E martë, 25 Mars, 2025

Hesapi dhe pazari i Zoran Zaevit

E dyta herë që e sulmon Ahmetin për ta dërguar në opozitë, por në të njëjtën kohë e dyta herë që varet nga ai nëse do të jetë kryeministër. Por, në këtë rast duket se hendeku është më i thellë, më i pakalueshëm për të dy: Zaevi do ta humbiste seriozitetin si politikan, i cili me gjithë qenien e tij garantoi se nuk do të bëjë koalicion më me BDI-në, ndërkaq Ahmeti po ashtu do ta humbiste përkrahjen nëse sërish do ta bëjë kryeministër Zaevin, aq më tepër kur në fushatë pati promovuar Naser Zyberin për kandidat për kreun e qeverisë.

 

Autor: Xhelal NEZIRI

 

Kur në tetor të vitit 2019 Këshilli Evropian nuk e miratoi rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev kërkoi zgjedhje të parakohshme. E dinte se në këtë formë do të bëjë borxhlinj diplomatët e huaj, të cilët e kishin bindur ta pranojë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë me qëllim që vendi të futet në shiritin e shpejtë të integrimit në Bashkimin Evropian (BE) si dhe për shpejt kohë të jetë anëtare fuqiplotë e NATO-s.

Maqedonia e Veriut kishte plotësuar kushtet për t’u bërë pjesë e NATO-s që në vitin 2008, kur ishte paraparë që në Samitin e Bukureshtit të bëhet anëtare e Aleancës bashkë me Shqipërinë dhe Kroacinë. Por, ishte pikërisht vetoja e Greqisë që la vendin jashtë për shkak të kontestimit të emrit të atëhershëm. Shteti helen pretendonte se emri “Maqedoni” është pjesë e historisë së tij dhe se rajoni me kryeqytet Selanikun e mban po atë emër.

Pranimi i Zaevit që ta mbyllë përfundimisht këtë kontest 30-vjeçar, një guxim që u kishte munguar nëntë kryeministrave paraprakë, i solli një famë globale figurës së tij politike. Zhbllokimi i procesit të anëtarësimit në NATO, ndërkaq, i solli rritje të investimeve të huaja në një nivel rekord prej mbi gjashtëqind milionë euro.

Gabimi me zgjedhjet

Megjithatë, vendimi i Brukselit që mos ta përmbushë premtimin që i kishte bërë Shkupit erdhi në një kohë kur procesi formal i pranimit në NATO sapo kishte filluar – protokolli i anëtarësimit duhej të miratohej nga 29 qeveritë ose parlamentet nacionale të vendeve anëtare. Kjo nënkuptonte një periudhë deri më një vit. Një rrjedhë e këtillë e ngjarjeve i dha hapësirë opozitës së udhëhequr nga VMRO-DPMNE që ta akuzojë LSDM-në për ngutje të paarsyeshme në mbylljen e çështjes me Greqinë, pa i dakorduar mirë përfitimet që shteti do t’i merrte nga ky kompromis i madh.

Duke parë trendin e rënies së përkrahjes për LSDM-në, që u verifikua në zgjedhjet presidenciale ku kandidati i saj – presidenti aktual Stevo Pendarovski – në raundin e parë fitoi vetëm 4 mijë vota më shumë sesa kundërkandidatja nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska, Zaevi mendoi se ishte momenti që të shkojë në zgjedhje që t’i fitojë ato para se të ishte vonë. Në krahasim me 2016, kur LSDM kishte fituar rreth 450 mijë vota, tre vite më pas ajo kishte rënë në vetëm 322 mijë. Aferat e njëpasnjëshme korruptive, favoritarizmi i oligarkëve të afërt me parinë, përfshirja e funksionarëve të lartë në zhvatje dhe pandëshkueshmëria e politikanëve të korruptuar, gjithsesi se e kishin zhgënjyer një pjesë të konsiderueshme të mbështetësve. Mungesa e reformave në VMRO-DPMNE, si dhe mospasja në dispozicion të pushtetit, ndërkohë, kishin bërë që edhe kjo parti të bjerë për afër 130 mijë votues.

Zaevi ishte i etur për një mandat plotësues, të pastër dhe pa marrëveshjet e rënda me fqinjët, me qëllim të menaxhimit të përfitimeve nga Perëndimi, që vinin si rezultat i anëtarësimit në strukturat euroatlantike dhe përkrahjes së hapur nga shtete të fuqishme perëndimore, si Gjermania dhe SHBA. Ngutja e tij për zgjedhje kishte të bëjë me frikën nga intensiteti i rënies së shkaktuar nga aferat korruptive dhe mungesa e shpërblimit për kompromisin për emrin e shtetit.

Pas një procesi të gjatë negocimi, liderët e partive politike parlamentare u morën vesh që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbaheshin më 12 prill. Ishin këto zgjedhjet e dhjeta parlamentare që nga pavarësimi i vendit dhe të pestat me radhë të parakohshme. Megjithatë, pandemia COVID-19 i kishte prishur të gjitha agjendat – përhapja e virusit imponoi shtyrjen e zgjedhjeve për një kohë të pacaktuar. Ndërkohë, ishte formuar qeveria teknike në përputhje me Ligjin për qeveri, i cili obligon përfshirje të funksionarëve të opozitës (në këtë rast të VRO-DPMNE-së) dhe vendime me nënshkrime të lidhura tre muaj para se të mbaheshin zgjedhjet. Prolongimi i zgjedhjeve e prolongoi edhe afatin e kësaj qeverie, e cila u formua në janar. Kjo krijoi mosdurim te Zaevi, i cili sërish kërkoi zgjedhje të shpejta, pa marrë parasysh faktin se rastet me COVID-19 kishin arritur shifra alarmante. Kjo kërkesë, kësaj radhe, ishte e bazuar në matjet të cilat kishin treguar një rritje të mbështetjes për qeverinë e tij për tre arsye: e para, menaxhimi solid i krizës shëndetësore dhe efektet e saj në ekonomi; e dyta, përmbyllja e procesit të anëtarësimit në NATO në mars të këtij viti; dhe e treta, vendimi i Këshillit Evropian për nisjen e bisedimeve anëtarësuese me Maqedoninë e Veriut. Këto zgjedhje i dakordoi më 15 korrik, sërish pas negociatave të vështira me partitë e tjera politike.

Duke u bazuar në këto momente të reja, si dhe në analizat dhe anketat e brendshme partiake, Zaev priste që në këto zgjedhje të fitojë më shumë se 50 deputetë. Me këtë numër ai shpresonte se jo vetëm se do të kishte më shumë mandate se VMRO-DPMNE, por nuk do të ishte i varur nga votat BDI-së që ta formojë qeverinë. LSDM-ja ishte e detyruar të formojë koalicion me BDI-në në vitin 2016 për shkak se fitoi 49 deputetë, dy më pak se VMRO-DPMNE, ndërkohë që 10 deputetët e partisë së Ahmetit e përcaktonin se kush do të jetë kryeministri – Zaevi apo ish-lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Rezultatet e zgjedhjeve dëshmuan se Zaevi gaboi që shpejtoi të kërkojë zgjedhje si në tetor të vitit të kaluar, ashtu edhe në qershor të këtij viti. Atë që e fitoi si rezultat zgjedhor është tre deputetë më pak se në 2016, legjitimim të Hristijan Mickovskit si lider i VMRO-DPMNE-së (me 44 deputetë të fituar synon ta ketë legjitimitetin e maqedonasve etnikë pasi katër nga 46 deputetët e LSDM-së janë të BESË-s së Bilall Kasamit), rritje të numrit të deputetëve të BDI-së dhe pamundësi që të formojë qeveri vetëm me opozitën shqiptare të përbërë nga ASH/AAA. Është ky komplikim total i situatës politike që mund të shpie drejt një krize të re politike në një periudhë delikate për Ballkanin.

Gabimi me Ahmetin 

Mungesa e vizionit dhe hesapet kuturu në partinë e Zaevit u panë edhe me deklaratat e tij që gjoja e sulmonin BDI-në, por në fakt përmbanin një etno-centrizëm të hollë. Jo që partitë tjera garuese nuk e përdorën këtë etno-nacionalizmin si kartë, por te LSDM-ja ishte krejtësisht në kundërshtim me konceptin e saj “një shoqëri për të gjithë”. Mbase këshilltarët në parti i kanë thënë se, pas marrjes së BESË-s në koalicion parazgjedhor, shqiptarët brenda LSDM-së kanë një strehë etnike, kurse ata që dëshirojnë t’i bashkëngjiten kanë një kapixhik të hapur.  Kjo ndoshta u mendua se i jep hapësirë kësaj partie të duket më “maqedonase” dhe t’i mbledhë etno-nacionalistët e dëshpëruar nga Mickovski. Sërish një gabim i rëndë, pasi në këtë mënyrë e demotivuan jo vetëm votuesin shqiptar të LSDM-së, por edhe të BESË-s. Së këndejmi, partia e Kasamit nuk arriti që as për së afërmi të grumbullojë votat që i nxori në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019, kur në koalicion me ASH-në garoi me Blerim Rekën si kandidat i përbashkët. Në ato zgjedhje Reka fitoi 80 mijë vota, nga të cilat 20-25 mijë i faturoheshin pikërisht BESË-s.

Gabimi më i madh i Zaevit duket se është armiqësimi me BDI-në, parti e cila e bëri kryeministër në 2016 (bashkë me 3 deputetët e ASH-së) i ndihmoi t’i fitojë zgjedhjet lokale në disa komuna me përbërje të përzier etnike në vitin 2017 dhe e bëri president shteti kandidatin e saj, Stevo Pendarovski. Me përjashtimin e koalicionit me BDI-në gjatë fushatës, madje edhe me çmimin që të shkojë në opozitë, Zaevi e ka zvogëluar në minimum kapacitetin koalicionues të partisë që ai drejton. Ai nuk gëzon besim as te ASH-ja e ZiadinSelës, së cilës me rikonstruktimin e parë të qeverisë në vitin 2017 – vetëm disa muaj pasi edhe 3 deputetët e kësaj partie e kishin bërë kryeministër – ai ua mori Ministrinë e Shëndetësisë, duke ua treguar kështu derën jashtë qeverisë, pasi ndërkohë kishe siguruar “transfer” të 3 deputetëve nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së.

Edhe në vitin 2016, në kuadër të projektit “E vërteta për Maqedoninë”, Zaevi kishte publikuar mjaft përgjime për BDI-në, pjesa më e madhe private dhe pa kurrfarë pikëpjekje me interesin publik, duke ia përgjysmuar kështu votat kësaj partie. Ashtu si pas zgjedhjeve të atëhershme, edhe në këtë rast, ai do të duhet të ulet e të bisedojë me Ahmetin për formimin e qeverisë. E dyta herë që e sulmon Ahmetin për ta dërguar në opozitë, por në të njëjtën kohë e dyta herë që varet nga ai nëse do të jetë kryeministër.

Por, në këtë rast duket se hendeku është më i thellë, më i pakalueshëm për të dy: Zaevi do ta humbiste seriozitetin si politikan, i cili me gjithë qenien e tij garantoi se nuk do të bëjë koalicion më me BDI-në, ndërkaq Ahmeti po ashtu do ta humbiste përkrahjen nëse sërish do ta bëjë kryeministër Zaevin, aq më tepër kur në fushatë pati promovuar Naser Zyberin për kandidat për kreun e qeverisë. Përveç kësaj, një pengesë shtesë është edhe përgjimi që doli gjatë fushatës, ku Zaevi thotë se “votat e shqiptarëve nuk vlejnë në pazarin politik as 5 banka”, që më pas në një status në Facebook “ta sqarojë” se e ka pasur për votuesit e BDI-së.

Alternativa e Zaevit është opozita shqiptare dhe së paku 3 deputetë, që do “t’i transferonte” nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së. Kjo do ta vuloste botëkuptimin e Zaevit për demokracinë si një pazar të madh zarzavatesh, ku matet vlera e votës së shqiptarëve dhe duhet çmimi i një deputeti. Është ky një akt që do ta rrënonte edhe më shumë besimin në demokraci të qytetarëve, i cili edhe ashtu nuk rezultoi i kënaqshëm në zgjedhjet e fundit.

Të gjitha këto gabime të rënda politike, që nga hesapi i gabuar, që nuk i doli në zgjedhje, rrënimi i konceptit “Shoqëri për të gjithë” me etno-centrizmin e tërthortë, e deri te ulja e kapacitetit koalicionues me partitë shqiptare – tash ose së shpejti – do t’i vë pikë karrierës së tij politike, e cila para pesë viteve dukej aq e shkëlqyer.

 

Teksti është shkruar për Revistën SHENJA

Të fundit