Për të provuar e sprovuar diçka duhen eksperimente: Mbaj mend kur në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur në Kosovë nisi shpërrbërja e ish-Jugosllavisë, e kur më pas i madhi Ibrahim Rugova me shokë i tha jo daljes në zgjedhjet e Serbisë, që atëherë e deri në Konferencën e Rambujesë, Milosheviqi dha e mori, bëri e ç’nuk bëri, krijoi partiçka e partiçka e besa edhe e instaloi atë togfjalëshin e njohur për ‘shqiptarët e ndershëm’, por gjithçka i shkoi huq. Rreth dyzet vjet më pas, këtu ndër ne, po tentohet diçka e përafërt, për katapultimin e ‘shqiptarit të ndershëm’ në këtë ‘shoqërinë për të gjithë’, duke u përpëlitur t’na e mbushin mendjen për parajsën e një ‘rrobaqepësi’ që pret me të parën. Të njëjtët mbase do na dalin edhe me ndonjë projektligj, sikurse do të thoshte miku im i ndjerë Abdurrahman Aliti – Për synetinë! Për të pështirë!
Autor: Seladin Xhezairi
Të ikësh nga shiu e të biesh në breshër është keq. Ndjehesh akoma më keq kur të dalin edhe magjistarë e mercenarë për të të mbushur mendjen për atë që edhe vet e dinë se nuk pin ujë! Po e ndiqja të premten një intervistë për një televizion të Tiranës të një Këshilltari të ish-kryeministrit Zaev i cili krekosej përpara një kolegut tim me dellin e një poligloti në funksion të amortizimit të deklaratës së kryesocialdemokratit maqedonas se ‘shqiptarët nuk bëjnë pesë pare’. Këshilltari, deri dje i pari i një institucioni ‘paralel’ të biznesmenëve shqiptarë, pa një, pa dy, tha se nuk e paska thënë për ne, por për BDI-në! Heej, mund ta duam, mundet edhe të mos e duam, t’ia kemi inatin, të bisedojmë shtruar për atë që nuk e ka bërë e ka mundur ta bëj, ama të thuash ‘nuk e ka pasur me shqiptarët’, po me një parti, është të mos kesh as logjikën ekonomike e lëre më politike, e lëre më kombëtare, se në momentin që po flasim, e njëjta i ka hiq më pak se 100 mijë vota!
E di se edhe në rastin konkret kemi të bëjmë me atë të njohurën se ‘emri i këshilltarit dihet, por puna jo’ (për bandillin thuhet e kundërta!), por kur ‘jeniçerët’ dhe kalemxhinjtë e rinj përçapen, në të dy gjuhët, të na e mbushin mendjen se çfarë është mashtrim elektoral e çfarë jo, ndërkohë që zgjedhjet i kemi lënë pas, përtej konfliktit të interesave, duhet të na ofrojnë analiza paksa më të thella, s’po them llogaridhënie ‘post festum’, për atë se çfarë kanë bërë në ‘vaktin’ e tyre. Sepse, ders edhe mund t’i shitet brezit të ri, ama jo dhe ne më të vjetërve, sidomos jo sot në kohën e internetit!
Të na e thonë, jo në rastin tonë, por të ndonjë vendi tjetër, qoftë edhe afrikan, përse zgjasin shumë negociatat paszgjedhore kur verdikti i votuesve prodhon një raport të përafërt forcash me këtë tonin…Dhe, që të sqarojë ndonjë dilemë eventuale: gjykoj se o tani o kurrë lidershipi shqiptar në Maqedoninë e Veriut duhet të ndërtojë një qëndrim për një pozicionim më të qartë, përtej shpjegimeve ‘i thirra, më thirri, i thash e më tha’!
Të mos e zgjas: Gjithçka me karar, sepse tepria të bën zarar, njësoj si dhe mllefet e teket. Është burrërore të mbrohet një kauzë, kur kjo bëhet me argumente, qofshin ato shkencore apo edhe ekonomiko-financiare, ama të hedhësh gur’e dru, me përpëlitje të pështira, këto janë veprime burracakësh. Është – të mendosh allaturka e jo allafranga! Kështu si e kanë nisur, nuk është çudi që nesër, për instalimin me dekret të ‘një shoqërie për të gjithë’, këta ‘burra’ të fusin në procedurë parlamentare edhe ndonjë ligj të synetisë, sepse kështu do të ishim të gjithë të barabartë, në mesin e të barabartëve dhe, pse jo, do të peshonim e vlenim njësoj! Dua të them: më shumë se pesë pare!