Autor: Xhelal Neziri
Zhvillimi i hovshëm teknologjik, globalizimi dhe gara për të fituar sa më shumë kapital për një çast ndaloi. Virusi korona, i emëruar si COVID-19, me përhapjen e shpejtë shkaku i virulencës së lartë, i vuri drynin globit. Gjithçka pushoi së funksionuari: njerëzit u mbyllën në shtëpi, fabrikat punojnë me orar të shkurtuar kurse funksionalë mbetën vetëm sektorët më bazikë për jetën – mjekësia dhe industria ushqimore.
Mungesa e informacioneve të verifikuara lidhur me simptomet, pasojat dhe jetëgjatësinë e virusit krijon frikë dhe ankth jo vetëm te qytetarët, por edhe te shkencëtarët më eminentë në botë. Virologë dhe epidemiologë të njohur botërorë nuk arrijnë të definojnë këtë lloj virusi: tamam sa thonë se simptomet kryesore janë tre, dalin raste të tjera që i demantojnë. Sa e definojnë se ka shkallë të vdekshmërisë prej 3 për qind nga numri i përgjithshëm i të infektuarve, në Itali kjo shkallë arriti në gati 14 për qind. Në çdo vend shfaqet ndryshe, godet me fuqi të ndryshme dhe shkakton telashe të ndryshme.
Por ka katër momente të cilat na bëjnë të mendojmë sikur ky virus dëshiron të na japë një mësim:
I. QASJA JOSELEKTIVE. Megjithatë, ky virus ka një qasje joselektive dhe nuk njeh nëse dikush është i pasur apo i varfër, i bardhë apo i zi, majtist apo djathtist, qeveritar apo opozitar, i Evropës, Amerikës Azisë, Afrikës apo Australisë. Nisi në Kinë, në tregun e kafshëve të egra në qytetin Wuhan, kurse pas dy muajve arriti në Time Square të New Yourkut. Për dallim nga luftërat, tërmetet, vërshimet apo fatkeqësitë tjera natyrore që ndodhin në një vend të caktuar të globit që na duket shumë larg që të ndjejmë dhembshuri, kjo pandemi nuk njeh kufi. Mungesa e ushqimit në Sudan dhe Jemen, lufta në Siri apo krimi në Meksikë merr për çdo ditë mijëra jetë njerëzish, por nuk paraqet ndonjë problem të madh për globin përderisa është problem i izoluar në ato copëza të padukshme të globit. Ngelet një problem që nuk krijon shqetësime te politikanët, pasi janë të mbrojtur me makina të blinduara e me qindra roje personale. Biznesmenët e të pasurit nuk kthejnë kokën kah vendet ku fëmijët vdesin nga uria pasi kanë kapital për të jetuar në luks për një jetë që do të zgjaste edhe 1 mijë vjet. Gazetarët nuk raportojnë për këto tragjedi sepse opinioni nuk është edhe aq i interesuar të dijë për ndodhi që janë aq larg nga ato. E ky virus na mëson se në këtë botë të globalizuar asgjë nuk ngelet e izoluar dhe askush nuk është njëqind për qind i mbrojtur. I vetmi diskriminim në këtë pandemi është lidhur me raportimin e rasteve të të prekurve apo të viktimave: nëse bëhet fjalë për një politikan, biznesmen apo për një person të njohur i jetës publike, atëherë raportohet për një individ me identitet të plotë, pra me emër e mbiemër. Në rastet tjera, të infektuarit apo viktimat janë vetëm statistikë.
II. NEVOJA PËR SHKENCËN. Edhe pse gati çdo e mirë e njerëzimit është rezultat i shkencës, duket se ajo nuk ka një respekt të pritur. Izraeli dhe Korea e Jugut janë dy vende të vetme në botë që ndajnë mbi 4 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) të tyre për hulumtime shkencore dhe zhvilluese. Më pas në listë vijnë vendet e zhvilluara si Gjermania, SHBA, Japonia, Franca, Kina, Finlanda, Australia, Taiwani, Suedia, Zvicra, Belgjika, Austria dhe Sllovenia me afër 3 për qind të BPV, ndërsa pjesa tjetër ndajnë më pak se 2 për qind. Sa për ilustrim, Arabia Saudite ndan vetëm 0.25 për qind të BPV për shkencë, ndërkohë të shpenzon 13 për qind për ushtrinë dhe mbrojtjen, që e bën lidere botërore në këtë sferë. Katari, një vend poashtu i pasur me naftë, shpenzon vetëm 0.47 për qind të BPV për shkencë, kurse për mbrojtje ushtarake deri 10 për qind. Nga vendet e Ballkanit, Maqedonia e Veriut për kërkime shkencore dhe zhvillim ndan nga 0.44 për qind të BPV, Kroacia – 0.81 për qind, Bosna e Hercegovina – 0.33 për qind, Mali i Zi – 0.38 për qind, Shqipëria – 0.05 për qind kurse Kosova – 0.7 për qind. Tani kur virusi korona kërkon një përgjigje shkencore, pra të zbulohet ilaçi dhe vaksina, të gjithë i kanë të kthyer sytë kah vendet që kanë shkencë të zhvilluar. Paratë e shpenzuara në mbrojtje ushtarake duken si një investim i shkuar huq pasi ushtria, aeroplanët supersonik, tankset dhe sistemet antiajrorë nuk bëjnë punë në luftën kundër këtij virusi.
III. VETËDIJA PËR INTERESIN E PËRGJITHSHËM. Ky virus përfundimisht do ta mësojë qytetarin egoist se hapësira e përgjithshme është e të gjithëve, e nuk mund të ndahet tërësisht nga prona private. Qytetari egoist është i prirur të mos jetë i interesuar për pronën dhe pasurinë publike. Çdo gjë që është jashtë pragut të shtëpisë së tij është një hapësirë e huaj, që nuk i hyn në punë atij e sipas mundësisë mund edhe ta përvetësojë apo shfrytëzojë. Në të njëjtën mënyrë e trajton edhe interesin e përgjithshëm: nëse nuk i sjell dobi vetëm atij, qytetari egosit nuk është i interesuar të angazhohet që të gjithë të përfundojnë nga mundi i tij. Atij nuk i intereson bile as prona e përgjithshme, siç është buxheti i shtetit, komunës, ministrisë apo drejtorisë. “Nuk janë paratë e mia”, thotë. Tani bindet se mbrojtja nga virusi nuk bëhet duke u mbyllur brenda mureve të shtëpisë së tij, e as nga resurset personale. Mposhtja e virusit varet nga të gjithë, është problem i të gjithëve dhe kërkon një vetëdije për hapësirën dhe interesin e përgjithshëm. Virusi imponon një vetëdije të munguar te qytetari egoist, duke i dhënë mësimin se kjo sëmundje mund të çrrënjoset vetëm nëse të gjithë janë të shëruar, se buxhetit i shtetit është poaq përcaktues sa ai familjar, se shëndeti publik është poaq i rëndësishëm sa ai personal, se respiratorët në klinika janë poaq të nevojshme sa kondicionerët në shtëpi dhe se disiplina publike është më e rëndësishme sesa ajo në shtëpi. Pra, virusi mbase do ta bëjë qytetarin egoist të kuptojë se interesi i përgjithshëm është një tërësi mbrojtëse e interesave të çdonjërit veç e veç.
IV. HUMANIZMI DHE SOLIDARITETI. Miqtë e mirë njihen në kohë të vështira, thotë populli. Kryeministri shqiptar Edi Rama në fillim tha se në luftën globale me virusin korona, çdo shtet është i vetëm. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e kritikoi Bashkimin Evropian (BE) se nuk ndihmon vendin e tij dhe e lavdëroi Kinën dhe Rusinë për ndihmat. Kina dhe Rusia po shfrytëzojnë krizën për të përdorur një “fuqi të butë” apo një “diplomaci-maskash” për të përfituar simpatitë e opinionit dhe për të nxirë imazhin e BE-së. E vërteta është se është pikërisht BE dhe vendet e saja që dërgojnë ndihmë fillestare në pajisje mjekësore – maska, respiratorë, veshje dhe ilaçe – dhe ndihmë për rigjenerim ekonomik në vlerë prej afër 400 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në mënyrë plotësuese do të kenë qasje në fondin solidar evropian, kurse si anëtare të NATO-s edhe në mbrojtjen dhe luftimin e virusit. Përveç humanizmit dhe solidaritetit midis popujve dhe shteteve, ky virus na imponon edhe atë ndërnjerëzor, të pronarit të biznesit me punëtorin, të pasurit me të varfrin, të shitësit me blerësin dhe të pacientit me mjekun. Këto vlera humane në marrëdhëniet shoqërore janë të domosdoshme nëse ende shpresohet se, pasi të mposhtet virusi, do të mund të kthehet normaliteti jetësor. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev kohë më parë propozoi rrogë minimale për të gjithë administratën dhe funksionarët me qëllim të formimit të një fondi solidar. Por, qeveria në fund miratoi shkurtime të rrogave vetëm të funksionarëve – administratorët edhe ashtu kanë rroga nën shumën e nevojshme (450 Eur) për shportën harxhuese (500 Eur). Ky propozim i Zaevit social-demokrat më shumë ngjau me masa të së djathtës ideologjike, e cila në radhë të parë ka interesin e biznesmenëve. Por, në rastin e virusit korona të gjithë biznesmenët botërorë dhurojnë miliona për kapërcimin e kësaj situate dhe nuk presin edhe aq shumë nga shteti për humbjet që do t’i kenë. Nuk ka më ideologji të majtë e të djathtë, por ideologji të shëndetit. Kjo duhet të jetë e qartë edhe për biznesmenët e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të rajonit, pjesa më e madhe e të cilëve janë ngritur duke mjelë buxhetin publik dhe duke eksploatuar mundin e taksapaguesit. Pas donacionit të kompanisë farmaceutike Alkaloid, këtë duhet ta bëjnë të gjitha kompanitë e suksesshme që kanë marrë tenderë nga shteti.