E shtunë, 22 Mars, 2025

PËRTEJ “TOP SHOP” DHE “DORMEO” SOFIZMAVE POLITIKE

Këto zotime që tashmë i ka marrë qeveria e re nuk do të kalojnë si herëve tjera për shkak të shumë faktorëve shoqërorë dhe socialë që e performojnë jetën e qytetarëve. Angazhimi qeveritar do të duhet të shkojë përtej sofizmave polemizuese “top shop” kryeministër dhe “dormeo” opozitë, sepse tashmë interaksioni i qytetarëve me premtimet e qeverisë është shumë më i ngjeshur dhe shumë më i prekshëm. Çdo premtim i qeverisë do të monitorohet nga qytetarët dhe reagimi do të jetë shumë më i shpejtë se herëve të tjera për shkak të stërlodhjes me premtime paraprake të qeverisë dhe qeverisjeve tjera paraprake.

Autor: Bardhyl Zaimi

Pas polemikave me tone ironike në stilin “top shop” kryeministër dhe “dormeo” opozitë parlamenti me 62 vota pro ka votuar qeverinë e re të drejtuar edhe njëherë nga kryeministri Zaev. Krijimit të qeverisë i ka paraprirë një proces me shumë të panjohura dhe me ngërçe politike mes dy partive që tash janë partnere koalicioni në qeverisjen e ardhshme katërvjeçare. Rezultati i ngushtë zgjedhor kishte dhënë mundësi për më tepër kombinatorika paszgjedhore, por më në fund, LSDM dhe BDI kishin rënë dakord për bashkëqeverisje përkundër shumë akuzave në adresë të njëra-tjetrës.

Sidoqoftë, parlamenti tashmë e ka votuar qeverinë e re, e cila vjen me ministri të shkurtuara, por edhe me një program ambicioz qeveritar që pritet të realizohet në katër vitet e ardhshme. Menjëherë pas votimit të qeverisë, kryeministri Zoran Zaev ka theksuar se kjo qeveri do të punojë për ta arsyetuar besimin e deputetëve dhe të qytetarëve. “Do të bëjmë përpjekje që të zbusim dëmet ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi. Do të ndërtojmë institucione që do të punojnë për të na mbrojtur nga armiku i padukshëm, koronavirusit. Nga fillimi i mandatit do të sigurojmë mekanizma për një administratë efektive”, ka theksuar Zaev, ndërkohë që ka bërë të ditur se tani është koha për drejtësi dhe disiplinë.

Një tjetër angazhim për qeverinë e re do të jetë edhe procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. “Ligjet janë miratuar, tani është koha për zbatimin e tyre. Procesi i integrimit vazhdon edhe më fuqishëm, qeveria është e përgatitur për hapjen e kapitujve me Bashkimin Evropian”, ka theksuar kryeministri Zoran Zaev. Gjithë ministrat në qeverinë e re tashmë kanë shpaluar pjesë nga programi qeveritar, i cili kryesisht është i përqendruar në ekonomi dhe në procesin e integrimeve. Është vlerësuar ndërkohë që partia shqiptare në qeveri, BDI ka pozicione të forta, ndërkohë që pozicioni i shqiptarëve bashkë me PDSH-në dhe Lëvizjen Besa është vlerësuar si historik për nga pesha politike dhe ministritë që drejtojnë. 

Pas një takimi koordinativ para takimit me presidentin Pendarovski, zv. kryeministrit Artan Grubi nga radhët e BDI-së ka theksuar se ministrat shqiptar do të punojnë për realizimin e programit qeveritar. “Kishim një takim koordinativ me të gjithë ministrat që vijnë nga radhët e BDI-së, takim para se të shkojmë në takimin me presidentin e shtetit. Bashkë konstatuam se do të punojmë dhe do të bëjmë përpjekje maksimale për të zbatuar programin të cilin e miratoi Kuvendi i Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar Grubi. 

Krejtësisht në një optikë tjetër e ka parë formimin e qeverisë opozita në Maqedoninë e Veriut. Lideri i opozitës, Hristijan Mickovski ka paralajmëruar se qeverinë e re e pret vjeshtë e nxehtë. Sipas tij, kuadrot e pushtetit të ri janë të vjetër, të harxhuar, të komprometuar dhe me premtime të parealizuara. “Si VMRO-DPMNE pa kompromis do t’u kundërvihemi politikave anti-reformuese, korruptuese dhe kriminale që i pres, sepse nga programi i qeverisë nuk pashë asgjë që ofron zhvillim ose ballafaqim me krizën që është para nesh. Sot kemi takim të Komitetit Ekzekutiv dhe do të fillojmë diskutimin rreth strategjisë se çfarë vjeshte na pret por besoni do të jetë vjeshtë e nxehtë për LSDM-në dhe Zoran Zaevin”, ka theksuar Mickoski.

Përtej këtyre përplasjeve partiake, realisht, qeverinë e re e presin shumë punë urgjente, të cilat drejtpërdrejtë prekin jetën e qytetarëve. Që nga zbatimi i qeverisë teknike e parashikuar me Marrëveshjen e Përzhinos dhe deri më tani, kjo qeveri “tranzitore” nuk ka arritur që as për së afërmi t’i përgjigjet realitetit të ri të krijuar nga pandemia dhe në shumë sfera mund të vërehet dështim i plotë. Pikërisht, në këtë ndërmjet kohë, janë shfaqur shumë anomali sistemore, të cilat kanë krijuar kaos, duke e rënduar jetën e përditshme të qytetarëve. 

Brenda kohës janë vërejtur radhë të pafundme njerëzish përpara bankave, të cilat paraqesin rrezik potencial për infektime. Duket një dështim total i sistemit, ndërkohë që qytetarët humbin ditë të tërë për të kryer pagesat e prapambetura, të cilat vijnë të sforcuara dhe pa ndonjë dinamikë të përcaktuar pas lehtësimeve disamujore për shkak të pandemisë.

Qeveria e re vjen në një kohë kur gjithë sistemi ndodhet përpara një kolapsi të mundshëm dhe kur qytetarët nuk arrijnë që të stabilizojnë pagesat e faturave të prapambetura. Sforcimet e faturave pa dinamikë të përcaktuar, por edhe vendimi për shtrenjtimin e rrymës për mbi 7 për qind dhe shumë dekompozime tjera institucionale kanë krijuar një gjendje të vështirë për qytetarët. Përpara qeverisë së re ndodhet një mal me probleme që determinohen nga pandemia dhe keqqeverisja e mëhershme. Sipas shumë ekspertëve qeveria e re do të duhet të funksionoje në dy linja, në menaxhimin e pandemisë dhe në projektim të zhvillimit ekonomik që sipas shumë parametrave nuk do të jetë i lehtë.

Sigurisht, nuk është hera e parë që një program qeveritar fokusohet në dimensionin ekonomik. Zakonisht, këto programe qeveritare në letër kanë “tingëlluar” mirë, por në praktikë ka pasur shmangie të përhershme. Edhe qeveria e re theksin e ka vendosur te zhvillimi ekonomik. Një program qeveritar që duket tejet ambicioz, por që kërkon menaxhim buxheti me shumë përgjegjësi, politika publike kreative dhe të qëndrueshme. Jo njëherë këto piketime ekonomike janë afishuar, por gjithnjë më pas kanë ardhur degjenerime në menaxhim që kanë prodhuar zhgënjim të vazhdueshëm te qytetarët.

Në shumë aspekte programi qeveritar përfshin zhvillim ekonomik dhe zgjidhje të mira për mirëqenien e qytetarëve. Por, si zakonisht diçka tjetër është të hidhen në letër dhe krejtësisht diçka tjetër është të realizohen sipas një dinamike të përcaktuar. Sidoqoftë, këto zotime që tashmë i ka marrë qeveria e re nuk do të kalojnë si herëve tjera për shkak të shumë faktorëve shoqërorë dhe socialë që e performojnë jetën e qytetarëve. Tashmë interaksioni i qytetarëve me premtimet e qeverisë është shumë më i ngjeshur dhe shumë më i prekshëm. Çdo premtim i qeverisë do të monitorohet nga qytetarët dhe reagimi do të jetë shumë më i shpejtë se herëve të tjera për shkak të stërlodhjes me premtime paraprake të qeverisë dhe qeverisjeve tjera paraprake.

Ky do të jetë dimensioni më esencial i kësaj qeverisje të re që nënkupton përmbushjen e premtimeve në fushën e zhvillimit ekonomik dhe përgjithësisht të mirëqenies së qytetarëve. Sipas shumë vlerësimeve do të duhet shumë energji dhe shumë përkushtim që këto projeksione zhvillimi të jetësohen në kohën kur kriza e pandemisë po troket trishtueshëm. 

Përveç këtij dimensioni, një tjetër angazhim komplementar do të jetë edhe procesi i bisedimeve me BD-në që nënkupton një reforma reale sistemore në të gjitha fushat dhe sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e së drejtës. Kjo nënkupton një reformë substanciale në të gjitha institucionet, sidomos në gjyqësor ku janë shënuar anomali dhe degjenerime të shumta që pamundësojnë funksionimin normal të sistemit të drejtësisë. Pikërisht ky sistem i drejtësisë i prodhon të gjitha realitetet tjera të mirëqena.

Bëhet e ditur se Këshilli i BE-së po punon në finalizimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut. Paralajmërohet që në vjeshtë ta caktojnë konferencën e parë ndër-qeveritare, me çka edhe zyrtarisht do të fillojnë negociatat për anëtarësim. Koha është e shkurtër, ndërkohë që do të kërkon kapacitete të jashtëzakonshme institucionale për të kahëzuar zhvillimin institucional mbi premisat që i kërkon Bashkimi Europian.

Qeveria e re ndodhet përpara betejave të vështira. Zotimet e qeverisë do të gjejnë reflektim të menjëhershëm te qytetarët, të cilët tashmë janë goditur keq nga kriza e pandemisë. Rezultatet do të jenë të matshme dhe besohet që asnjë qeverisje nuk do t’i lejohet më të zhgënjejë pafundësisht me mospërmbushje premtimesh.

Të fundit