Bashkë me fillimin e pandemisë globale të COVID19 filloi dhe një fushatë e ashpër dezinformimi. Globi nga njëra anë po lufton me pandeminë e nga ana tjetër me infodeminë. Lajmet e rrejshme paraqesin rrezik për opinionin publik, pasi ato shkaktojnë huti, pasiguri, frikë dhe kaos në shoqëri. Aq të shumta dhe të shpeshta janë teoritë konspirative rreth Koronavirusit sa ndonjëherë edhe përkundër përmbajtës jo-logjike të tyre arrijnë të të hapin dilema në kokë. Gjatë kësaj periudhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë torturuar psiqikisht nga dhjetëra lajme të rrejshme, me përmbajtje mjaftë shqetësuese.

Ndër titujt që më së shumti u diskutuan në opinion ishin:

VIDEO: Në qiellin mbi Kumanovë, dje është vërejtur një dukuri e pazakontë – Njerëzit dyshojnë në gjithçka,

Çfarë po ndodh? Gjenden mikroçipë në trupat e 1000 personave të infektuar me Covid-19

Rrjeti 5G vret,

SARINI dhe jo Korona është shkaku për karantinën tre mujore!?!

Pandemitë globale shpërthejnë çdo 100 vjet,

Virusi Korona, i shpikur dhe patentuar në Britaninë e Madhe,

Ngordhje masive e zogjve në Maqedoni,

Gazetari Xhelal Neziri, vlerëson se dy janë arsyet pse lajmet e rrejshme paradoksalisht janë aq të besueshme te ne: e para, ato janë spektakolare, shumë më interesante se lajmet e vërteta; dhe e dyta, Maqedonia e Veriut është në fund të listës së vendeve evropiane për shkrim-lexim mediatik.

Gjatë pandemisë Rusia dhe Kina shpesh përdorën lajme të rrejshme për të ndërtuar narrativin se SHBA dhe BE qëndrojnë pas virusit korona, se Rusia dhe Kina janë më të aftë për të përballuar pandeminë dhe më solidarë ndaj vendeve tjera apo edhe se ky virus nuk ekziston fare.- Xhelal Neziri

“Me vetëm 10 nga 100 pikët maksimale, që përbën një dallim të madh me Finlandën që mban vendin e parë me 76 pikë e që mban vendin e parë. Pra, shumë pak qytetarë që kanë qasje në Internet dinë t’i dallojë të vërtetat nga gënjeshtrat e servuara në sferën e informacionit online. Në bazë të të dhënave statistikore, në Maqedoninëe Veriut qasje në internet kanë mbi 70% e qytetarëve, shumica e të cilëve nuk dinë shkrim-lexim mediatik”, deklaroi Neziri.

Sipas tij, kjo përbën një bazë të mirë për përhapjen e lajmeve të rrejshme si nga qendrat e fuqisë politike të vendit, për luftimin e kundërshtarit politik, po ashtu edhe nga qendra të huaja që janë të interesuara që në vend dhe rajon të ketë pasiguri, konflikte dhe mosbesim në institucione dhe media të besueshme.

“Gjatë pandemisë Rusia dhe Kina shpesh përdorën lajme të rrejshme për të ndërtuar narrativin se SHBA dhe BE qëndrojnë pas virusit korona, se Rusia dhe Kina janë më të aftë për të përballuar pandeminë dhe më solidarë ndaj vendeve tjera apo edhe se ky virus nuk ekziston fare. Pa ngritjen e nivelit të shkrim-leximit, pa një edukim mediatik të lexuesit që nga shkolla fillore, e mesme dhe në atë të lartë, si dhe pa një fushatë të vazhdueshme, vendi dhe rajoni do të mbeten poligone për testimin e formave të ndryshme të dezinformimit”, theksoi Neziri.

Në luftën kundër dezinformimit, vitin e kalar Qeveria e vendit tonë propozoi një plan gjithëpërfshirës ku hapi i parë do të debat i gjerë për nevojën e veprimit të përbashkët kundër lajmeve të rrejshme.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë Veriore po ndjek me përkushtim dhe vëmendje debatin që po zhvillohet pas njoftimit të përgatitjes së Planit për një veprim vendimtar kundër përhapjes së dezinformatave. Plani i propozuar kundër dezinformimit është hapi i parë në hapjen e një debati plotësisht gjithëpërfshirës për nevojën e veprimit të përbashkët kundër lajmeve të rreme, ku vendimet do të merren vetëm përmes marrëveshjes. Lajmet e rreme vijnë nga ana e errët. Le t’i ekspozojmë të gjithë së bashku nën dritën e së vërtetës”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Qverisë.

Lloj-llojshmëria e teorive konspirative rreth Koronavirusit është tejet e madhe, nga teoritë konspirative në nivel global deri tek teoritë e krijuara në nivele lokale.

Teksa rri e pret radhë para një marketi, banke apo institucioni të zë veshi histori nga më të ndryshmet rreth shfaqjes së pandemisë COVID19.

“Virusi u krijua në një laborator dhe më pas u shpërnda me dronë. Duan ti mbyllin njerëzit nëpër shtëpi që masonët të punojnë lirshëm në projektet e tyre”. Kjo është një nga ato teoritë lokale që e has shpesh në shoqërinë tonë. Shqetësues është fakti se kjo teori diskutohet e madje besohet edhe nga të rinjtë, të cilët në ditët e sotme falë teknologjisë e kanë shumë më të lehtë ta zgjerojnë diapazonin e njohurive. Duhet vetëm disa klikime në faqe zyrtare dhe me burime të besueshme për të kuptuar se një teori e tillë është absurde dhe është turp të besohet.

Në faqen zyrtare të OBSH-së, me fakte dhe argumente janë sqaruar të gjitha mitet dhe paqartësitë rreth pandemisë. Bazuar në studime shkencore OBSH thekson se COVID19 është sëmundje ngjitëse, e panjohur më parë për njerëzimin, u paraqit në Vuhan të Kinës në fund të vitit 2019 dhe është zbuluar se shkaktohet nga Koronavirusi. Koronaviruset janë familje e madhe virusesh të cilat munden të shkaktojnë sëmundje ngjitëse tek njerëzit dhe kafshët.

Për sa u përket njerëzve, disa koronavirusë njihen për problmet respiratore që shkaktojnë tek të sëmurët. Koronavirusi i ri u quajt COVID19 (CO- corona, VI-virus, D- disease/sëmundje, 19- përkon me vitin 2019). Simptomat më të shpeshta të COVID19 janë: ethet, kolla e thatë dhe plogështia. Shumica e njerëzve (rreth 80 %) shërohen nga sëmundja pa pasur nevojë për trajtim spitalor.

Të moshuarit dhe personat që vuajnë nga ndonjë sëmundje tjetër janë më të rrezikuar nga problemet serioze që shkakton koronavirusi i ri. COVID19 përhapet shumë shpejt përmes kontaktit fizik dhe mos mbajtjes së higjenës personale. Njerëzit mundet të infektohen me COVI19 nga personat të cilët janë të prekur nga kjo sëmundje. Sëmundja shpërndahet nga person tek tjetri përmes spërklave të vogla nga hunda ose goja, të cilat lirohen në ajër kur një person i prekur nga COVID 19 tështin, kollitet ose flet. Këto spërkla janë të të rënda dhe shpejt bien në tokë.

Njerëzit infektohen me COVID19 nëse marrin frymë kur spërklat janë ende në ajër, prandaj rekomandohet që të mbahet 1 metër disancë fizike. Infektimi mundet të ndodh edhe nëse prekën objekte apo sipërfaqe ku kanë rënë spërklat e një personi të sëmurë, dhe më pas me duar preket goja, hunda ose sytë. Në një raport të OBSH-së thuhet se nuk ka asnjë raportim se virusi mundet të shpërndahet nga ajëri.

“Sipas evidencës aktuale, COVID19 fillimisht transmetohet mes njerëzve përmes spërklave respiratore dhe kontaktit. Në një analizë të 75,465 rasteve me COVID19 në Kinë, nuk është raportuar që virusi të jetë transmetuar përmes ajërit.” – theksohet në raportin e OBSH
Në fakt, teoria se virusi u shpërnda nga qielli mori hov nga momenti që në qiell u shfaqë një fenomen i çuditshëm dhe i pashpjegueshëm për shumë njerëz. Fjala është për shfaqjen e satelitëve të kompanisë private hapësinore Space X.

Më datë 18 prill në qiell u panë varg dritash të vogla të cilat lëviznin në mënyrë të koordinuar njëra pas tjetrës. Fenomeni shkaktoi mjaft panik dhe bëri që shumë njerëz të shpikin teori “shpjeguese” nga më të ndryshmet, dikush thoshte se janë thjesht yje, dikush tjetër thoshte se janë meteor që digjen madje dikush dyshonte se janë dronë të cilët shpërndajnë Koronavirusin.

Nga ana tjetër kishte edhe nga ata që e shijuan këtë spektakël duke mos e fajësuar këtë situatë si përgjegjëse për pandeminë e Koronavirusit. Mirëpo, çfarë në fakt janë këto drita të dyshimta që njerëzit i perceptuan si një fenomen i çuditshëm?

Dritat që kemi pare në qiell janë satelitët Starlink nga kompania amerikane Space X e inovatorit Elon Musk. Starlink është emri që i është vënë projektit Space X të Elon Musk i cili ka për qëllim të krijojë një konstelacion satelitësh në pjesën e ulët të orbitës për të përmirësuar shërbimin e internetit.

Sipas faqes zyrtare të SpaceX, satelitët “Starlink“, të lançuara nga Cape Canaveral, Florida me një raketë Falcon 9, janë krijuar për të dërguar sinjale në internet. Space X ka lançuar gjithsej 180 satelitë në orbitë, gjë që e bën këtë edhe kompaninë me flotën më të madhe të satelitëve komercial në orbitë. Prandaj nuk ka nevojë për shqetësime dhe spekulime, ngaqë qëllimi i rrjetit satelitor Starlink është që të sjellë internet të shpejtë në shtëpitë e juaja.

Ekspertët vlerësojnë se mungesa e informimit adekuat të opinionit publik nga media dhe institucionet bënë që të krijohet panik dhe hapësirë për spekulime.

Sa më herët të ballafaqohemi me kërkesat për transformim digjital të shoqërisë tonë në vend, aq më shpejt do t’ju bashkohemi proceseve dhe trendeve botërore. – Azir Aliu

“Qëllimi i satelitëve që qytetarët tanë i panë në qiell është pjesë e një projekti të madh i ashtuquajtur satelitë yjor ndërlidhës. Çdo dy javë lançohen nga 60 satelitë, SpaceX ka leje për lançim të 12.000 satelitëve në orbitë. S’ka asgjë për tu frikësuar, këto janë trende të reja që janë për të lehtësuar dhe përmirësuar jetën e qytetarëve. Nga ana tjetër është edhe shumë normale që popullata të frikësohet pasi që nuk janë të informuar sa duhet dhe për këtë barrën kryesore e kanë institucionet shtetërore por edhe mediumet. Duhet të ketë më shumë artikuj të këtij lloji me qëllim që të bëhet informim i drejtë për proceset inovative, si rezultat pranimi i tyre do të jetë më i lehtë dhe pa ndonjë panik të theksuar”, deklaroi Azir Aliu.

Profesori universitar Azir Aliu në fushën e teknologjisë, dhe zhvillimeve inovative në teknologji thotë se faktorët që ndikojnë në nivelin e përgjithshëm të popullatës në qasjen me teknologjinë janë të shumtë.

“Që një popull të jetë ne rrjedha me teknologjitë dhe proceset teknologjike ndikojnë shume faktorë: sistemi arsimor, shërbimet shtetërore, infrastruktura dhe qasja në internet e popullatës, edukimi formal dhe joformal në këtë drejtim, ekonomia e shtetit si dhe shumë faktorë të tjerë. Për fat të keq në shtetin tonë i gjithë ky ekosistem që duhet të jete kompatibil me trendet botërore dhe të stimulon digjitalizimin në shtet ngecën në shumë segmente, sidomos në sistemin arsimor. ”, theksoi Azir Aliu.

Profesor Azir Aliu ngrenë alarmin se shoqëria jonë duhet sa më parë të vetëdijesohet për rëndësinë e digjitalizimit.

“Ekonomia botërore po përgatitet për industrinë 4.0 që nënkupton që proceset tentojnë te menaxhohen nga Inteligjenca Artificiale. Ky trend nuk mund të anashkalohet edhe në vendin tonë si në aspekt ekonomik ashtu edhe në aspekte tjera të përditshme. Komisioni Europian punon me intensitet shumë të madh për të definuar profilin e qytetarit digjital, dhe nëpër shkollat e Europës tani kemi edhe lëndë “Digital Citizenship”. Si përfundim, sa më herët të ballafaqohemi me kërkesat për transformim digjital të shoqërisë tonë në vend, aq më shpejt do t’ju bashkohemi proceseve dhe trendeve botërore. Përndryshe, do të jemi jokompatibil si shoqëri dhe kjo do të na sjell telashe si në përditshmërinë tonë ashtu edhe në biznes dhe në menaxhim të proceseve”, shtoi Azir Aliu.

Me ritmin e njëjtë që po përhapet lajmet e rrejshme po përhapet edhe pandemia. Përderisa në rrjetet sociale në pak orë lajmet e rrejshme shpërndahen me qindra mijëra herë në mbarë globin numri i të infektuarve ka arritur mbi 7 milion raste, prej të cilave mbi 400 mijë kanë përfunduar me vdekje. Lajmet e rrejshme përveç se na torturojnë psiqikisht madje cënojnë edhe jetët tona.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” i implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.