E enjte, 12 Shtator, 2024

Trauma ballkanike të vitit 2020

Mbi prejardhjen e familjes mbretërore serbe, origjinën e nënës së Skënderbeut, Migjenin si uragan të letërsisë shqipe, shumësinë e identiteteve të Eqrem Bej Vlorës dhe kacafytjet shqiptaro-serbe për historinë në vitin 2020.

I.

Çka është trauma ballkanike? Nëse një nacionalisti serb i thua se paraardhësit e familjes mbretërore Karagjorgjeviq mund të kenë origjinë shqiptare. Kush guxon të përmend këtë, menjëherë do të ballafaqohet me fushatën e nacionalistëve serbë të Twitterit. Do të pasojnë menjëherë “analiza të ADN-së”, ku synohet të tregohet se shqiptarët si qenie janë krejt ndryshe nga pjesa tjetër e njerëzimit. Pra, analiza idiotësh që të arritur më të madhe jetësore mund të kenë një profil në Twitter për të bërtitur.

Sa i përket origjinës shqiptare të familjes Karagjorgjeviq: në vitin 1937 në Beograd është botuar libri i Andrija Luburiqit me titullin “Vojvoda Jovan Mršić Klimenta – Karađorđev đed i Plavski Turci (oko 1698)” (në shqip: Vojvoda [kreu i madh] Jovan Mërshiq Klimenta [Kelmendi] – Gjyshi i Karagjorgjes dhe turqit e Plavës [rreth vitit 1698]). Në këtë libër theksohet se familja Karagjorgjeviq ka origjinë shqiptare.

Ditë më parë një ish-politikan malazez postoi në Twitter një fotografi të princit jugosllav (serb) Pavle Karagjorgjeviq, veshur me kostum kombëtar shqiptar, dhe theksoi se njëra nga teoritë është se të parët e Karagjorgjeviqëve mund të kenë qenë shqiptarë nga fisi Kelmendi. Ka edhe fotografi të princit në veshje nacionale sllovene. Me gjasë familja mbretërore jugosllave e ka bërë këtë me qëllim propagandistik: për të treguar se ajo përfaqëson të gjitha etnitë e Mbretërisë serbe, kroate, sllovene. Pas postimit të fotografisë, ish-politikani malazez Lubomir Filipoviq u ballafaqua me sulme të egra politikanësh serbë nga republika serbe e Bosnjës.

II.

Në anën tjetër: si traumatizohen disa nacionalistë shqiptarë? Nëse, për shembull, ata lexojnë se dikush, qoftë ky edhe historian perëndimor, duke u bazuar në burime, thekson se nëna e Skënderbeut ka qenë sllave. Kjo, natyrisht, nuk e bën më pak hero Skënderbeun, vetëm tregon për disa lidhje mes fisnikëve shqiptarë dhe serbë. “Intelektualëve” islamistë shqiptarë, ndërkaq, u pëlqen ta mbitheksojnë prejardhjen e nënës së Skënderbeut, sepse kështu ata duan ta forcojnë identitetin otoman të shqiptarëve dhe Skënderbeun ta paraqesin vetëm si një aleat sllavësh që u bë pengesë e pushtimit osman (islamistët shqiptarë thonë “administrim i lavdërueshëm osman”).

Kjo kastë shqipfolësish që privilegjohet e përkrahet nga pushteti aktual neootoman në Ankara, nuk i përmend gati kurrë lidhjet e Skënderbeut me Italinë dhe vendet e tjera perëndimore. Nuk e përmend kjo kastë faktin që Antonio Vivaldi i ka kushtuar operë Skënderbeut. Sa kompozitorë europianë u kanë kushtuar opera heronjve të tjerë të popujve ballkanikë?

Sipas historianit Oliver Jens Schmitt “në botën perëndimore gjatë shumë shekujve Skënderbeu u bë europiani më i njohur i pjesës lindore. Edhe në shekullin e ’18 Antonio Vivaldi u inspirua nga kjo lavdi për të shkruar një operë. Një përmendore e Skënderbeut, e madhësisë së plotë, ‘sipas proporcioneve të këtij burri dhe e praruar mrekullisht me ar’ stoliste në një vend qendror anijen shtetërore venedikase. Në shekullin e ’17 një autor i portreteve të famshme e lartësonte këtë hero, përballë të cilit dridheshin barbarët para se ai të prekte shpatën. Portretet e Skënderbeut qëndronin të varura në zyrat dhe koleksionet e Habsburgëve në Kështjellën Ambras, të cilët nga fundi i shekullit të ’16 u bënë pronarë edhe të shpatës dhe përkrenares, të cilat me gjasë i takonin heroit”.

Para se islamistët shkombëtarizues shqipfolës të përmendin prejardhjen e nënës së Skënderbeut, do të mund të ballafaqoheshin me faktin se vjehrra e Skënderbeut u prit në Vatikan dhe Venedik me të gjitha nderimet e mundshme shtetërore dhe i biri i saj Konstantin Araniti u bë komandant i Gardës Papnore Zvicerane, e cila u themelua në vitin 1506.

III.

Propagandistët serbë pretendojnë se e kanë “mbrojtur Europën nga islami” me betejën e vitit 1389. Dhe e heshtin faktin se pushtetarët serbë pas vitit 1389 u bënë kryesisht vasal të osmanëve. Të vetmit në Ballkan që i kanë rezistuar më së gjati pushtimit osman kanë qenë shqiptarët. Ky fakt mund t’i zemërojë ndoshta jo vetëm ultranacionalistët serbë, por kjo është e vërteta që në të ardhmen mund të thellohet e argumentohet edhe më mirë me studime të historianëve perëndimorë. Njëkohësisht s’mund të injorohet fakti se gjatë historisë së gjatë të Perandorisë Osmane shqiptarë, serbë, boshnjakë, bullgarë etj. kanë qenë shërbëtorë të devotshëm në pallatet e Stambollit dhe në provincat osmane. Nacionalistët shqiptarë duan ta përshkruajnë periudhën osmane si luftë të pandërprerë 24-orëshe të bijve të shqipes kundër “hordhive barbare anadollake”. Në të njëjtën kohë me shumë qejf përmenden guvernatorët dhe sundimtarët me origjinë shqiptare në Bejrut apo Kajro.

Çfarë të themi për Eqrem Bej Vlorën (1885-1964)? Rridhte nga një familje që pati një kryevezir në Stamboll, u edukua dhe arsimua në Stamboll dhe në gjimnazin elitar vjenez Theresianum, me përkrahjen e Austro-Hungarisë veproi si patriot shqiptar, por më 1908 Eqrem Bej Vlora ishte i dërguar i Sulltanit në hapjen e vijës hekurudhore që lidhte Mekën me Medinën. Fliste persisht, frëngjisht dhe gjermanisht, në Luftën e Dytë Botërore ishte ministër për Kosovën në qeverinë e Mustafa Krujës. Kaq shumë identitete brenda një personi? Po, sepse nuk ka identitete lineare. Domethënë brenda një gjysmëshekulli ka qenë e mundur të jesh: zyrtar osman, patriot shqiptar, properëndimor, antisllav, anëtar i një qeverie të instaluar nga fashizmi italian, pushtimi i të cilit nga shumë shqiptarë të Kosovës u përjetua si çlirim në krahasim me mizoritë serbe.

Paragrafi në vijim mund të befasojë ndonjë lexues, sepse është shkruar nga Ismail Kadare, i cili nuk është i njohur për simpati ndaj Perandorisë Osmane. Para dy dekadave ai në një tekst të shkruar për Këshillin e Europës theksonte: “Otomanët, nga njëra anë, dhe ballkanasit, nga ana tjetër, krijuan dy motërzime të historisë, të dyja të kundërta e fare pak të besueshme. As versioni otoman, sipas të cilit, perandoria i zbuti dhe i kultivoi ballkanasit kokëfortë, e as versioni i këtyre të fundit, sipas të cilit ata paraqiten si popuj martirë, që veç vringëllonin shpatat kundër pushtuesit, nuk i qëndrojnë të vërtetës. Një version i tretë na e jep atë që ka ndodhur. Është e vërtetë se popujt e Ballkanit i bënë qëndresë Perandorisë Otomane, por po aq e vërtetë është se ata u bënë pjesë e kësaj perandorie, pra pjesëtarë në trofetë e saj, në bëmat dhe në krimet e saj. Perandoria Otomane, një nga strukturat ushtarako-shtetërore nga më të plotat që ka njohur historia, nuk mund të kuptohet pa popujt e Ballkanit e të Kaukazit. Ata, më shumë ndoshta se vetë turqit, me të cilët gabimisht identifikohet shpesh kjo perandori, ushqyen me energji e vunë në lëvizje mekanizmat e këtij shteti kolosal”.

IV.

Në botën e nacionalistëve ekziston urrejtja e përhershme mes popujve. Nuk ka vend për ura bashkëpunimi. Nga zanafilla e botës deri më sot ekziston vetëm një rrëfim: ai për kacafytjen e përhershme. Esenciale është pastërtia imagjinare e gjakut. Ka publicistë serbë që Migjenin e quajnë shkrimtar serbo-malazez me emrin Millosh Nikoliq. Skënder Luarasi i ka dhënë përgjigje këtyre dilemave ngaherë: të parët e Migjenit, sipas Luarasit, vinin nga Dibra. Emrat familjarë si Millosh, Ollga etj. tregojnë se familja e Migjenit ishte pjesëtare e komunitetit ortodoks të Shkodrës. Pjesë të këtij komuniteti ishin edhe sllavishtfolësit e Shkodrës, një bashkësi e vogël, që varësisht nga rrethanat politike e konsideronte veten serbe apo malazeze.

Por a do të ishte tragjedi nëse Migjeni do të ishte me origjinë sllave dhe njëkohësisht uragan i letërsisë shqipe, siç e ka cilësuar Ismail Kadare? Në botën e patriotëve me mendësi mesjetare ky mund të jetë problem. Në botën normale do të ishte shenjë e fuqisë integruese të shoqërisë shqiptare. Në këtë kontekst mund të pyesim: a është po ashtu problematike që Sterjo Spasse është shkrimtar shqiptar me origjinë maqedonase?

Në Ballkanin e vogël, ku popujt e vegjël (për nga numri) përherë kanë qenë të shtyrë të bëjnë aleanca momentale për të shpëtuar apo realizuar projektet e tyre shtetformuese, nuk kanë munguar as lidhjet transnacionale, pa marrë parasysh se kush ka qenë autokton dhe kush ardhacak.

Të fundit