E diel, 23 Mars, 2025

Lëmshi i marrëdhënieve shqiptare-shqiptare

Sali Berisha përçau PPD-në dhe përkrahu një fraksion të saj, Fatos Nano u përpoq të mbajë marrëdhënie të njëjta me të gjitha subjektet, dikur Ali Ahmeti kishte raporte të njëjta si me Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin, por më vonë Ramushi më shumë anoi nga Menduhi e Arbeni, kurse Hashimi me Alinë…Një mozaik interesant që lë shumë dilema se çfarë duhet të jenë dhe në ç’baza të ndërtohen marrëdhëniet e partive politike shqiptare nga tri qendrat kryesore politike.

 

Autor: Daut Dauti

Ky tekst është botuar para tri vitesh në revistën ”Shenja”, duke përmbledhur përvojat tridhjetëvjeçare të raporteve midis shtetit shqiptar dhe shqiptarëve jashtë tij, midis partive politike shqiptare përtej kufirit, në baza ideologjike, institucionales, përtej programore? Marrëdhëniet midis disa përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Kosovës kanë mbërritur kulmin e intolerancës gjer në padi të per fyerje shpifje, e të mos flasim për sharjet qe jane bere stil komunikimi, kurse për çdo palë zgjedhje kemi emisarë partiakë që kyçen në fushatë të ndonjë partie, kur çdokush mëton të shfrytëzojë çka mund të shfrytëzohet, duke harruar se simpatite ose animoziteti i sotëm politik ditor, nesër mund të shndërrohet në pengesë për bashkpëunim institucional nëse aktorët nuk janë ata “të preferuarit” e tyre. A është normale dy kryeministra(Edi Rama e Ramush Haradinaj) shqiptarë të acarojnë marrëdhëniet e tyre gjer në padi ndaj njëri tjetrit? A është normale një ish-president shqiptar(Berisha), ta quajë bashkiëpunëtor të Serbisë presidentin aktual të Kosovës (Hashm Thaqin) i cili ka uhehequr luftën kundër Serbisë? A ishte në rregull ndërhyrja e Sali Berishës dikur në përçaren e partisë më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë? A është normale partitë e Maqedonisë në fushatën e tyre të thërrasin në ndihmë emisarë të partive të tjera? Shkrimi që para tri vitesh i ka shtruar dilemat se çfarë duhet të jenë marrëdhëniet midis qendrave politike dhe subjekteve, a duhet të jenë insitucionaliste, programore, apo në baza të tjera…Per shkak se pothuajse asgje nuk ka humbur nga aktualiteti, por nderkohe jane krijuar raporte qe e vertetojne shkrimin, i cili qe atehere kishte hedhur sy përtej, e shohim te arsyeshme ta botojme ne nje version me te shkurter…

BERISHA PËRÇAU PROSPERITETIn, NANO MBAHEJ ME TË DY PARTITË SHQIPTARE TË MAQEDONISE

Ndoshta fillimi i kësaj historie duhej të ishte viti 1993, kur Sali Berisha dhe Partia Demokratike e tij, ndërhyri në marrëdhëniet e brendshme të Partisë së Prosperitetit Demokratik në Maqedoni. Ndërhyrja ishte aq e vrazhdë dhe shokante, saqë për të realizuar qëllimin(supozojmë se kreu shqiptar mendonte se bën një punë të drejtë dhe në interes të shqiptarëve të Maqedonisë) i kishin vënë të gjitha mjetet, që nga ato partiake të PD-së(dërgoi emisarë të veprojnë në terren) e deri te “resurset” shtetërore: një koment i porositur dhe botuar përmes ATSH-së dhe TVSH-së, i shpalli tradhtarë disa udhëheqës të atëhershëm të Partisë së Prosperitetit Demokrati, duke përfshirë edhe kryetarin Nevzat Halili, të cilit mund t’i gjesh shumë behane, por jo dhe përcaktimin e tij kombëtar. Cili qe qëllimi i vërtetë, ka mbetur dilemë sot e kësaj dite, por pasojat për PPD-në ishin të mëdha, sepse ajo u përça në dysh, kurse dobia për shqiptarët kurrfare!

Duhet shkurtimisht të analizohet kjo ndërhyrje, sepse ajo ka qenë një thyerje dramatike e jetës politike të shqiptarëve në Maqedoni, ndikoi në “pluralizmin” partiak(më parë PPD-ja dominonte në skenën politike, kurse me lindjen e PPDSh-së u krijua bipolariteti), por dhe përçarje deri në armiqësi në anëtarësinë partiake, ndarjen në parti atdhetare(PPDSH-ja) dhe tradhtare(PPD-ja). Ata që e kujtojnë këtë përçarje, ende i kanë të freskëta debatet nëpër degë partiake para kongresit të famshëm të përçarjes, ku si argument kryesor për të vlerësuar “orientimin” ishte përkrahja “e Shqipërisë” “grupit të Menduh Thaçit”. Njëri nga më të eksponuarit në këtë grup, i cili më vonë do të largohet, Rufi Osmani, para disa javësh do të kujtojë se si Sali Berisha kishte dërguar emisarë për të qenë më bindës ndër anëtarësinë e PPD-së: “Dilber Vrijoni dhe Shaban Memija, kanë qenë njerëzit që mua më kanë bindur të përkrah fraksionin në atë kohë të identifikuar me Arbër Xhaferin dhe Mendu Thaçin, me gjoja tezën se Nevzat Halili dhe grupacioni i tij janë njerëz të dyshimtë dhe janë problematik për shqiptaret. Por ndërkohë ndodhi ndarja e subjektit, kjo përçarje më pas prodhoi fenomene nga më të ndryshme në Maqedoni”.

Veprimi është i qartë, por a ka qenë një veprim i motivuar nga pozitat e paternalizmit të Tiranës, që t’u ndihmojë shqiptarëve apo që t’i ndihmojë një fraksioni? A thua vërtetë shteti shqiptar ka pasur informacione të duhura sa për të eliminuar politikisht një udhëheqësi, e cila s’kishte as tri vjet të plota që udhëhiqte atë parti dhe që merrte pjesë në pushtet. A ka pasur Sali Berisha informacione se udhëheqësia e atëhershme e PPD-së vërtet nuk punon në interes të shqiptarëve dhe se nevojitet një garniturë e re që më mirë do t’i çojë proceset?

Ose, mos vallë emisarë të fraksionit që më vonë u bë PPDSH i ka dërguar së pari informacione “relevante” Salës dhe e kanë bindur se kursi politik i udhëheqësish së atëhershme të PPD-së është antikombëtar prandaj dhe nevojitet ndihma e shtetit shqiptar për ta mënjanuar? Ndoshta, por kjo gjë asnjëherë nuk është sqaruar. Unë kam qenë shpesh raportues nga ngjarjet në Shqipëri dhe kam pasur shumë miq te partitë shqiptare dhe kujtoj se sa me pietet flisnin anëtarët e Partisë Demokratike për Menduh Thaçin dhe Arbër Xhaferin, si eksponentë të një politike vërtet kombëtare. Ndër ata anëtarë të PD-së, ka që sot thonë se kjo ndërhyrje ka qenë e dëmshme!

Nga ana tjetër, sot në këtë distancë kohore mund të shtrohet pyetja edhe më drejtpërdrejtë: me ç’të drejtë një parti që vetë me veprimet e veta nuk ka qenë gjithaq kombëtarë me politikat që ka zbatuar në Shqipëri, mund të përzihet në punët e një partie tjetër? Nëse dikush nuk e ka atë pastërti morale-politike, si ka të drejtë të ndërhyjë tek shqiptarët tjerë?

Mirëpo, historia ka vazhdim. PPDSH-ja e ka përdorur me vite si kapital politik se “ne kemi përkrahjen e Shqipërisë” në çdo zgjedhje të ardhshme. PPD-ja, sado e çorientuar pas përçarjes, ndërroi disa liderë partiakë, mbajti edhe për 6-vjet statusin e partisë së parë, por e ndjente “hendikepin” e mungesës së përkrahjes nga Tirana, duke u përpjekur dosido t’i afrohet Sali Berishës. Meqë kjo gjë shkonte pak si vështirë, u përpoq të paktën ta mbajë përkrahjen e LDK-së dhe Ibrahim Rugovës! Në të vërtetë, midis PPD-së dhe PPDSH-së ka pasur një garë për të pasur përkrahjen e këtyre dy partive, të cilat në vitet 90-të ishin subjektet kryesore në dy qendrat tjera politike, Tiranë dhe Prishtinë. (Partia Socialiste ende trajtohej jo aq relevante(!) për të gëzuar përkrahjen e saj në sytë e votuesve të këtushëm).

Kur jemi te vitet 90-të, duke qenë se Partia Demokratike e Sali Berishës lindi nga Lëvizja e Dhjetorit(1990) që përmbysi regjimin komunist, nëpërmjet Tiranës janë nxitur edhe procese edhe sa i përket Kosovës. Mbaj mend një vizitë të Adem Demaçit në Tiranë, diku në vitin 1996) që nëpërmjet TVSH-së(intervistë) dhe vetë udhëheqjes së atëhershme shqiptare, të ndikohet në ngjalljen e veprimeve politike në Kosovë, duke menduar se LDK-në dhe vetë Ibrahim Rugovën e ka kapur një amulli shterpe, e cila nuk po sjell asnjë dinamikë të re kundrejt regjimit të Millosheviqit. (Atëherë pikërisht rreth kësaj kishte një përplasje midis Rugovës dhe kryetarit të qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshit lidhur me kursin politik). Mirëpo, pavarësisht prapaskenave, Tirana zyrtare nuk pati guxim të ndërhyjë në atë kohë në LDK, ndonëse më vonë, siç dihet, do të ketë shumë ndihmesë praktike në prag të luftës së 1999-tës, por dhe ndonjë njollë e pa zbardhur(vrasjet enigma të Ahmet Krasniqit dhe gazetarit Ali Ukaj…), por kjo është histori tjetër .

Para se të kthehemi në ditët e sodit, duhet të përkujtoj një episod të hidhur të Fatos Nanos me partitë shqiptare, i cili është shembull i mirë se çfarë raportesh duhet të ketë midis qendrave politike shqiptare dhe subjekteve të tyre. Ai, në cilësinë e kryeministrit dhe të liderit të Partisë Socialiste, ishte i ftuar në një kongres të Partisë së Prosperitetit Demokratik(në vitin 1998 ose ’99) që mbahej në Tetovë. Ai vjen në Tetovë më herët dhe para se të shkojë në kongresin e PPD-së, duke qenë kryeministër i shtetit shqiptar, shfrytëzon momentin të bëjë një udhë e dy punë dhe bën një vizitë edhe te selia e PDSH-së.

Për dallim nga Sali Berisha, i cili qe përcaktuar për një krah politik, Fatos Nano deshi të krijojë një afërsi të njëjtë dhe vizitoi të dy partitë. Mirëpo, çka i ndodhi pastaj? Me të kuptuar se ka qenë te selia e partisë së Xhaferit dhe Thaçit, në PPD e presin shumë ftohtë, gati-gati duke ia treguar derën! Mbase duke dashur t’i thonë ç’ke lypë ti te kundërshtarët tanë duke qenë mysafiri ynë? Ose, ndoshta edhe këtë: ata a pak e kanë Salën, pa dhe ti t’u bashkangjitesh?!

Është interesant anekdota që e kam dëgjuar për shënimin e Ditës së Flamurit një vit, kur lideri i PDSH-së në binë ishte “shtyrë” me të tjerët, që të jetë sa më afër liderit socialist, atëherë kryeministër! Ishte koha kur Sala kishte rënë nga pushteti dhe me të nuk ishin marrëdhëniet si dikur dhe tash Arbër Xhaferi e porosiste Berishën të dalë pak më shumë nga zyra e tij për të marrë ajër të pastër! E çuditshme, apo jo?

Cili ka qenë më i drejtë, qëndrimi i Sali Berishës për të pasur të përkëdhelurit e tij në shtetin fqinj, apo i Fatos Nanos të mbajë raporte të njëjta me të gjitha partitë shqiptare, kurse zgjedhësit vetë të vlerësojnë kush ka orientim më të drejtë? Në të vërtetë, ndoshta pyetja kryesore është çfarë duhet të jetë raporti i shtetit shqiptar ndaj subjekteve shqiptare jashtë shtetit amë, çfarë duhet të jenë raportet midis partive në të gjitha shtetet ku veprojnë?

HISTORIA MË E RE, LËMSH I VËRTETË!

Në vitin 1999, në vlugun e bombardimeve të NATO-s, në Maqedoni parti shqiptare në pushtet ishte PDSH-ja. Pikërisht Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaçi ia aranzhuan zëdhënësit politik dhe kryetar i qeverisë kosovare në ekzil, Hashim Thaçit vizitën në kampin e refugjatëve ne Stenkovec(kam pasur rastin të jem raportues edhe nga kjo ngjarje), madje dhe takim me kryeministrin e atëhershëm të Maqedonisë, Lubço Georgievskin(ky për këtë ka marrë jo pak kritika nga shtypi i atëhershëm, për shkak se “i dha legjitimitet” njëqeverie të një shteti joekzistues!).

Në vitin 2002, ish-lideri politik i UÇK-së në Maqedoni dhe shumë luftëtarë krijojnë subjektin politik Bashkimi Demokratik për Integrim dhe raportet e liderit të saj, Ali Ahmeti pothuajse kanë qenë në një rrafsh me liderët kryesorë që po nga UÇK dolën në skenën politike të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn. Mirëpo, është interesant se duke mos vonuar shumë kohë, marrëdhëniet midis këtyre dy të fundit sikur u diferencuan: Ali Ahmeeti gjatë këtyre viteve ishte më i afërt me Hashim Thaçin, ndërsa dyshja Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaçi, u afruan më shumë me Ramush Haradinajn! Ndodhte që përkrahja të ishte e hapur, madje përkrahja e miqve të tyre dinte të shprehet edhe në fushatë.

Në këtë kontekst, raportet e partive shqiptare të Maqedonisë ndaj subjekteve në Shqipëri, do të jetë pakashumë neutrale, ose më saktë, me të gjithë në baza parimore dhe respekt të veçantë për atë subjekt që është në qeverisje. Nga ana tjetër, nuk është vërejtur viteve të fundit nga asnjë qeveri e Shqipërisë ose parti të ketë më shumë afërsi me dikë.

Në Kosovë dhe Maqedoni, për vite me radhë në pushtet kanë qenë parti të cilat kanë dalë nga subjektet e mëparshme ushtarake. Reputacioni i çlirimtarëve ka ardhur duke u zbehur për shkak të shumë fenomeneve negative që janë identifikuar me qeverisjen e tyre. Subjekte të tjera janë munduar ta shfrytëzojnë këtë situatë dhe në mënyrë spontane është krijuar një afri opozitare subjektesh, pavarësisht platformave politike ose bazës ideologjike të tyre. Bie fjala, ka pasur një lloj afrie midis Lëvizjes Vetëvendosja dhe Alencës Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut që para disa vitesh, edhe pse kjo e dyta rrugës së saj tejambicioze humbi nga relevanca e pritur dhe sot prej saj vetëm lideri (duke harruar ç’kishte folur më parë) arriti të bëhet “bisht ballone”(shprehje në Dërvenin e Shkupit) i PD-së së Lulzim Bashës.

Në kontekst të njëjtë, më shumë nivel simpatish mund të jenë krijuar relacione ose të paktën dëshirë për analogji të disa subjekteve të reja në Maqedoni, për ta parë veten si Vetëvendosja e Albin Kurtit, edhe pse si do të thoshte akademik Milazim Krasniqi, votuesit në Kosovë në zgjedhjet e fundit “shpërblyen” pikërisht një parti “të dhunës”, që do të thotë, një parti së cilës edhe nuk është për t’ia dhënë simpatitë, apo jo, pavarësisht nga dobësitë që ajo me të drejtë mund ti ketë shënjestruar.

NË Ç’PARIME DUHET TË NDËRTOHEN MARRËDHËNIET?

Çështja është më delikate seç duket në shikim të parë. Kthehemi te pyetja kryesore, çfarë duhet të jenë marrëdhëniet midis partive shqiptare në tri qendrat kryesore politike(duke mos harruar as ato të Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës, relevanca e të cilave megjithatë është shumë më e vogël)? Dhe këtu duhet shtuar një varg nënpyetjesh:

Çfarë qëndrimi duhet të mbajë Tirana zyrtare? A duhet ta mbajë patjetër rolin paternalist dhe të jetë qendra kryesore e këtyre marrëdhënieve, ku nuk do të kishte “proteksionizëm” si dikur në kohën e Berishës? Çfarë duhet të jetë raporti i shtetit shqiptar dhe çfarë i partive politike si subjekte? A duhet të ndërtojnë partitë e shtetit amë edhe relacione të veçanta partiake, apo do t’i kultivojnë ato të nivelit të shtetit ndaj shqiptarëve të tjerë, pra, praktikisht paternalist?(Është këtu për t’u theksuar se Shqipëria kundrejt Maqedonisë më tepër ka mbrojtur interesin e Greqisë(prandaj dhe në komunikim zyrtar përdor IRJM-në, tek tash Edi Rama ka nisur të flasë për kushtëzime ndaj Maqedonisë për shkak të pozicionit të shqiptarëve).

Anasjelltas: A do të krijojnë partitë nga Kosova e Maqedonia po dhe nga Mali i Zi dhe Presheva, lidhje të njëjta me të gjitha subjektet, apo do të grupohen sipas orientimit politik ose pozitës momentale si pikë nismëtare(opozitë me opozitë, pushtet me pushtet)? Nëse ndodh një marrëdhënie sipas orientimit politik, çka do të ndodhë kur një parti do të vijë në pushtet, a do të ndërrojnë raportet pastaj, sidomos kundrejt atyre në Shqipëri dhe Kosovë?

A ka vend për grupime partiake në baza ideologjike(parti simotra, të majta, djathta, të qendrës, konservatore, etj)?

A duhet të ndërtohen marrëdhënie jo sipas orientimit ideologjik, por ta zëmë, sipas orientimit kombëtar, ndonëse përherë është çështje debati kush ka të drejtë të gjykojë se kush është e kush nuk është në vijë kombëtare?(Po të shtronim këtë lloj pyetjesh, nuk kanë fund dilemat, si psh: kush ka dhënë kontribut më të madh kombëtar, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj që udhëhoqën luftën për çlirimin e Kosovës, apo Albin Kurti që udhëheq luftën kundër devijimeve të qeverive të tyre të deritashme? Kush ka dhënë më shumë kontribut kombëtar, Sali Berisha që përmbysi regjimin, por që më vonë me politikat e dështuara pothuajse rrënoi shtetin(1987) e që edhe më vonë ua “dhuroi” ujrat detare grekëve, apo Fatos Nano i cili poashtu mori pjesë në rrënimin e shtetit(1997) ose Edi Rama e Ilir Meta të cilëve gjithçka u mveshin, por që gjatë periudhës së tyre kanë ndihmuar drejtpërsëdrejti Kosovën? A ka dhënë kontribut më të madh kombëtar Ali Ahmeti që udhëhoqi luftën e 2001-shit dhe arriti të ndërrojë kushtetutën, apo Menduh Thaçi, Billal Kasami ose Zijadin Sela, të cilët deri tash ende nuk kanë bërë ndonjë ndryshim të tillë, pavarësisht platformave joshëse të partive të tyre! A duhet për shkak të dështimeve të një garniture politike dhe negativiteteve të shprehura, t’u shlyhen meritat tjera që mund të jenë më të larta se dështimet. Kush kë do ta vlerësojë që të krijojë marrëdhënie të denja për subjektin e vet? Apo për vlerësim do të merren vetëm ato çështje të cilat janë të përshtatshme si argument në një moment të caktuar? Gjithnjë po flasim për raporte të partive shqiptare të njërit shtet, me parti të tjetrit shtet, dhe sa është e drejtë ose parimore ato të lëshohen në vlerësime për atë që duhet ta bëjnë anëtarësia dhe qytetarët?
Apo thjeshtë, a nuk duhet të krijohen raporte në suaza protokollare, relacione vëllazërore, pavarësisht orientimit politik?

Nëse nga shembujt drastikë do të mund të nxirrnim mësim, për mendimin tim partitë politike shqiptare pavarësisht se ku veprojnë, relacionet e tyre duhet t’i ndërtojnë në baza parimore, pa u afruar me dikë më shumë ose më pak, pa i shfrytëzuar ato politikisht për nevoja ditore politike. Jo që nuk janë normale edhe marrëdhëniet tjera, ato sipas orientimit programor(ideologjik), ose madje dhe kombëtar, por mendoj se ai lloj raportesh më tepër krijon probleme se sa që është i frytshëm.

Të fundit