Filatropi i njohur, Lazim Destani, ka vizituar sot në Shkup Klinikën Kirurgjikale “Shën Klimenti i Ohrit”, rinovimi i së cilës bëhet me donacionet e kompanisë së tij “Ecolog International”, raporton KDP.
Destani ka parë nga afër zhvillimin e punimeve, të cilat janë në fazën e finalizimit, njofton kompania.
Siç njoftohet zyrtarisht, donacioni për rinovimin e kësaj qendre spitalore në Shkup vjen pas një varg aktivitetesh donuese nga Grupacioni Ecolog.
“Donacioni i tashëm për rinovimin e objektit të Kirurgjisë në Shkup do t’i përmirësojë dukshëm kushtet këtu, duke e kthyer atë në një qendër shëndetësore me pamje bashkëkohore”, thonë nga Ecolog International.
Gjatë vizitës së tij, z. Destani u prit e u shoqërua nga udhëheqësit e Klinikës Kirurgjikale, drejtorët z. Ljuben Arsenkov dhe znj. Nermin Shaqiri.
“Vizita e sotme e z. Lazim Destani, pronar i kompanisë Ecolog, përbën kënaqësi dhe nder të veçantë për ne. Donacioni për rinovimin e fasadës-atrium është me domethënie të jashtëzakonshme për spitalin tonë. Shpresoj që kjo përgjegjësi shoqërore e z. Destani të jetë një nxitje për donacione tjera të mundshme nga kompani apo individë të tjerë. Në emër të krejt kolektivit, sërish e falënderoj për donacionin dhe në mënyrë të veçantë për nderin që na bëri duke e vizituar këtë spital.”, thanë drejtuesit e Klinikës.
Përveç këtij donacioni në qytetin e Shkupit, Grupacioni Ecolog thotë se është në bisedime me autoritetet kompetente për një investim kapital për ngritjen e një Klinike Shëndetësore Universitare moderne për rajonin e Pollogut, në Tetovë.
Ndryshe, në suaza të projektit EcoCare për Covid-19, kompania Ecolog International tashmë po implementon një numër të madh projektesh nga sfera e shërbimeve shëndetësore nëpër disa vende të Europës Perëndimore.
Gjatë periudhës së pandemisë kjo kompani në kuadër të përgjegjësisë korporative shoqërore ka dhuruar mijëra pajisje teknike për ndjekjen e procesit mësimor online për fëmijët e familjeve sociale në gjithë territorin e vendit, materiale e pajisje në spitalin e Tetovës si dhe teste për Covid-19 të dorëzuara tek autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.