E hënë, 19 Maj, 2025

UASHINGTON: MË DY SHTATOR TAKIMI KOSOVË-SERBI

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka bërë të ditur se liderë të Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Uashington më 2 shtator për bisedime. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri Kosovar, Avdullah Hoti e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në Twitter, por nuk dha hollësi të tjera, ndërkohë që në Prishtinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryeministri Avdullah Hoti  kanë mirëpritur takimin:

‘Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për përkushtimin e jashtëzakonshëm për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon’- ka shkruar presidenti Thaçi në facebook, ndërkohë që kryeministri Hoti, duke konfimuar pjesëmarrjen la të kuptohet se Kosova e Serbia, si dy vende të pavaruara, ka thënë ai do të diskutojnë ‘për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq ka deklaruar se Beogradi do t ë marrë pjesë në bisedimet e dy shtatorit në Shtëpinë e Bardhë duke nënvizuar se ‘Serbia nuk është në pozicion që të refuzojë bisedime. Edhe Vuçiq ka pohuar se tema të takimit do të jenë çështje ekonomike.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell ishte planifikuar fillimisht për më 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ndërkohë, muajin e kaluar kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet në shtator.

Gjatë një vizite kohët e fundit në Uashington, sikurse njofton Zëri i Amerikës, bashkërenduesi i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni tha për Zërin e Amerikës se Prishtina e sheh rolin e Shteteve të Bashkuara në bisedimet Kosovë-Serbi si të pazëvendësueshëm.

Të fundit