndikojë edhe në rënien e gjendjes ekonomike, çka do të rëndojë tutje mirëqenien e qytetarëve dhe shëndetin e tyre mendor.

KDP: Jeni një nga fytyrat publike që avokoni barazinë gjinore dhe ç ‘rrënjosjen e traditave diskriminuese ndaj femrave në familjet shqiptare. Pse ende tradita dhe mentaliteti i vjetëruar janë më të fuqishëm se ligjet?

Çdo ndryshim i këtij sistemit të vlerave, kërkon nivel të lartë të emancipimit dhe guxim, çka unë konsideroj se mungon tek ne.

Kaltrina Ajeti: Arsyeja e parë mund të jetë e kaluara e shoqërisë kosovare e cila me vite ka mbijetuar në një sistem paralel dhe ende vazhdon të ketë dilema vetëdijshëm ose pavetëdishëm ndaj institucioneve shtetërore. Arsyeja e dytë mund të qëndroje tek vullneti i shumicës, që në këtë rast fatkeqësisht janë ata që konsiderojnë se normat shoqërore janë më të forta se ligjet, sepse ky është realiteti që janë mësuar ta jetojnë dhe prej të cilit kanë përfituar. Çdo ndryshim i këtij sistemit të vlerave, kërkon nivel të lartë të emancipimit dhe guxim, çka unë konsideroj se mungon tek ne.

KDP: Me Institutin Kosovar të Mediave dhe Komunikimit keni realizuar disa projekte për përmirësimin e kualitetit të raportimit. Ku qëndron gazetaria shqiptare në Kosovë dhe jashtë saj në krahasim me atë perëndimore?

Kaltrina Ajeti: Nëse e krahasojmë me rajonin, në shumë aspekte qëndrojmë shumë mirë, ndërsa në krahasim me mediet kredibile botërore, mendoj se ne kemi mbetur në tentativë për të bërë gazetari hulumtuese kredibile.

KDP: Së fundmi keni filluar emisionin “Diverse” në RTK. Një rikthim në ekranet televizive pas një pauze të gjatë. Pse?

Emisioni Divers është në fillimet e veta, shpresojmë shumë që do të arrijmë të përmbushim misionin për të cilin është krijuar.

Kaltrina Ajeti: Synim i imi ka qenë krijimi i një formati televiziv ku diskutohen çështje të rëndësishme sociale dhe psikologjike, në një kohë kur gazetari nuk po bëjnë studentët me diploma, po personat me ‘followersa’. Konsideroj dhe jam e bindur se ka shumë profesionistë të cilët mund të kontribojnë në krijimin e opinionit publik për shumë çështje të rëndësishme shoqërore, por të cilët nuk janë prezentë ne medie, sepse nuk krijojnë lajme senzacionale, nuk sjellin klikime! Emisioni Divers është në fillimet e veta, shpresojmë shumë që do të arrijmë të përmbushim misionin për të cilin është krijuar.

Të fundit