E enjte, 12 Shtator, 2024

SHTETI FACEBOOK

Rrjetet sociale kudo në botë merren seriozisht, por te ne, ato, janë në një nivel edhe më të lartë, ato shërbejnë për udhëheqjen e shtetit. Për shkak të një statusi në facebook, mund të fitohet dhe humbet vendi i punës, mund të gjendet një partner ose partnere e jetës dhe mund të rrënohet një familje, mund të shërohet një i sëmurë rëndë dhe të grumbullohen donacione, mund të vendoset nëse do të ketë spërkatje kundër mushkonjave apo jo. Në facebook zhvillohet debati kur dhe si do të studiojnë fëmijët, nëse do të paguhet një çmim më i lartë për energjinë elektrike dhe sa vota do të grumbullohen në zgjedhje.

Autore: Katerina Topallova

Për argëtim, për mburrje, për kritikë ose për shprazje të frustracioneve … Në Maqedoni facebook është bërë një platformë në të cilën ata që nuk kishin një zë tashmë e kanë fituar, por i zëshëm është edhe ai që mendon se i di të gjitha. Facebook është bërë një mënyrë për të qenë i dukshëm kur është dhe kur nuk është e nevojshme.

Nëse keni probleme – shkruani atje. Nëse keni një problem – bëjeni tag ministrin. Është thjesht e jashtëzakonshme se sa shpejt reagohet.

Vetëm gjatë kësaj periudhe jemi dëshmitarë se të sëmurët seriozisht morën kujdes mjekësor brenda disa orësh, dhe ministri u mburr për këtë dhe mori pëlqime dhe komente të panumërta. Edhe arrestimi i Nefi Useinit ishte në një farë mënyre për shkak të postimit në facebook të të dëmtuarit (i cili më vonë ndërroi mendje se nuk ishte viktimë).

Por a nuk tregon kjo mënyrë e drejtimit të shtetit dobësinë e sistemit? Ku janë institucionet? Pse çdo person zgjidh çdo problem në facebook? A kemi kontroll? Kush dhe çfarë bënë, përderisa njerëzit po mundohen të bëjnë fotografi në facebook për t’u parë dhe ndihmuar?

Ku dështon sistemi nëse facebook merr primatin? Ku janë analizat që duhet të na çojnë në zgjidhje? Nga administratorët e zakonshëm deri tek akademikët në ASHAM, cili është detyrimi i tyre në sistem? Në bazë të cilave analiza i marrin vendimet ministrat?

Rrjetet sociale duhet të jenë një ndihmesë komunikimi, gjegjësisht ta lehtësojnë qasjen për atë që dikur nuk ishte në dispozicion, por është shumë e trishtuar nëse i përshtatim të gjitha politikat sipas gjendjes shpirtërore në facebook.

Me propozimin e ri që deputetët të punojnë nga shtëpia, mbase mund të jetë e nevojshme të mendohet për drejtimin e të gjithë gjërave në facebook. Kryetari të caktojë seancë përmes statusit, dhe deputetët të votojnë në të njëjtën mënyrë. Në atë rast, çdo qytetar mund të jetë deputet dhe kështu të gjithë dinë dhe komentojnë gjithçka. Maqedonia është shndërruar një vend i ekspertëve të facebook-ut, me analizat dhe vendimet e facebook-ut.

Por jeta nuk është aq e bukur sa fotot në facebook. Realiteti është shumë më i ashpër. Facebook mund të jetë një ndihmë, por jo mjeti kryesor nëse duam të kemi një vend serioz, një sistem funksional dhe të jetojmë në realitet!

Të fundit