E enjte, 16 Maj, 2024

FUSHATË PËR PËRHAPJEN E KORONAVIRUSIT

Për të mos mbetur të karantinuar deri në Vitin e Ri, apo ndoshta deri në verën e ardhshme, duhet të ndërpritet kjo agoni parazgjedhore. Korriku është i mirë për zgjedhje pasi ka edhe simbolikën e korrjes së asaj që çdo parti apo kandidat për deputet ka mbjellë nga 2016 e këndej.

Autor: Xhelal Neziri 

Nga 19 prilli, kur me 977 raste u shënua kulmi i sëmundjes në Maqedoninë e Veriut, numri i të sëmurëve binte për 30 çdo ditë, kurse rritej i atyre që e kalonin virusin. Kështu, në fillim të muajit maj kishte diku 600 raste aktive me virusin e ri korona.

Maji filloi me një orë policore të stërzgjatur, që i lodhi qytetarët duke i mbajtur të mbyllur. Nga 1 maji e deri më 6 maj numri vazhdonte të bjerë shkaku i veprimit institucional në terren.

Por, gjithçka ndryshoi më pas. Rihapja e temës së datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme ndryshoi edhe kahjen e lakores. Në vend që numri i rasteve aktive më 21 maj të ishte zero, pra të gjithë të ishin shëruar, sot ai është 422. Ky numër është i afërt me atë të 5 majit, kur rastet aktive ishin gjithsej 427. Pra, për dy javë kemi mbajtur konstant numrin e të sëmurëve dhe sot ka tendencë që i njëjti të rritet edhe më shumë.

Ky është rezultat i lehtësimit të pabazë të masave, e që ka për qëllim vetëm plotësimin e dëshirës së pjesës më të madhe të popullit për t’u kthyer në një realitet imagjinar, pa virusin vdekjeprurës. Ky padurim kolektiv buron nga mungesa e besimit në institucione, parti politike, autoritete fetare, media, universitete dhe institute shkencore. Të jem më i drejtpërdrejtë – njërëzit nuk besojnë se ekziston koronavirusi pasi kanë humbur besimin te politikanët, hoxhallarët, mjekët, gazetarët dhe shkencëtarët. Pjesa më e madhe e tyre mendojnë se mbyllja në shtëpi ka qëllime tjera (5g, mikroçipe, illuminati) dhe se të gjithë ata që bëjnë apele për kujdes dhe respektim të masave kanë interesa personale konkrete.

Populizmi i partive në pushtet, pra dëshira për t’i pëlqyer popullit e jo për ta udhëhequr atë në këtë kohë të rrezikshme, bëri që koronavirusi të kthehet sërish, në kohën kur vendet tjera janë para fitores ndaj tij. Fushata e pashpallur parazgjedhore ndikoi negativisht në përpjekjet për çrrënjosjen e virusit. Policia u bë më tolerante ndaj mosrespektimit të orës policore dhe masave parandaluese (maska mbrojtëse, distanca sociale), qeveria filloi të mbyllë njërin sy para bashkësive fetare për organizimin e ritualeve kolektive si dhe të lejojë aktivistë të partive në pushtet të bëjnë aktivitete humanitare-politike gjatë orës policore.

Fakti se sot, – kur duhej të festonim fitoren ndaj virusit, – prapë ballafaqohemi me sëmundjen është rezultat i agonisë zgjedhore që filloi nga tetori i vitit 2019. Nga ky moment, kur vendi u përball me veton franceze dhe holandeze për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve anëtarësuese në BE, në horizont u shfaqën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Që atëherë jemi në fushatë të pashpallur ku nuk qeveriset për qytetarët, por për votuesit. Partitë nuk mendojnë për interesin e përgjithshëm, pra për çrrënjosjen e koronavirusit, por për interesin e ngushtë partiak – grumbullimin e sa më shumë votave. Në këtë kontekst absurdi qëndron në faktin se, edhe pse lehtësimi i masave sjell rrezik për shëndetin publik, prapseprapë sjell pikë politike.

Për të mos mbetur të karantinuar deri në Vitin e Ri, apo ndoshta deri në verën e ardhshme, duhet të ndërpritet kjo agoni parazgjedhore. Kjo nënkupton mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare gjatë muajit korrik dhe formimin e një qeverie politike e cila do të jetë e aftë, legjitime, legale dhe përgjegjëse për mposhtjen e sëmundjes. Korriku është i mirë për zgjedhje pasi ka edhe simbolikën e korrjes së asaj që çdo parti apo kandidat për deputet ka mbjellë nga 2016 e këndej.

Të fundit