Sado që mund të duken të pakapshme, “helmet” e këtij stigmatizimi fshihen përsëri diku në prapaskenat e lojërave politike, të cilat si zgjatime të padukshme qarkullojnë ndër njerëz dhe në hapësirën publike. Dhe gjithmonë do të ketë protagonistë që lehtësisht e veshin petkun e kësaj gjuhe të paragjykimit, të stigmatizimit dhe të urrejtjes. Mund të na duket rastësi, por çdo korrelacion nuk është edhe aq i rastësishëm, sepse gjithmonë do të ketë “kalorës” naiv, por edhe intrigantë që do të përqafojnë këto diskurse që krijojnë ndasi të panevojshme.
Autor: Bardhyl Zaimi
Tashmë Maqedonia e Veriut po shënon numër rekord të të infektuarve nga virusi korona. Dhe kjo nuk është një situatë që nuk pritej, sepse brenda kohës kur gjithë serioziteti dhe energjitë duhej të vendoseshin për ta menaxhuar maksimalisht situatën me pandeminë, prapaskenat politike kishin vendosur të kujdesen për targete zgjedhore, për rejting dhe për gjëra tjera të mistershme që vetëm ata i dinë.
Dhe ku vë këmbën hipokrizia politike pasojat reflektohen në formë përplasjesh poshtë, në jetën e përditshme të njerëzve, aty ku pastaj këto flirte fatale të politikës marrin trajta fajësimesh të pabaza. Nuk kanë munguar gjatë kësaj kohe fajësimet etnike për përhapje të virusit, të cilat përsëri në esencë kanë motivime politike, por edhe shfajësim të qeverisë për dështim në menaxhimin me pandeminë. Janë aq absurde dhe paradoksale këto fajësime që ndajnë qytetarët në ne dhe ata.
Por, pykat e politikës pikërisht këtë e duan që edhe në kohë korone t’i ndajnë njerëzit dhe t’i paraqesin si një “armik” të mundshëm për të ndërtuar pastaj kauza dhe narracione mashtruese në hapësirën publike. Një infektuar në këtë rast nuk mund të ketë identitet tjetër përveç se është një infektuar në shumën e njerëzve që ka prekur virusi, si qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Çdo tentim tjetër për të ngjyrosur praninë e virusit dhe infektimeve me doza ndarjesh etnike dhe fetare është një injorancë në të menduarit në një situatë pandemie kur po rrezikohemi të gjithë.
Sado që mund të duken të pakapshme, “helmet” e këtij stigmatizimi fshihen përsëri diku në prapaskenat e lojërave politike, të cilat si zgjatime të padukshme qarkullojnë ndër njerëz dhe në hapësirën publike. Dhe gjithmonë do të ketë protagonistë që lehtësisht e veshin petkun e kësaj gjuhe të paragjykimit, të stigmatizimit dhe të urrejtjes. Mund të na duket rastësi, por çdo korrelacion nuk është edhe aq i rastësishëm, sepse gjithmonë do të ketë “kalorës” naiv, por edhe intrigantë që do të përqafojnë këto diskurse që krijojnë ndasi të panevojshme.
Si zakonisht politika asnjëherë nuk pranon fajësi sidomos “këtu poshtë në Ballkan”, ndërkohë gjithë pezmin e situatës së pashpresë të krijuar nga vetë ajo e bartin te njerëzit me mendësi militante që gjithmonë fajin e kërkojnë te tjetri. Sa herë që politika luan me zjarr zgjedhjesh digjen qytetarët. Kjo është e vërteta e dështimit të menaxhimit të situatës nga qeveria që kërkon të transponohet frikshëm në ndasi që absolutisht nuk kanë bazë vërtetësie.
Se gjatë kësaj periudhe ka pasur individë të pandërgjegjshëm kjo nuk diskutohet, por përsëri shteti nuk ishte në lartësinë e menaxhimit të kësaj pandërgjegjshmërie që në rastin e pandemisë përbën rrezik permanent edhe për pjesën dërrmuese të qytetarëve që gjatë tërë kohës kanë qenë në lartësinë e përgjegjësisë.
Por, gjithë kjo tashmë mbetet prapa nesh dhe çdo kthim në këtë debat akuzash të pabaza rrezikon të krijojë histeri ndasish të panevojshme. Tash është koha që urgjentisht qeveria të përqendrohet në respektimin e masave nga ana e qytetarëve. Asnjëherë nuk është tepër vonë për të bërë diçka. Përkundrazi qeveria dhe të gjitha subjektet politike pa përjashtim duhet të fokusohen në strategji urgjente për të parandaluar përhapjen galoponte të virusit.
Mbetet shumë e rëndësishme që përveç “recitimit” të shifrave të të infektuarve të fillojë një aksion vetëdijesimi për respektim të masave, siç janë mbajtja e maskave dhe distanca sociale. Përtej toneve pesimiste dhe optimiste, aksioni gjithëpërfshirës duhet të fillojë sa më parë, sepse siç po shihet anembanë globit dhe siç paralajmërojnë shkencëtarët beteja me virusin korona do të zgjasë. Aksioni për ndërgjegjësimin e respektimit të masave mbetet kaq i nevojshëm sidomos në Maqedoninë e Veriut, kur tashme kemi një dekompozim të strategjisë.
Duket se praktika hiq e vinë karantinën vetëm e prolongon shfaqjen e rasteve, sidomos kur njerëzit tashmë nuk e kanë atë durimin e fillimit të qëndrimit në shtëpi. Hiq e vinë nuk është zgjidhja. Urgjentisht duhet strategji gjithëpërfshirëse për respektim të masave, sepse me gjasë edhe gjatë kohë do të jetojmë me këtë virus fatal për jetët e njerëzve.