E martë, 13 Maj, 2025

GJËMË PASZGJEDHORE: PËRSE KËSHTU, MORE SHOKË?

Në teori, qëndrimi i shumicës është përherë më afër interesave të tërësisë. Së këndejmi, shumica relative pas zgjedhjeve të 15 korrikut na i dha këto gjëmë të cilat politikanët sedërsëmurë kurrsesi t’i tejkalojnë. Për më tepër, na dolën edhe të ashtuquajturit ‘shitës të mjegullës’ me ambicie për të na treguar se ku ndahet e ku puqet nacionalja me nacionalisten! Kur është fjala për komunikimin e ndërsjellë, dorën në zemër, në ‘sallatën maqedone’ epërsia i përket palës shqiptare: nuk i duhet përkthyes për të kuptuar se çfarë mendon ‘pala tjetër’, madje edhe kur nga atje klithet ‘kombin e kemi në rrezik’, u mor vesh – për shkak të ‘kthetrave të shqiponjës’! Jo për shkak të Marrëveshjes së Prespës, jo për shkak të Traktatit me Bullgarinë, por pikërisht për shkak të ‘kthetrave të shqiponjës’!

 

Shkruan: Seladin Xhezairi

 

Assesi t’i kuptoj socialdemokratët tanë, si parti, por as tajfën e gazetarëve të tyre, të cilët me të gjitha mjetet dhe në të dyja gjuhët, në të gjitha ‘mediumet e tyre’ po përçapen (në vlugun e negociatave për krijimin e shumicës parlamentare) të na mbushin mend se gjithçkaje që vjen nga pala shqiptare, saktësisht nga BDI, i bie era hudhër! Deri tash po tregohen shterpe të gjitha përpjekjet që ta kuptojnë e ta shohin vlerën e saj shëruese për shëndetin e përgjithshëm! Këta të merakosurit fryjnë e fryjnë se ‘kombin e kemi në rrezik’ – jo për shkak të Marrëveshjes së Prespës, jo për shkak të Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë fqinje, por pikërisht për shkak të Ligjit për Gjuhët, në fillim, dhe tash – për shkak të këmbënguljes së BDI-së që – Naser Zyberi të jetë kryeministër!

Përse vallë gjithë ky alarm kur, fjala vjen, lideri i integristëve Ali Ahmeti është ndër politikanët e rrallë shqiptarë, në mos edhe i vetmi, që botërisht e ka treguar loajalitetin e tij ndaj këtij shteti duke deklaruar se atij i takon Maqedonia njësoj sa edhe të gjithë liderëve të tjerë maqedonas?! Çfarë na qenka ky nacionalizëm i Ahmetit nëse mundohet t’i mishërojë të drejtat dhe përgjegjësitë e bashkëkombasve të tij, duke u angazhuar së fundmi që një shqiptar të jetë, qoftë edhe për pak kohë, në majën e piramidës së pushtetit?

Të merremi vesh: do të ishte nacionalizëm nëse para dhe pas zgjedhjeve do të kishte ndonjë angazhim ose kërkesë që del jashtë rendit kushtetues të këtij vendi. Gjykoj se është nacionalizëm i kulluar zvarritja e zgjidhjes së të ashtuquajturës aritmetikë elektorale: njësitë zgjedhore dallojnë njëra nga tjetra për nga numri i votuesve, ndonëse secila prej tyre jepë nga 20 deputetë. Me „gerimandering“-un amerikan, me gjasë, janë dakord edhe LSDM-ja edhe VMRO-DPMNE-ja për shkak se kanë qar në dëm të partive shqiptare, por kjo është punë e tyre! A nuk është nacionalizëm turpi e mbase edhe frika që shqiptarët të mos përmenden në Kushtetutë, por të figurojnë vetëm si përqindje?

Shi për këtë, koncepti ‘një shoqëri për të gjithë’ ka për t’u bërë i prekshëm vetëm atëherë kur do të zbatohet dhe respektohet parimi i barazisë dhe barabarësisë politike! Gjithçka tjetër është politikanizëm!

Të fundit