E shtunë, 5 Tetor, 2024

PËRPJEKJA PËR ZYRTARIZIM TË GJUHËS SHQIPE – LABIRINTET E REFUZIMIT INSTITUCIONAL

Zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që e nënkupton gjuhën shqipe, po has në vështirësi të shumta. Duket se avazi i moszbatimit të ligjeve po vazhdon. Sipas raportit vjetori të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, pjesa dërrmuese e institucioneve po e neglizhojnë zbatimin e gjuhës shqipe. Pas “eklipseve” të deri tashme të stimuluara nga ngjarje tjera, duket se tash është momenti për një reflektim tjetër në zbatimin e ligjit. Për të kaluar në një fazë substanciale zbatimi do të duhet të mendohet strategji tjetër që i nënkupton politikat gjuhësore dhe modelet europiane. Në të kundërtën edhe ky ligj rrezikon të “tretet” në labirintet e refuzimit të heshtur të institucioneve. 

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Nëse ka pasur një përpjekje të përhershme të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për etablim të barazisë në tërësinë shtetërore ajo ka qenë beteja për zyrtarizim të gjuhës shqipe. Që nga fillimet e sistemit pluralist, por edhe më herët shpërfaqja e problemit të mospërdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e shtetit ka qenë afishim i përhershëm i subjekteve politike, por edhe botës akademike dhe elitave intelektuale.

Një betejë që herë ka përfshirë angazhime korrekte dhe moderne politike dhe intelektuale dhe herë është shfrytëzuar si grep politik për mobilizime elektorale, duke i dhënë ngjyresa folklorike. Sidoqoftë, angazhimi për avancim dhe zyrtarizim të përdorimit të gjuhës shqipe ka qenë i përhershëm, ndërkohë që gjithë vektorët e dinamikave politike kolektive në esencë kanë nënkuptuar këtë të drejtë politike dhe kulturore që në mënyrë substanciale është ndërlidhur me gjuhën si kryeshtyllë e identitetit të qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Historia e shqiptarëve është histori e gjuhës. Gjithë teoritë identitare të shqiptarëve përgjatë historisë, por edhe trajektorja e tyre politike, ndërlidhet me gjuhën si komponent e pandashme e identitetit kombëtar, por edhe e vlerës dhe dimensionit europian.
Trashëgimia dhe kontinuiteti historik i shqiptarëve përgjithësisht dhe bashkë me këtë edhe i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si pjesë e pandashme e kësaj trashëgimie kulturore dhe gjuhësore, substancë thelbësore të identitetit e ka gjuhën. Sipas shumë studiuesve shqiptarë dhe të huaj, shqiptarët janë komb i gjuhës dhe gjithë ndjeshmëria e tyre historike dhe politike ndërlidhet pikërisht me këtë konstituent qenësor të identitetit.
Në fakt gjithë historia e shqiptarëve është betejë për shkollën shqipe, një betejë kulturore identiteti dhe vetëafirmimi përballë ndalesave, represioneve të ndryshme gjatë kohërave historike.

VAZHDIMËSIA E BETAJAVE POLITIKE

Një betejë e këtij lloji për identitet gjuhësor dhe kulturor gjatë tërë kohës është zhvilluar edhe në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia si shtet, por edhe më herët kur janë manifestuar forma të ulëta të ndalesës dhe kur ka pasur edhe ndëshkime nga pushteti i atëhershëm komunist për kërkesën e avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe.
Formalisht përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në ish Republikën Socialiste të Maqedonisë ka qenë i garantuar me kushtetutën e vitit 1974, por me kalimin e kohës kjo e drejtë formale është degraduar në zgjidhje gjithnjë e më kufizuese në kohën perëndimit të ish Jugosllavisë si entitet shtetëror.
Gjithsesi, sipas shumë dokumentimeve, pikërisht gjatë këtij kalimi nga një sistem në tjetrin, gjegjësisht periudhës së shkëputjes së Maqedonisë nga ish Jugosllavia, gjuha shqipe ka kaluar nëpër ngushticat juridike të përcaktuara me kohë nga elita e atëhershme politike maqedonase.
Në esencë, gjithë beteja politike e shqiptarëve të Maqedonisë është betejë për gjuhën shqipe, e cila me Marrëveshjen e Ohrit definohet në kushtetutë si ” gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë “. Një definim që gjatë tërë kohës është problematizuar nga partitë politike, por edhe nga elita intelektuale e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
Edhe pse e sanksionuar në kushtetutë, megjithatë përmbi një dekadë gjuha shqipe nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje ligjore përdorimi të barabartë. Janë shënuar ndërkohë disa tentime avancimi, siç ishte rasti me ligjin për përdorimin e gjuhëve të vitit 2008, por që nuk kanë arritur një avancim substancial përdorimi të barabartë.
Nuk kanë munguar brenda kësaj kohe edhe keqpërdorime politike mbi të drejtën e gjuhës, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka kaluar nëpër kriza të theksuara marrëdhëniesh ndëretnike të rrezikuara. Pikërisht, këto antagonizma politike kanë pamundësuar gjatë tërë kohës debat të kulturuar dhe tolerant mbi statusin zyrtar të gjuhës shqipe si një e drejtë e shqiptarëve e afishuar me kohë, e cila në radhë të parë do të siguronte kohezion ndëretnik dhe shoqëror në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë periudhës së udhëheqësit autokrat Nikolla Gruevski pikërisht këto tema të nxehta që preknin në dimensionin identitar janë keqpërdorur për politikë ditore dhe për mobilizime elektorale.

HORIZONTI I RI POLITIK DHE AVANCIMI ZYRTAR I SHQIPES

Pas rënies së, siç cilësohej, regjimit të tij, në Maqedoninë e Veriut u hap një horizont tjetër angazhimesh politike, të cilat vinin edhe si rezultat i impenjimit demokratik të bashkësisë ndërkombëtare.
Një ndër çështjet që mbetej e hapur dhe për të cilën angazhoheshin të gjitha subjektet politike në bllokun politik shqiptar ishte edhe rishikimi i statusit të gjuhës shqipe që duhej të sanksionohej me ligj dhe që determonohej nga definimi kushtetues i Marrëveshjes së Ohrit. Pas një debati, jo edhe pa kundërshtime politike, më 2018 parlamenti solli ligjin për përdorimin e gjuhëve, që si një definim eufemik kushtetues e nënkuptonte gjuhën shqipe, pa përjashtuar hipotetikisht edhe gjuhët e bashkësive tjera etnike në Maqedoninë e Veriut. Për herë të parë gjatë kësaj kohe një parti maqedonase e udhëhequr nga lideri i saj Zoran Zaev, ishte angazhuar që çështje e gjuhës shqipe të gjente zgjidhje ligjore, duke nënkuptuar një avancim substancial drejt zyrtarizimit të plotë.
Pavarësisht se pati përpjekje për një definim tjetër nga subjektet politike shqiptare, ligji i ri vinte me definimin që determinohej nga kushtetuta, pa u përmendur gjuha shqipe, por që nënkuptohej se ligji për përdorim të gjuhëve i dedikohej gjuhës shqipe.
Sipas shumë ekspertëve, ky ligj e avanconte në mënyrë substanciale përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, ndërkohë që ishin përfshirë në ligj edhe instrumentet për zbatimin në tërësinë institucionale. Pikërisht për këtë qëllim me ligj ishte paraparë edhe krijimi i Agjencisë për Përdorimin e Gjuhës dhe Inspektoratit që do të kujdesej për implementimin e ligjit.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është miratuar më 14 mars të vitit 2018, por hyrja e tij në fuqi është zvarritur për gjatë kohë nga se ish-presidenti Gjeorgji Ivanov  refuzonte dekretimin e tij. Ligji i gjuhëve është miratuar pas votimit të dytë në parlament. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi më 15 janar të vitit 2019, kur edhe është publikuar edhe në gazetën zyrtare.

Por, për më tepër se një vit e gjysmë nga hyrja në fuqi e ligjit, zbatimi po has në vështirësi të shumta. Realisht, përballë shumë sfidave tjera në të cilat ka kaluar Maqedonia e Veriut, zbatimi i Ligjit të gjuhëve duket se është lënë në harresë, përkundër faktit që tashmë kjo vonesë nga ekspertë të shumtë është interpretuar si mungesë vullneti politik.

NEGLIZHENCA INSTITUCIONALE E ZBATIMIT

Brenda kohës, gjegjësisht në janar të këtij viti, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, ka publikuar një udhëzues nëpërmjet të cilit synohet që institucionet ta kenë më të lehtë zbatimin e ligjit. Përfaqësues të këtij institucioni kanë kërkuar zbatim më efektiv të ligjit, ndërkohë që janë vërejtur ngecje dhe refuzime për zbatim të tij nga ana e institucioneve.

Për sa kohë që ngjarjet tjera politike në Maqedoninë e Veriut e kanë vënë nën hije zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, disa përpjekje në zbatimin e ligjit kanë qenë jashtë çdo standardi të gjuhës shqipe. Sidoqoftë nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës jo njëherë është theksuar se procesi i zbatimit të ligjit po shkon me shumë vështirësi, ndërkohë që është vërejtur një realitet kompleks në gjithë infrastrukturën ligjore ku duhet të zbatohet ligji.

Nën dinamikën e problemeve të tjera që e kanë dominuar skenën politike në Maqedoninë e Veriut, zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve ka mbetur pa një shtysë të vullnetit politik për të gjetur zbatimin e plotë në institucione. Ngecjet dhe refuzimi i heshtur për të mos e zbatuar ligjin mbetet një problem që kërkon një sensibilizim më të madh. Vështirësitë e zbatimit janë theksuar edhe në raportin vjetor për vitin 2019 nga ana e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës. Sipas këtij raporti pjesa dërrmuese e institucioneve e kanë neglizhuar zbatimin e ligjit.

Po sipas këtij raporti, një pyetësori të agjencisë drejtuar 614 institucioneve të sektorit publik në lidhje me përmbushjen e detyrimit sipas nenit 7 të ligjit për zbatim të Ligjit për Përdorim të Gjuhëve, përgjigje kanë kthyer vetëm 183 institucione. Nga të dhënat të paraqitura nga kjo agjenci mund të shihet se procesi i zbatimit të plotë të Ligjit të Gjuhëve po has në vështirësi të shumta, ndërkohë që pjesa dërrmuese e institucioneve nuk kanë reflektuar ndaj zbatimit të ligjit.

Përgjithësisht çështja e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve po shënon ngecje të shumta, ndërkohë për shkak të ngjarjeve tjera dhe për shkak të pandemisë nuk ka pasur një dinamikë koherente zbatimi. Realisht duket se zbatimi i Ligjit për Përdorimin e gjuhëve po kalon nëpër labirintet e institucioneve, ndërkohë që nuk ka një mekanizëm për të ndjekur dhe për të garantuar zbatimin. Sipas shumë ekspertëve, kjo ngecje dhe refuzim i heshtur nënkupton që ligji nuk po zbatohet, ndërkohë që kjo gjithashtu nënkupton përgjithësisht mosfunksionim të ligjit.

Nuk dihet se si do të vazhdojë më tej zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndërkohë që shumë analistë dhe ekspertë e kanë theksuar tashmë avazin e vjetër të mosrespektimit të ligjeve në Maqedoninë e Veriut. Mbetet shumë e rëndësishme që qeveria e re të ridimensionojë një logjikë dhe vullnet tjetër të zbatimit të ligjit, në kohën kur ky ligj po humbet në labirintet e refuzimit të heshtur institucional.

Mbetet e domosdoshme që të rimendohen praktika tjera zbatimi, të cilat do të vijnë në formë bashkëpunimi mes qeverisë, Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës dhe faktorëve tjerë institucional. Zbatimi i dygjuhësisë kërkon politika të menduara gjuhësore që nënkuptojnë një ridimensionim të tërësishëm të funksionimit të institucioneve. Duhet të kërkohen modelet e suksesshme të zbatimit të dygjuhësisë, ndërkohë që duhet të eksplorohen dhe të shndërrohen në strategji zbatimi të gjitha ato dimensione që nënkuptojnë shtrirjen dhe shtrukturimin institucional të përdorimit të gjuhës shqipe.

Krijimi i politikave gjuhësore dhe animimi i një ndjeshmërie tjetër për domosdoshmërinë e zbatimit mbetet imperativ në kohët që vijnë. Kampanjat sensibilizuese, kërkimi i përgjegjësisë nga institucionet, por edhe sanksionimi i tyre mund të krijojnë një moment tjetër për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo duhet të jetë një sipërmarrje gjithëpërfshirëse, me strategji të menduara mirë dhe me këmbëngulje institucionale. Maqedonia po hapëron drejt vlerave dhe praktikave europiane dhe në kuadër të këtij procesi mbetet e domosdoshme që të shihen praktikat më të mira europiane të zbatimit të dygjuhësisë. Në të kundërtën ekziston rreziku që zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të “tretet” në labirintet e heshtjes institucionale.

Të fundit