E premte, 26 Korrik, 2024

Populizmi postpandemisë

Autor: Sefer Selimi Jr. 

CoVid-19, KoronaVirus dhe Pandemi janë fjalët që muajt e fundit kanë dominuar përditshmërinë tonë në çdo bisedë, lajm dhe aktivitet tonin. Ajo që filloi si një krizë e largët në Vuhan të Kinës, mijëra kilometra larg shtëpive tona sot ka transformuar normalitetin me të cilin ishim mësuar të jetojmë brenda universeve tona individuale dhe kolektive. Një virus i padukshëm për syrin e lirë të njeriut sfidon të gjithë sistemin e ndërtuar politiko-shoqëror, institucionet, shkencën, arsyen dhe gjithçka që e kishim marrë për të mirëqenë. Befas gjërat që nuk kërkonin ndonjë impenjim të veçantë bëhen të komplikuara dhe gjërat të cilat deri dje kanë qenë të zakonshme kthehen në luks, shumë prej të cilave i kujtojmë me një nostalgji sikur të kishin ndodhur dekada më parë. Të ngujuar në rrethin e njerëzve të shtëpisë na mungon kafeja në çajtoren e lagjes, birra në lokalin e preferuar, takimet me miqtë e shokët. Na mungojnë kolegët, klientët të cilët herë herë edhe ndoshta na kanë ‘’bezdisur’’, na mungon ahengu, e dalura pa frikë, na mungojnë përqafimet me miqtë e zemrës… na mungon normalja ynë e përveçme dhe e përbashkët. 

Në këtë vetmi të imponuar, të ngulitur pas ekraneve televizive, laptopëve dhe celularëve tanë doemos që na hap shumë dilema dhe pasiguri për të ardhmen postpandemike. Skenarë të ndryshëm, disa të zymtë e të tjerë shpresëdhënës qarkullojnë duke u munduar të parashikojnë të ardhmen dhe kthimin në normalen e re të vjetër. Shumë nga figura të njohura botërore mes tyre edhe Henri Kisinxher, njëri nga njerëzit më me influencë në projektimin e diplomacinë moderne amerikane, ndozën alarmin e ndryshimeve që do të pasojnë në skenën globale, të nxitura nga efektet ekonomike dhe sociale që do t’i shkaktojë pandemia. Ajo që është e padiskutueshme është fakti që kjo situatë ka shkundur në themel status-quonë në të cilën ndodhej bota dhe drejtimi që do të marrin do të varret nga shumë faktor në skenën globale politike. Është njerëzore të kemi frikë, të mbyllemi dhe të izolohemi kur kemi një armik të padukshëm që e dimë se në çdo moment mund të na sulmojë por kur të kaloj ky rrezik cili do jetë rikthimi në  betejat tona të vjetra? Hovi që mori populizmi i cili u ngrit mbi akuzat se për gjithçka janë fajtore ‘’elitat e etabluara politike’’ dhe globalizmi, sollën në qeveri sharlatanë dhe njerëz mediokër që nuk besojnë as në fakte, as në shkencë dhe as në sensin e logjikës së përbashkët përveç asaj që kompetencat e tyre profesionale dhe intelektuale janë larg shpesh edhe me pritshmërinë mesatare për pozicionet e tyre . Ato u zgjodhën mbi politikat e urrejtjes, përçarjesh, frikës, ksenofobisë – idesë se gjithçka dhe gjithkush është kundër jush dhe të vetmit që kujdesen për popullin, janë ata – të ardhur nga cepi i largët i skenës politike – për të përfaqësuar popullin! 

Rritja e populizmit në nivel global duke filluar nga SHBA-të dhe posaçërisht në Bashkimin Evropian do të ketë impakt në menaxhimin e krizës aktuale por edhe në zhvillimin e botës postkorona. Populistët janë shpesh të zotët që të manipulojnë me emocionet e elektoratit por në këtë këto momente të jashtëzakonshme fjalët nuk luajnë aq shumë rol sa në kohë të fushatës. Kjo kohë kërkon njerëz profesionist, me integritet dhe kredibilitet intelektual që veprimet e tyre i ndërmarrin mbi fakte të bazuara në shkencë sepse (mos)veprimi i tyre përkthehet në jetë të humbura ose të shpëtuara njerëzish. Prandaj, me përfundimin e kësaj krize ose do të vdes populizmi ose do të vdes logjika e shëndoshë, e bashkë me të edhe intelektualizmi. /KDP

Të fundit