Ambasada amerikane në Tiranë u shpreh sot “e keqardhur” që ndryshimet kushtetuese nuk u miratuan “në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit”, pavarësisht faktit se “vendimi ishte në kompetencën e Parlamentit”, theksohet në një deklaratë të selisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara, njofton VOA. Ajo i kujtoi shumicës “deklaratat e saj se, megjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet”.
Thuajse të njejtat fjalë, ambasada amerikane i kishte përdorur dhe dje, në një tjetër deklaratë të saj, ku saktësonte gjithashtu se “ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre”. Sot, duke cituar pikërisht këtë fjali, kryeministri Edi Rama tha në parlament se “nuk më vjen mirë. Nuk më vjen mirë jo vetëm për veten time, por për të gjithë ne. Ajo fjali është një arsye për çdo person në këtë vend, që kur merr përsipër të përfaqësojë popullin e vet në këtë sallë, apo në çdo rang përfaqësimi, të mos e bëjë qesharak popullin e vet, vendin e vet, shtetin e vet, sepse e kemi krijuar ne, këtë trashëgimi të ulët, e cila është vazhdim i një historie të gjatë moskuptimesh mes shqiptarëve që kanë çuar shqiptarët në situata të pajustifikueshme. Dhe që nuk e kanë lënë këtë vend të bekuar të bëhet ai që zoti ka krijuar me buajri të madhe duke i dhënë të gjitha ato që duhet që populli të jetojë me dinjitet”, tha ai duke theksuar se “këtu, sot, kjo votë është një votë me dinjitet. Eshtë vendimmarrja jonë, tërësisht e përputhur me standartet ndërkombëtare”.
Por dhe në deklaratën e sotme ambasada amerikane rithekson të njejtën gjë ashtu si dhe një ditë më parë. “Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar”, theksohet në deklaratë.
Selia diplomatike e SHBA-ve komentoi dhe qëndrimin e opozitës jashtë parlamentare. “Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve”, thekson deklarata.
Në Shqipëri, parlamenti votoi sot në favor të ndryshimeve kushtetuese të cilat prekin elementë të rëndësishëm të procesit zgjedhor, duke hapur listat dhe duke shmangur organizimin e koalicioneve parazgjedhore në mënyrën se si ato kanë funksionuar deri tani. Nisma u votua nga 106 deputetë. Kryeministri Edi Rama deklaroi sërish se ky është një vendim sovran i parlamentit, të cilin nuk ka pse ta ndajë me ambasadorët e huaj në Tiranë. Opozita jashtëparlamentare e ka kundërshtuar me forcë dhe sot deklaroi se ky akt i njëanshëm nuk është i detyrueshëm për të dhe as për qytetarët. Ndërsa Komisioni europian u shpreh i keqardhur që nuk ju dha kohë mundësisë për gjetjen e konsensusit mes palëve
Nisma për ndryshimet kushtetuese u nxit nga përfaqësuesit e opozitës parlamentare të cilët e kthyen çështjen e listave të hapura në një kalë të betejës së tyre në sallën e parlamentit. Të gjendur në mënyrë të përsëritur nën akuzë se thyen vendimin e partive të tyre mëma për bojkot, ata e cilësuan vendimin e sotëm si një fitore tyren
“Ne që na nënqeshën, ne të cilëve nuk lanë gjë pa na thënë në çdo studio, erdhëm në një seancë të 30 korrikut të 2020-ës, mund të na shajnë dhe 6 muaj të tjerë, por do të mbahet mend që u hoqëm nga fyti shqiptarëve, lakun e kapove të partive dhe shqiptarët do të kenë të drejtën e tyre të ndëshkojnë me votë në kutinë e votimit në 2021, çdo klloun, çdo hajdut tenderash, çdo njeri që ka abuzuar me pushtetin”, deklaroi Myslym Murrizi, kryetar i grupit demokrat.
Partia socialiste e mbështeti idenë e listave të hapura papritur, vetëm pak javë më parë duke këmbëngulur më pas më forcë në mbrojtje të saj. Duke folur sot në sallën e parlamentit, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk po preket sistemi zgjedhor, dhe se ndryshimet kushtetutese lënë hapësirë për një hapje të plotë të listave.
Megjithatë ai e ndërtoi fjalën e tij më tepër si një përgjigje ndaj trysnisë së vazhdueshme të parterëve ndërkombëtarë, për një konsensus dhe me opozitën jashtëparlamentare. Për kryeministrin Rama, ky ishte një vendim i një parlamenti dhe një qeverie sovrane. “Miqtë dhe partnerët tanë duhet ta dëgjojnë mirë se ky është vendim i parlamentit të Republikës së Shqipërisë dhe i takon shtetit shqiptar të vendosë përmes parlamentit të vet, se çfarë bën me sistemin zgjedhor. Nuk është një zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadoren amerikane, as me ambasadorin e Bashkimit europian, dhe me askënd tjetër, duke i respektuar ata maksimalisht”, deklaroi zoti Rama.
Në reagimin pas votimit të sotëm zëdhënësja e Komisionit europian Ana Pisonero, në një status në Twitter u shpreh se “ndërsa Komisioni njeh miratimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese, është për të ardhur keq që nuk ju dha më shumë kohë fazës përgatitore për të gjetur konsensusin mes palëve në Këshillin politik”.
Ajo shpjegoi më tej se “me miratimin e Marrëveshjes së 5 qershorit u përmbush kushti I vendosur për hapjen e bisedimeve”, dhe se tani, “ndërhyrjet e tjera në Kodin zgjedhor që do duhet të reflektojnë ndryshimet kushtetuese, në vecanti listat e hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen në mënyrën e duhur me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik, në frymë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse përpara se të votohen”.
Opozita jashtëparlamentare i ka kundërshtuar haptazi ndryshimet kushtetuese, duke i cilësuar ato si një ndërhyrje të njëanshme. Javën e shkuar, partitë kryesore të opozitës, u deklaruan në favor të hapjes së listave 100 përqind, por mos prekjen e mënyrës së organizimit të koalicioneve.
Sipas zotit Rama, me ndryshimet kushtetuese, koalicionet nuk mund të organizohen në formën që kanë qenë deri më tani, por nuk ndalohen. “Ne nuk po heqim të drejtën për t’u bashkuar Luli me Monën. Ne nuk kemi asnjë interes për të ndërhyrë te ai çift. Ai çift ne na duhet bashkë. Dhe duke patur Lulin me Monën bashkë, kemi dhe Baba Xhiken bashkë, kemi dhe atë dixhitalin e Lalzit. Dhe e kemi gati bandën e të katërve që do t’ua tregojmë shqiptarëve mirë”, u shpreh zoti Rama.
Pas votimit të parlamentit drejtuesit e opozitës së Bashkuar reaguan duke folur për makinacione të kryeministrit në përpjekje për të ndalur rotacionin politik. “Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët. Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret. Makinacionet e kryeministrit në ikje, që ka frikë të përballet me qytetarët, nuk kanë për ta ndalur rotacionin politik. Ndryshimi është i pashmangshëm”, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ndërsa në krah kishte aleatët e tij.
Kryeministri Rama u kundër përgjigj në Twitter, duke shkruar se opozita duhet të ulet mëenjëherë me PS-në dhe opozitën parlamentare “për të punuar për reflektimin në Ligjin Zgjedhor të risive kushtetuese! Ato s’janë më projekt, po pjesë e Ligjit Themeltar të Republikës sonë dhe janë të detyrueshme për të gjithë ne, pa dallim! Prandaj në punë. S’ka kohë për të humbur. Puna duhet të fillojë nesër. Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100 përqind është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese tnë këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë!”, shkruajti kryeministri.
Edhe presidenti Ilir Meta e konsideroi vendimin e sotëm të parlamentit një akt “antikushtetues dhe të papranueshëm“, i cili sipas tij “hodhi përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë“.
Nuk vonoi dhe për të përgjigja e zotit Rama. Ndërsa vuri në dukje se dhe Komisioni i Venecias e ka cilësuar “një shkelës recidiv të Kushtetutës”, ai theksoi se “siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin!”.