Autor: Sefer Selimi Jr.
Ashtu edhe siç pritej, dy ‘’kundërshtarët’’ e ashpër të fushatës parazgjedhore nën diktatit e numrave arritën marrëveshje për qeverisje. Të dy shkelën ‘’me dinjitet’’ mbi premtimet e tyre kryesore – LSDM që do të lërë BDI-në në opozitë ‘’për të mirën e shtetit dhe vetë BDI-së që të reformohet’’, ndërkaq BDI këmbeu ‘’kryeministrin e parë shqiptar’’ për pushtet më të madh në ekzekutiv dhe u mjaftua vetëm me simbolikën e 100 ditëve të fundit për të pas në krye të qeverisë një kryeministër të propozuar nga ata, e që me gjasë do të jetë shqiptar. Në demokraci kompromisin e diktojnë numrat dhe deri këtu gjithçka është në rregull, por problemi kryesor i partive politike në Maqedoninë e Veriut janë premtimet që shkojnë përtej realitetit të mundshëm, të pakalkuluara, sipërfaqësore por që tingëllojnë mirë për veshin e qytetarëve. Premtimet e këtilla mund të sjellin vota shtesë por në afatgjatë kjo është kancer për demokracinë dhe besimin e qytetarëve në këtë sistem. Keqmenaxhimi i pritshmërive të qytetarëve prodhon dëshpërim që e mbyt shpresën për një të ardhme më të mirë, e mungesa e shpresës është katalizator që nxit një varg tjetër të rekcioneve shoqërore, mes tyre:
Largimi i trurit nga vendi – Maqedonia dhe vendet e Ballkanit kanë pasur gjithmonë problem me emigrimin e popullatës drejt vendeve evropiane në kërkim të lumturisë. Kjo e drejtë themelore e njeriut, lumturia, është produkt shoqëror që vjen përmes qeverisjes së mirë me shërbime publike cilësore. Nëse në të kaluar popullata që emigronte ishte kryesisht e pakualifikuar, në prag të varfërisë dhe pa perspektivë në vendin tonë, sot nga vendi largohen kryesisht profesionistë të rinj që janë lodhur nga shteti i cili edhe pas 30 vjetësh tranzicion përballet me të njëjtat probleme: politizimi i skajshëm i shoqërisë dhe militantizmi partiak si monedhë suksesi, korrupsioni, shërbime publike jocilësore si në arsim, shëndetsi, siguri publike, infrastrukturë e thuajse gjithkund tjetër. Vendos këtu edhe rezistencën kryeneçe të klasës politike që nuk evulon por të njëjtat fytyra tash e 30 vjet mbajnë peng partitë, rrjedhimisht pushtetin – për një të ri/e, që e njeh potencialin e vetë profesional, rruga e vetme për të gjetur lumturinë është së paku 1000 km larg nga ky vend.
Parti, lëvizje radikale dhe ekstremiste – kur sistemi qeverisës për një kohë të gjatë dështon të prodhojë rezultatin e pritur nga qytetarët, e aq më tepër prodhon mirëqenie vetëm për një pjesë të popullatës hap rrugë për ide, lëvizje, parti radikale dhe ekstremiste. Këto lëvizje jodetyrimisht janë të këqija dhe të rrezikshme por në të shumtën e rasteve, posaçërisht në Ballkan kanë prodhuar fatkeqësi të cilat janë paguar me jetë të njerëzve të pafajshëm. Luftërat që pasuan rrënimin e Jugosllavisë në thelb kishin ide radikale dhe ekstremiste të Millosheviçit dhe Sheshelit, ndërkohë një numër i madh i luftëtarëve terrorist të huaj që iu bashkëngjitën Shetit Islamik u nxitën nga ideologji radikale dhe ekstremiste të interpretimit të Islamit, që në masë të madhe ishte edhe një kundërpeshë e demokracive të dështuara ballkanike. Sot, një parti të tillë e kemi edhe në parlamentin e Maqedonisë, Levica që është kryekëput produkt i votës së revoltës dhe dëshpërimit me partitë aktuale.
Qeveria e vjetër-e re, duhet me shumë kujdes të kalibroj programin qeverisës dhe përtej euforisë së fushatës zgjedhore të jetë realiste me premtimet, të paktën tani që e ka fituar pushtetin. Botën e pret një vit i vështirë për të përmbyllur pandeminë dhe pastaj për të shëruar plagët e saja. Me të edhe Maqedonia e Veriut hyn në një periudhë të vështirë ekonomike dhe rrjedhimisht shoqërore, prandaj proceset e lartpërmendura mund të marrin përmasa edhe më të mëdha nëse nuk kanë trajtim adekuat përmes qasjes serioze dhe realiste nga qeveria dhe kjo nuk mund të vijë vetëm përmes vullnetit deklarativ.