E enjte, 16 Maj, 2024

Lojërat për fronin e BFI-së 

 ‘’Kur je duke kaluar nëpër ferr, vazhdo të ecësh’’. Një përmbledhje e jashtëzakonshme e Uilson Çurçillit për ngushëllim, shpresë dhe përkushtim në një fjali kaq të vogël dhe të shkurtër dhe që thuajse në mënyrë të përkryer përshkruan tranzicionin tonë 30 vjeçar në të gjitha sferat e shoqërore. 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Ka shumë kohë që një nga strukturat më të rëndësishme në organizimin shoqëror të vendit tonë, si shumë të tjera, është duke prodhuar rezultate plotësisht të kundërta nga vetë esenca e ekzistimit të tyre. Organizatat kryesore të bashkësive fetare, Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) dhe Bashkësia Fetare Islame (BFI) si përgjegjëse kryesore për organizimin e jetës fetare në vend dhe që duhet të jenë pararojë e moralit dhe parimeve etike kolektive janë kthyer në burim skandalesh që bien ndesh jo vetëm me të drejtën hyjnore që e predikojnë, por edhe me shtetin ligjor. Në një varg skandalesh, që nga emërimi i tij i dhunshëm, puçet e brendshme dhe të jashtme, aferat dhe akuzat për keqpërdorime financiare, ndërlidhjet dhe përplasjet me politikën – epopeja e ish Reisit duket që u mbyll aq vrullshëm sa edhe filloi. Me një shumicë të cilësuar të 2/3 të votave nga Riaseti i BFI-së – bashkëpunëtoret e tij më të ngushtë, e shkarkuan nga pozita Sulejman Rexhepin duke hapur kështu rrugën për ‘’lojërat e fronit’’. Ende pa u qartësuar gjithçka, përfshirë edhe transferin e pushtetit tek ushtruesi i ri i detyrës, në horizont duken shenjat e para të një përplasje që nuk dihet si do të përfundoj por që duket qartë se do të jetë e madhe. 

Për t’i kuptuar lojërat për fronin e BFI-së mjafton që të hidhet një vështrim pak më i thellë mbi reagimet e aktivistëve partiak, zhurmuesve të partisë. Ato janë reflektim i qëndrimeve partiake dhe më së mirë tregojnë dëshirën e epshme që partitë politike kanë për të qenë në lidhje të ngushtë, mundësisht të drejtpërdrejtë me udhëheqësit e BFI-së dhe natyrisht që ato  t’iu shërbejnë sa më mirë interesave të tyre politike dhe partiake. Vala e parë e reagimeve u nda në dy nuanca, njëri kamp që u gëzua për shkarkimin e Reisit dhe kampi tjetër ishte menjëherë skeptik për këtë veprim duke aluduar që gjithçka është e orkestruar. 

Në ndërkohë, kampi i parë filloi të ndahet në kampe të ndryshme në grupin që vazhduan ta lëvdojnë aktin dhe ushtruesin e ri të detyrës dhe ata që përshëndetën aktin e shkarkimit por menjëherë u kthyen për të diskredituar ushtruesin e detyrës së Reisit. Madje, ky grup nuk nguroi që të vë në lëvizje të gjithë makinerinë propaganduese që e kishin përdorur për të diskredituar Sulejman Rexhepin tani ta kthejnë drejt Shaqir Fetahut dhe kështu të bëhen më të afërt me grupin tjetër që ishte skeptik që në fillim, por me një dallim shumë të madh – kush duhet të jetë në krye të BFI-së. 

Në rrjetet sociale paralelisht me kampanjën për diskreditim të pretendentëve kryesor të fronit zhvillohet edhe një garë me lavde e lartësimi për figura të cilat do të ishin më të pëlqyera për të qenë në krye të këtij institucioni fetar. Edhe këtu, mjafton që t’i lidhni pikat përmes aktivistëve partiak dhe do ta gjeni se cila parti cilin imam e do në krye të BFI-së.  Nervoza do të rritet edhe më tepër tani kur në prag janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke vënë në kalkulim votat që mund të korrë partia. 

Në të gjithë këtë zhurmë dhe betejën frontale e prapa kulisave për tu ulur në krye të BFI-së një gjë mbetet konstante: erozioni edhe i atij pak kredibiliteti moral të mbetur brenda tij. Në shumë prej studimeve dhe hulumtimeve të kryera për shkaqet dhe arsyet e përhapjes së ekstremizmit dhe radikalizmit fetar tek popullata si një prej faktorëve paraqitej mungesa e besimit tek organet e Bashkësisë Fetare Islame që krijonte një boshllëk për veprim nga grupe të tjera më ekstreme të cilët përdornin pikërisht këtë mosbesim për të rekrutuar dhe tërhequr ndjekës të busullës së tyre morale e fetare. 

Krahas rëndësisë së imamit që do të zgjidhet për të udhëhequr me këtë institucion është edhe puna që do të bëj për të rikthyer besimin dhe kredibilitetin që të jetë busulla morale dhe fetare për besimtarët e fesë islame. Kjo mund të bëhet përmes shumë veprimeve konkrete por më kryesorja është transparenca e menaxhimit financiar dhe shkëputja e sinqertë dhe e vërtetë nga politika. Nuk ka asgjë më të rrezikshme dhe më të dëmshme për një demokraci sa keqpërdorimi i religjionit në politikë dhe instrumetalizimit të politikës për një religjion të caktuar.        

Të fundit