E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

“VDEKJA” E KORONËS DHE “DISS-I” I MINISTRIT!

Pas gjithë inkoherencave në menaxhim, ne paradoksalisht mbërritëm në narracionin që e shpallë të “vdekur” virusin korona. Një gafë e patolerueshme, por që për më tepër determinohet nga zbythja e qeverisë më herët, kur lejoi të futet në përllogaritje me mëlmesa politike. Shpërbërjes së gjithanshme të besimit nuk do t’i mjaftojë diss-i i ministrit të shëndetësisë se “virusi është akoma në mesin tonë”. Duket se po tejbartemi në një realitet magjik, ku mendimi shkencor vjen si një shaka gudulisëse!

 

Autor: Bardhyl Zaimi

 

Çdo kohë ka sfidat dhe përgjegjësitë e veta. Koha nëpër të cilën kalojmë aq më tepër. Nuk është kohë normale dhe si të tillë duhet ta kuptojmë. Koha e luftës me Covid 19 nuk duron akrobacione politike, por as edhe mendjelehtësi interpretimesh nga kushdo qoftë, sepse fjalën e fundit për situatën në të cilën ndodhemi dhe për praninë e rrezikut nga virusi “këmbëngulës” duhet ta thonë profesionistët e fushës, mjekët, ekspertët e mjekësisë, biologjisë etj, të cilët dinë më mirë nga të gjithë ta lexojnë realitetin e shfaqur si kërcënim për jetën e gjithsecilit.

Pas një periudhe të gjatë izolimi, për shkak të virusit korona, është më se normale që njerëzit tashmë të ndjehen të mërzitur, të privuar nga shumë gjëra, sidomos të privuar nga mundësia për të siguruar ekzistencën e tyre. Tashmë shënohet një periudhë e gjatë vetëizolimi, e cila po reflekton në jetën e tyre sociale, por mbi të gjitha edhe në mirëqenien e tyre. Kjo është kaq e kuptueshme, sidomos kur kemi parasysh që qeveria nuk arriti të sigurojë masa koherente ndihme për qytetarët dhe nuk arriti që të menaxhojë siç duhet gjithë këtë situatë, e cila për më tepër la hapësirë për interpretime të ndryshme që tashmë nuk kishin të bëjnë vetëm me ekonominë, por shpërthyen në forma mosbesimi ndaj gjithë perceptimit mbi pandeminë.

Në momentin kur qeveria lejoi që edhe faktorë tjerë të implikohen në perceptimin dhe menaxhimin e gjendjes me virusin korona, siç janë bashkësitë fetare, realisht hoqi dorë nga kompetencat e veta, nga serioziteti për të menaxhuar si gjithë vendet e tjera me pandeminë. Qeveria nuk arriti të krijojë bashkërendim funksional në drejtim të perceptimit dhe menaxhimit të krizës me virusin korona, kështu krijoi hapësirë për shfaqjen e interpretimeve alternative të pabazuara në shkencë, në fakt të bazuara në mendjelehtësi aktorësh të mbarsur me lajme të rreme, të cilat gjatë tërë kohës kanë qenë të pranishme në sasi të madhe në hapësirën mediale.

Pa një strategji të mirëmenduar, me diskurse aksidentale dhe toleruese ndaj aktorëve tjerë që kërkonin praninë dhe pushtetin e vetë në kohë pandemie, qeveria lejoi të dekompozohet ligjërimi real, objektiv dhe shkencor mbi praninë dhe rrezikun e virusit. Edhe në aspektin e masave edhe në aspektin e informimit sa më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës, qeveria nuk arriti të imponojë një suazë të receptimit real të rrezikut, sepse diku në majat e pushtetit, të lojërave politike, po shfaqeshin përllogaritjet elektorale dhe jo interesi jetik i qytetarëve.

Këto janë fajet e qeverisë gjatë kësaj kohë, që nuk janë të vetmet që e kanë krijuar këtë situatë mosbesimi të thellë. Inercionet e mosbesimit politik dhe qeverisës që më herët, përgjatë viteve, në njëfarë mënyrë, u reflektuan edhe përgjatë kësaj periudhe të pandemisë, e cila do të duhej të shënonte një stad tjetër raportesh qytetarë-qeveri, ose qytetarë-politikë. Pikërisht, këto dobësi të menaxhimit të krizës, u shfrytëzuan nga spekulantë të ndryshëm, nga media të caktuara, të cilat iu dhanë hapësirë, por edhe stimuluan lajmet e rrejshme të konspiracioneve të mëdha mbi virusin korona.

Në mungesë të një edukimi mediatik, të perceptimeve të drejta, të aftësive për të dalluar çfarë është e rrejshme dhe çfarë është informacion i mirëqenë, një numër i madh i qytetarëve ranë pre e këtyre shtrembërimeve, të cilat shfaqen në forma të ndryshme percpetimesh që mbetet tepër e vështirë për t’i kahëzuar në koordinatat e shpjegimeve shkencore. Dhe, gjithë kjo tashmë po pasqyrohet me një rritje të rasteve të të infektuarve me korona, në kohën kur duhej realisht të ndodh hapja graduale.

Pikërisht ato “vrima të zeza” të tolerimit dhe të përllogaritjeve poltike kanë mundësuar që të shtrembërohet tërësisht realiteti me virusin korona, që tashmë nuk dihet se sim und të përfundojë. Gjithë kësaj, situate papërgjegjesie tek qytetarët i dha shtysë edhe debati mendjelehtë për zgjedhjet, që gjithashtu krijioi një perceptim tepër të gabuar se gjithçka mori fund me virusin korona. Kulmi i këtij keqintepretimi nuk vonoi dhe nuk duhet të çuditemi pse një udhëheqës shpirtëror, tashmë e kishte shpallur të “vdekur” virusin. Që komedia të luhej deri në fund, nuk mungoi mëpastaj përgjigjja e ministrit të shëndetësisë në formë diss-i reperash që “virusi është këtu mes nesh”.

Tashmë nuk ka dilema se për shkak të papërgjegjësisë së dyanshme, mundësia për ta tejkaluar krizën me virusin korona do të zgjasë në Maqedoninë e Veriut. Ajo që duhej të ishte e tejkaluar si situatë tashmë po rikthehet me rrezik potencial. Përdirsa vendet tjera edhe të rajonit shënojnë fazën e hapjes me shumë pak raste dhe në dosa vende me zero raste të reja, ne kemi një situatë përhapjeje dhe rastesh të shtuara aktive.

Kur një qeveri dhe politika luan me përllogaritje tjera dhe nuk fokusohet tërësisht  tërësisht në angazhimin jetik për të dalë me sa më pak dëme nga kufizimet e pandemisë, rezultati gjithmonë mbetet zhgënjyes. Gjithë këto “vrima të zeza” menaxhimi, fatkeqësisht krijuan dhe vazhdojnë të krijojnë hapësirë për njerëz të pandërgjegjshëm, që vënë në rrezik gjithë një proces mbrojtjeje nga virusi korona. Gjithë qytetarët tjerë, tashmë ndodhen mes presionit të dy banaliteteve, atij të qeverisë që lejoi përllogaritje tjera në kohë pandemie dhe një pjesë të qytetarëve egocentrik dhe të papërgjegjshëm, që në kohën kur të gjithë u vunë në mbrojtje të jetës njerëzore, ata, zgjodhën, kokëfrotësinë e paarsyeshme për të shkelur masat dhe për ta bërë kështu të paqartë kohëzgjatjen e pranisë së “armikut” gjithashtu kokëfortë.

Të fundit