Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se do të tërheqë padinë ndaj ish-kryeministrit, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Do ta tërheq padinë jo se ajo është e vogël për mua por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkojë të gjithë”, tha Rama në një konferencë për media në Prishtinë, në përfundim të vizitës së tij dyditore në Kosovë.
Në mes të muajit janar Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka dorëzuar padi kundër kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Civile me datë 15.01.2020 ka pranuar padinë nga paditësi E.R kundër të paditurit R.H për kompensim dëmi për shkak të deklaratës shpifëse të supozuar nga paditësi”, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Mirlinda Gashi, zyrtare për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Rama pretendonte se Haradinaj, ka shpifur me deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, Haradinaj kishte deklaruar se “padia e kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë”.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, kryeministri Rama ka takuar të gjithë liderët politikë dhe institucional, por jo edhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.