Pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, MO u shëndërrua në instrument partiak, mbi të gjitha për BDI-në, që sot rrezikon t’i dëmtoj vetë shqiptarët dhe organizimin e tyre politik, shoqëror dhe mbi të gjitha intelektualizmit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Autor: Sefer Selimi Jr.
Diskriminimi sistematik shtetëror ndaj shqiptarëve të Maqedonisë nxiti konfliktin e vitit 2001, një kthesë historike që erdhi me pasoja njerëzore dhe materiale për të gjithë qytetarët e shtetit. Përfundimi i këtij konflikti u negociua nga shtetet euroatlantike me palët e përfshira, gjegjësisht mes shqiptarëve dhe maqedonasve të përfaqësuar nga partitë e tyre politike nën patronatin e Kryetarit të shtetit e që rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit, të nënshkruar si sot para 19 vitesh. Kjo marrëveshje kornizë sublimoi pjesën më të madhe të kërkesave politike të shqiptarëve, të cilat ndër vite ishin parashtruar nga politikanët, intelektualët dhe qytetarët përmes formave të ndryshme të veprimit politik, përfshirë edhe protestat paqësore të cilat shpesh herë përfundonin me dhunë policore për shtypjen e tyre.
Transformimi politik dhe social i shqiptarëve pas Marrëveshjes së Ohrit (MO)është i pamohueshëm por i pamjaftueshëm. Pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, MO u shëndërrua në instrument partiak, mbi të gjitha për BDI-në, që sot rrezikon t’i dëmtoj vetë shqiptarët dhe organizimin e tyre politik, shoqëror dhe mbi të gjitha intelektualizmit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Fokusimi i tërësishëm në kuantitet dhe simbolikë pa çarë kokën për kualitetin dhe efektet reale afatgjate është bërë modus operandi dhe mentalitet i politikbërjes. Veprimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë sot është arkaik dhe improvizues, pa strategji afatgjate të bazuar në analiza të shëndosha që kanë bazë nëfilozofi politike moderne, që janë në përputhje me sfidat e të sotmes dhe sfidat reale të së nesërmes. Vizioni politik i partive shqiptare ende nuk ka kaluar përtej politikës indentitare, viktimizimit, fajësimit dhe përtej Maqedonisë perëndimore.
Sot përfaqësimi i shqiptarëve në institucione është dhjetëfishuar, por brenda këtij përfaqësimi dominon kuantiteti kundrejt kualitetit. Në një institucion publik mund të gjesh shumë shqiptar por pak prej tyre që mund të kryejnë punë, e aq më pak prej tyre që kanë në dorë të sjellin vendime. Sot në krye të institucioneve, agjencive e ndërmarrjeve publike ka shumë shqiptarë, por pak prej tyre janë në atë pozitë për shkak të meritave profesionale, e aq më pak të udhëhequr nga dëshira për shërbim publik. Sot vlerë ka rangimi në listat e punësimit të partisë dhe jo rangimi në konkursin publik.Në arsim, shëndetësi, kulturë e gjithëkah tjetër politika dhe militantizmi partiak janë shpërndarë si tentakula që i zënë frymën zhvillimit intelektual dhe ekselencës për t’i lënë vendin mediokritetit. Sot protagonist dhe modele shoqërore nuk janë intelektualët, qytetarët e ndershëm dhe punëtor por të fortët e partisë në lagje dhe qytet. Bota nuk rrotullohet rreth mendimit të shëndoshë por forcës politike dhe qasjes në parti.
Sakrifica, puna dhe flijimi i shumë gjeneratave deri tek jetët e flijuara në konfliktin e 2001-shit për të ardhur në momentin historik të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të kthehet në një dokument që shërben vetëm për punësime partiake dhe gjenerator votash në zgjedhje. Implementimi i saj ‘’në frymë e në germë’’ shkon përtej numrave dhe përqindjes. Nderin më të madh që partitë politike shqiptare, e posaçërisht BDI, mund t’ua bëjnë shqiptarëve është që Marrëveshjen e Ohrit ta nxjerrin nga retorika politike dhe ta fusin në veprimin e tyre politik. Sot për një 19 vjeçar/e është shumë më i/e rëndësishme perspektiva dhe kualiteti i jetës që duhet të jetë reflektim edhe i MO-së, një dokument që me shumë gjasë as që e ka lexuar ndonjëherë, ashtu si shumë ‘’politikanë’’ që nuk e nxjerrin prej goje sa herë që duhet të arsyetojnë punën e tyre.