Autore: Erisa Zykaj / Bruksel
Një ditë para samititi të Zagrebit, grupimi socalist dhe demokrat në Parlamentin Europian flet për zhvillime shqetësuese lidhur me funksionimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave në Ballkanin Perëndimor.
Kryetarja e këtij grupimi, Iratxe García Pérez, ve në pah, se pas vendimit të duhur për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut fillon një proces intensiv i reformave sociale, politike dhe ekonomike deri në qëllimin përfundimtar të integrimit europian.
Ndërkohë që nënkryetarja e këtij grupimi, Kati Piri, deklaron, se edhe pse e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda një Bashkimi Evropian, vendet që dëshirojnë të anëtarësoihen duhet të tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj kritereve të dakordësuara. “Ne po shohim disa tendenca shqetësuese në rajon dhe duam të sqarojmë se nuk mund të ketë kompromis – veçanërisht jo për demokracinë, sundimin e ligjit, krimin e organizuar dhe lirinë e mediave”. thekson eurodeputetja Piri.
Grupimi socalist dhe demokrat konsideron, se procesi i zgjerimit duhet t’i kushtojë një theks më të madh konvergjencës sociale dhe ekonomike midis vendeve të Ballkanit dhe BE-së. Sipas këtij grupimi, kjo është mënyra më e mirë për të trajtuar çështjet sociale, uljen e ikjes së trurit dhe ofrimin e mundësive për të rinjtë.
Ndërkohë, që raportuesi në Parlamentin Europian për zgjerimin e BE-së, Tonino Picula rikujton, se mënyra më e mirë për tê pêrshpejtuar reformat në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut ështê hapja zyrtare e negociatave tê anëtarësimit me tê dyja vendet. Në draft-deklaratën e Zagrebit, ndihma e Bashkimit Europian që do t’i jepet rajonit është e kushtêzuar me respektimin e sundimit të ligjit, demokracisë, luftën kundër krimit tê organizuar, lirisë së shtypit dhe vlerave europiane.
Autorja është korrespondente e Tv Klan Maqedonia nga Brukseli