E diel, 22 Qershor, 2025

Shënime për romanin “Anja” të Ahmet Prençit…

  • Ligjërime  të tilla si “Spërkatja e themeleve me gjak glorifikonte simbolikën e sakrificës njerëzore për shpirtin hyjnor”, apo se “Kullat ishin parzmoret e gurta të fshatit përballë luftrave qindravjeçare” dëshmojnë për një autor që njeh mirë historinë dhe traditën e vendlindjes së tij

Autor: Halil RAMA

Nëse, sipas shkrimtarit të mirënjohur Besnik Mustafaj, me vëllimin poetik të vitit 2016, “Udhë në pasqyrë”, poeti Ahmet Prençi” erdhi me një lloj tradite që ka letërsia shqipe, me romanin e tij të sapobotuar “ANJA” ai sjell risi në botën letrare, duke befasuar lexuesin e shumtë të tij. Kjo, jo vetëm për subjektin tepër interesant por dhe për gjuhën e pasur e mjetet shprehëse në karakterizimin e dy personazheve kryesorë të romanit, Anton Hila dhe Anja Steve: I pari, besnik i parimit për ta ngrysur jetën në vetminë e tij, ndërsa e dyta, një krijesë e magjishme franko-shqiptare që sjell pak Paris në Drinas, nga ku ngjizet dhe trashëgimtari i tyre me emrin e bukur ARBËR. Kësisoj, “Anja” është një risi në prozën e sotme shqipe, qoftë si subjekt dhe për karakterin e ndërthurjen e personazheve. Se në fund të fundit, edhe Antoni, i cili pas disfatës në dashuri në rininë e tij të herëshme, dhe që në mezin e moshës, kërkonte vetmi të përherëshme, më në fund e ka trashëgimtarin e tij.

Kështu, mesazhi që përcjell Ahmet Prençi tek lexuesi është ai i ripërtëritjes së jetës. Për këtë ai përdor magjinë dhe forma tjera të mbinatyrshme si element parësor të përmbajtjes, temës dhe vendosjes së personazheve,.

Një dashuri me “nekrologji” të parashkruar

Si prolog të ngjarjeve të romanit “ANJA” autori vendos disfatën e inxhinierit të talentuar Anton Hila në dashurinë për studenten e fizikës, vajzë e një aktori të famshëm, si dhe dy të rinjtë që e kishin përjetuar shumë keq diktatin prindëror të kësaj ndarjeje.

Ndonëse Eli mbeti në mendjen e tij, ashtu e re, e bukur, bjondina dhe elegantja simpatike e shkollës, Antoni, kurrë më, pas saj, megjithë disa flirtime rastësore me femra, nuk mendoi të krijonte familje me ndonjërën prej tyre. Autori e profilizon Anton Hilën, si një enigmë njerëzore mes atij pejsazhi të magjishëm, apo si “një tip i mistershëm”, në rrjedhën e ngjarjeve në vitet që kalonin, e kur secili prej tyre (Ai dhe ish – e dashura studente) udhëtonte me pasaportën e vet shpirtërore.

Si djalë i kulturuar dhe bukurosh, aventurat e dashurisë me vajza të bukura ishin një pjesë romantike e jetës së Antonit, ku drama dhe melodrama nuk kuptohen si gjini letrare, por si realitete pagjumësie të bukur…

Për ta bërë sa më bindës këtë personazh autori fantazon deri skena për tentativë vetëvraseje pas dështimit me Elin, duke i nxjerrë përpara lokomotivës së trenit, lypësin, që pasi i jep dhjetëlekëshin, i rrëfen dramën e tij të dashurisë…, e megjithatë ai e donte jetën.

Kësisoj gjejmë në këtë roman portretizime e përshkrime brilante të ngjarjeve e rrethanave, të përjetimeve të dashurisë së dëlirë, por dhe të përjetimeve dramatike, deri sa tek Anton Hila shfaqet franko-shqiptarja Anja Steve, (me nënë shqiptare e me baba francez).

Të skeduara e përshkruara si rrëfime ngjarjesh e episodesh prej më shumë se tri dekadash, autori Prençi, sjell mjeshtërisht realitetin e qytetit të Drinasit ku po ndërtohej një vepër e rëndësishme energjitike, drejtues teknik i së cilës ishte inxhineri Anton Hila (ashtu si edhe peisazhin mahnitës të fshatit ku ai ka ndërtuar vilën e ku po kalonte vitet e fundit të jetës së tij).

Duke perifrazuar autorin Prençi: “Ndonjëherë në jetë, një takim krejt i rastësishëm mund të shndrrohet në ngjarje të rëndësishme, në një pikë kthese të jetës tënde, e cila mund të ndryshojë gjithçka…”. Kështu ndodh edhe me personazhet e këtij romani. Anja që ka ardhur për pushime në qytetin e vendlindjes së nënës së saj “brenda vetes, me instiktet e një princeshe pa oborr mbretëror, ndjente shpalljen e  një sfide për princin e panjohur”. Ndërsa Antoni, ndonëse vetmitar i deklaruar, trajtohet në roman si “Mbreti në rrjetë”.

Nëse për Antonin, dështimi në dashurinë e parë kishte mbyllur shtigjet e një lidhje tjetër afatgjatë, tek Anja, dashuria me Mishelin, të cilit i kishte falur virgjërinë, i përkiste së kaluarës, që nuk duhej bërë pengesë për të ardhen (Ajo qe një ndjenjë e konsumuar dhe e “arkivuar” në muzeun e harresës), për Antonin, ajo erdhi krejt rastësisht si krijesë e magjishme e zbritur nga qielli, enkas për një vetmitar si ai…. Pikërisht, Ai që e kishte konsideruar martesën si burgun shpirtëror që kishte krijuar me vullnetin e vet njerëzimi përmes normave, parimeve, moralit, institucioneve, feve deri dhe tek gjykatat…me Anjën “ra brenda”, si i thonë. Dhe në këtë rast, autori fantazon aq bukur saqë sipas tij: “Po të kishte patur rastin Klinton të njihte bukurinë franko-shqiptare, të ngjizur aq magjishëm tek Anja, ai me siguri do të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i lartë, duke divorcuar edhe vetë Hilarin, për t’u martuar me Anjën”… Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, kur autori Prençi na paraqet në portretin e Anjës vajzën ku ishin bërë bashkë të gjitha: inteligjenca, pasioni, bukuria dhe sinqeriteti.

Ndërsa Anja kërkonte pak Paris në Drinas…., për Antonin, tashmë në mesin e malit të moshës, (që për më optimistët konsiderohet mosha 50-vjeçare), ndërmarrja e një lidhje serioze dhe afatgjatë me një femër, duket si një ftesë për ecje alpine…. Kësisoj, Ahmet Prençi me romanin e tij na afron shumë pranë me personazhet. Ai i përgatit ato për një ngjarje të madhe dhe, sa më pranë saj janë ato, aq më i rreptë është sprovimi i tyre dhe më dramatik përcaktimi.

Ndërsa gjatë atij përjetimi magjik gjatë pesë ditëve në Drinas dhe në plazhin e qytetit bregdetar i ishte shprehur vajzës franko-shqiptare se: “Ti je një krijesë e magjishme Anja! Të dërgoi Zoti tek unë për të më thënë se unë jetoj, se mund të dashuroj përsëri. Ti më binde se jam në gjendje të dua përsëri….”, largimi i saj për në Francë, pa i thënë “lamtumirë”, do të ishte, siç e shtjellon më tej autori: “Një dashuri me ‘nekrologji’ të parashkruar”.

Teksa syrin e brendshëm të mendjes e qarkullonte hera-herës në pyllin e kujtimeve, përfytyrimeve dhe vizioneve për të nesërmen, Anja ia kishte trazuar Antonit psikikën dhe prishur krejt ritmin e  përditshmërisë…

LETRAT E ANJËS SI RISI NË PROZËN E AHMET PRENÇIT

Mesazhin e ripërtëritjes së jetës autori Ahmet Prençi e përcjell aq bukur nëpërmjet letrave të Anjës, që vijnë në sintezë me dashurinë e saj të zjarrtë për Anton Hilën. Janë letra që përshkruajnë dashurinë e zjarrtë dhe përbetimin e saj për të rritur e vetme trashëgimtarin e ngjizur në Shqipëri, të pagëzuar me emrin Arbër. Pa patur pranë atë që e konsideronte “vetmitarin e përjetshëm”, që e dashuroi dhe e dashuronte marrëzisht. Dhe në këtë kontekst autori shtjellon mjeshtërisht filozofinë e tij se “Gjithë dramat e kanë në gjenezën e vet dashurinë e verbër”. Siç del në këtë roman befasues, “pa Anjën, inxhineri Anton Hila, ishte uji apo vepra e betontë…Për aq ditë sa ndenjën bashkë, ajo paskësh kaluar nëpër të, nëpër këtë turbinë njerëzore, si një lëng magjik jete, si një erë me oksigjen përtëritës. Kështu,  Ahmet Prençi, si një arkitekt i vërtetë ligjërimesh të këndshme, ndërthur dy linjat që të çojnë tek një roman shumë i arrirë dhe mjaft tërheqës për lexuesin. Nëpërmjet një procesi të gjatë e të nderlikuar krijues, ai dëshmon aftësinë për të treguar realitete të perceptuara dhe përjetime si realizim artistik në romanin “ANJA”.

Të kesh respekt për kohën, është respekt për veten

 

Të fundit