Në Zvicër ka ndërruar jetë gazetari i njohur, Llukman Halili. Me prejardhje nga Tërnoci i Bujanovcit, ai u bë një ndër emrat më të njohur të Radio Televizionit të Prishtinës, në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar ku për një kohë mbuloi politikën e jashtme. Ishte ndër gazetarët e parëe nga ish-Jugosllavia që raportoi për median kosovare, atë kroate dhe spanjolle, përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Me Blerim Shalën është bashkautor i librit ‘Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë’, botuar nga Zëri në vitin 1993, ndërsa së fundmi nxori në dritë studimin ‘Lëvizja studentore shqiptare 1990-1991’ që hedh dritë mbi ngjarjet që çuan në përmbysjen e regjimit komunist në Tiranë.