E enjte, 12 Shtator, 2024

Mosbesimi reciprok mes qytetarit dhe shtetit

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Në fillim të pandemisë të gjitha shtetet përgatitën skenarë, strategji dhe protokolle të ndryshme shëndetësore për të parandaluar, menaxhuar dhe tani për të dalë nga kriza që shkaktoi shpërthimi i saj. Në varësi nga struktura shoqërore dhe kapacitet e ndryshme institucionale, posaçërisht atyre shëndetësore, këto masa ndryshonin nga vendi në vend. Përveç intensitetit të përhapjes së infektimit, një faktor tjetër mjaft i rëndësishëm që përcaktonte ashpërsinë e tyre ishte besimi i ndërsjellë mes qytetarëve dhe shtetit. Në qoftë se mungesa e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve është gjithmonë indikacion i funksionalitetit të një shteti, kësaj radhe mungesa e besimit të shtetit ndaj qytetarëve ishte indikator për vetëdijen qytetare. Kjo më së miri mund të ilustrohet përmes vendosjes së masave të izolimit, gjegjësisht orës policore, e cila në përkthim do të thotë që: shteti nuk beson se shumica dërmuese e qytetarëve të tij do t’i ndjekin rekomandimet e institucioneve, andaj vendos masa restriktive për implementimin e tyre.  Përderisa e gjithë Evropa (me përjashtim të Suedisë) mbylli ekonomitë dhe bizneset joesenciale, ndali ngjarjet publike dhe grumbullimin e njerëzve në masë, ora policore ishte tipike për vendet e Ballkanit, mes tyre edhe për Maqedoninë e Veriut. 

Vetëdija qytetare në thelb nënkupton angazhimin individual dhe kolektiv ndaj të mirës së përbashkët. Ky angazhim kompleks mund të manifestohet përmes aktiviteteve dhe formave të ndryshme që i kontribuojnë kësaj të mire. Vetëdija qytetare është tejet e rëndësishme posaçërisht në kohë krizash, fatkeqësisht dhe situatash të jashtëzakonshme, sepse është pikërisht vetëdija qytetare që mobilizon komunitetet, aktivizon mekanizmat e reziliencës për të reaguar, parandaluar dhe për tu rikuperuar nga pasojat.    

Por në një shoqëri të fragmentuar mbi baza të ndryshme identitare, ku ekziston mosbesim i thellë mes palëve dhe me në një diskurs publik të polarizuar është vështirë të gjendet baza për të ndërtuar sensin e përgjithshëm për të mirën e përbashkët. Kur i shtojmë këtu edhe mediumet sociale, lajmet e rrejshme dhe kampanjat e dezinformimit, ky sens i përgjithshëm humbet në kaosin e interesave grupore dhe e mira e përbashkët fragmentohet respektivisht ndaj këtyre interesave. 

Fatkeqësisht, këtë vazhdojmë ta dëshmojmë edhe tani kur sensi i përgjithshëm që mbizotëron është mbrojta e shëndetit publik. Edhe përskaj orës policore, në rrugët dhe lagjet dytësore grumbuj njerëzish vazhdojnë të sfidojnë rekomandimet nga profesionistët shëndetësor, institucionet përkatëse dhe masat restriktive të vendosura nga shteti. Kjo në një formë arsyeton mosbesimin reciprok mes qytetarit dhe shtetit, i pari për mungesë të vetëdijes qytetare duke mos respektuar rekomandimet dhe masat, ndërsa i dyti duke mos pasur kapacitet për implementimin e masave që vetë i ka imponuar. Aktorë  tjerë që luajnë rol të rëndësishëm në shoqërinë tonë në vend që të angazhohen për ta mbrojtur të mirën e përbashkët, vendosën interesat e tyre grupore në rend të parë. Ndryshe nga fillimi i pandemisë, Bashkësitë Fetare luajtën rol destruktiv duke u bërë të parit që sfiduan institucionet shtetërore për të  vënë në rend të parë interesat e tyre financiare, që pastaj duke luajtur ‘’lojën e fajtorit’’ t’i ikin përgjegjësisë, ndërsa duke përdorur inatin ti arsyetojnë vendimet e tyre. Shteti edhe këtu dështoi duke u fshehur pas sekularizmit dhe duke i lënë në baltë e të dëshpëruar të gjithë ato që u munduan t’i ndjekin rekomandimet dhe udhëzimet nga institucionet përgjegjëse. 

Me fillimin e debatit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, partitë politike u kthyen në habitatin e tyre të zakonshëm ku qëndrimet dhe veprimet merren kryekëput në bazë të interesave të tyre partiake. Dhe kështu, tani do të kemi mutacion të vazhdueshëm të qëndrimeve rreth të mirës së përbashkët, e cila natyrisht që do të paraqitet si refleksion i interesave partiake, ndërkohë që në mungesë të vetëdijes qytetare situata do të komplikohet edhe më tepër. 

Kriza gjithmonë nxjerr në sipërfaqe më të mirën dhe më të keqen nga ne dhe meqenëse kjo krizë ende nuk ka përfunduar do të dëshmojmë edhe më shumë se ç’kemi parë deri më tani. Megjithatë, roli ynë individual do të përbëj shumësinë e madhësisë së vetëdijes tonë qytetare që mund të na mbroj jo vetëm nga pandemia por edhe nga vetja.  

Të fundit