E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

Pandemia nuk i ndalon të rinjtë që të largohen nga Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut është radhitur në vendin e tretë në Evropë, në një listë të publikuar nga The Economist, sa i përket ikjes së të rinjve nga vendi të cilët kanë përgatitje profesionale në lëmi të caktuar.

Guxim Nuhiu, aktivist për të drejtat e të rinjve, thotë se pandemia e koronavirusit, përkatësisht izolimi, ka ndikuar në vetëdijesimin e të rinjve se sistemi në Maqedoninë e Veriut iu ofron pak mundësi atyre që të pavarësohen financiarisht nga prindërit.

“Në bazë të statistikave që dolën nga sindikatat e punës, nga numri i atyre që kanë humbur punën, i përkasin moshës nën 29-vjeçare. Ky fakt flet shumë, por edhe ajo se të rinjtë gjatë kohës së pandemisë nuk kanë mundur të gjejnë punë ndërkohë që pjesa më e madhe të rinjve ende jetojnë me familjen e tyre. Kjo tregon se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut nuk arrijnë të pavarësohen, pra kryesisht varen nga familja”, thotë Nuhiu.

“Kjo bën që të rinjtë si mundësi për pavarësim ta shohin largimin nga vendi, ku do të mund të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar një jetë për vete”, shtoi ai.

Nuhiu për Radion Evropa e Lirë thotë se për të rinjtë shumë shqetësuese mbetet ndërhyrja e politikës në avancimin profesional të tyre.

“Me miqtë e mi, të cilët janë larguar nga Maqedonia e Veriut, tani gjatë kontakteve mësoj se për ta çlirim shumë i madh paraqet ngritja profesionale e cila nuk është e varur nga politika. Atje në vendet evropiane, ku kanë filluar jetën, respektohet sistemi i meritokracisë”, tregon ai.

Ndërkaq, kryetarja e Forumit Rinor për Arsim, Stefania Spirovska në një intervistë për Radion Evropa e lirë thekson se sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut nuk arrin t’u përgjigjet kërkesave të tregut të punës, andaj të rinjtë perspektivën e shohin jashtë vendit, ku dhe mund të specializohen për lëmi të caktuara.

“Përfundimisht duhet të jetë modernizimi i materies që mësohet në arsim, të kemi programe të cilat do t’i nxisin nxënësit të mendojnë në mënyrë kritike, për shkak se ne ndër vite nuk pamë programe të tilla. Nëse e krahasojmë sistemin arsimor që e kemi tani me sistemin arsimor që e kemi pasur para 30 vjetësh, pothuaj se është e njëjta mënyrë në të cilën mësohet. Kështu që, modernizim të materialit dhe përfundimisht investim më i fuqishëm te profesorët, për shkak se për momentin po shohim se barra tërësisht bartet tek ata, fajin e kërkojmë tek ata për shkak se ata e zbatojnë mësimin, por na mungon investimi konstant dhe puna me profesorët dhe me kuadrot arsimore” thotë Spirovska.

Hulumtimet e viteve të fundit të bëra nga organizatat e të rinjve kanë nxjerrë në pah se më shumë se gjysma e të rinjve perspektivën e tyre e shohin jashtë Maqedonisë së Veriut, përderisa një e treta e të rinjve marrin veprime konkrete për t’u larguar nga vendi.

“Nëse dëshirojmë t’i mbajmë të rinjtë këtu duhet të fokusohemi në një fotografi më të gjerë, përkatësisht duhet parë përtej horizontit që shihet sa i përket perspektivës së tyre dhe jo të fokusohemi vetëm në zgjidhjen e problemeve aktuale të të rinjve”, thekson Bllazhen Malevski.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut për të parandaluar largimin e të rinjve nga vendi ka miratuar një pako të gjerë, ku në fokus është avancimi i aftësive profesionale të të rinjve dhe ndihma financiare për hapjen e bizneseve të reja nga të rinjtë. Po ashtu, në këtë pako përfshihet edhe subvencionimi i kompanive që punësojnë të rinjtë.

Por, sipas Stefania Spirovska këto masa janë për një afat të shkurtër kohor dhe shumë pak të rinj kanë qasje në këtë pako.

“Ndër vite papunësia e të rinjve bartet si problem. Shqetësuese është se nuk kemi zgjidhje sistematike për të. Kemi parë shumë masa për punësimin e të rinjve, të cilat në një farë mënyre, kompanive iu mundësojnë përfitime të caktuara nga punësimi i të rinjve, gjegjësisht lehtësim të kontributeve të cilat duhet t’i paguajnë. Problemi që paraqitej në të kaluarën ishte se këto masa kishin kufizim kohor, ja të themi ka periudhë të caktuar kur personi duhet të jetë i punësuar, e për të cilën punëdhënësit i takon kompensim, gjegjësisht lehtësim të kontributeve”, thekson Spirovska, duke shtuar se menjëherë sapo përfundon afati i lehtësimeve për kompanitë, ata i kanë larguar të rinjtë nga puna.

Ndryshe në bazë ët hulumtimit të fundit të organizatës joqeveritare Fridrih Ebert, për 48 për qind të të rinjve të cilët largohen nga vendi, arsye kryesore mbetet standardi më i mirë i jetesës.

Mungesa e regjistrimit të popullsisë në vend që nga viti 2002 ka bërë që mos ketë të dhëna zyrtare se cili është numri i saktë i të rinjve që largohen nga shteti. Megjithatë, zvogëlimi i nxënësve në shkolla në mes të vitit shkollor, po shihet nga ekspertët si tregues, se familjet e reja e shohin perspektivën e tyre jashtë Maqedonisë së Veriut.

Të fundit