Këto dy ngjarje, padyshim, tashmë do të vendosin një paradigëm tjetër qeverisjeje, e cila do të duhet që të implementojë brenda vizionit të saj standarde që kërkohen nga NATO dhe BE. Dhe, pikërisht këto standarde, ky sistem vlerash që i nënkupton integrimi europian dhe anëtarësimi në NATO, jep shpresë së Maqedonia e Veriut domosdoshmërisht do të duhet të tejkalojë praktikat shkel e shko, të cilat përgjatë kësaj periudhe të dhimbshme të tranzicionit janë shndërruar në mendësi politike improvizimesh.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Pandemia e virusit korona ka lënë nën hije të gjitha ngjarjet tjera. Dhe, s’ka si të jetë ndryshe, kur jeta njerëzore përballet me kërcënimin më të madh në nivel botërore që nga Lufta e Dytë Botërore. Pikërisht, ky fakt, ndërkohë është theksuar nga shumë liderë botërorë. Gjithçka është paralizuar në një kufizim të domosdoshëm që tash për tash mbetet e vetmi ilaç për t’u përballur me këtë virus. Pikërisht, ky kufizim lëvizjeje, sipas të gjitha parashikimeve do të ndikojë edhe në dimensionet e jetës ekonomike të qytetarëve të mbarë botës, ndërkohë që është paralajmëruar edhe një recesion i mundshëm, sikundër që ishte ai i vitit 2008.
Virusi korona e ka futur gjithë globin në një dimension tjetër, në një realitet kufizimesh të domosdoshme, që nuk dihet se kur mund të përfundojnë. Secili shtet, përveç masave për mbrojtjen e jetës njerëzore ka ndërmarrë edhe masa tjera ekonomike për të bërë shpërndarjen ndryshe të të mirave publike, në kushte krejtësisht të reja të diktuara nga kriza e përgjithshme e virusit korona.
Gjersa shkencëtarët në gjithë globin po punojnë për përcaktimin e natyrës së virusit dhe të gjetjes së një vaksine të mundshme, në nivel global po zhvillohet edhe debati mbi të ardhmen ekonomike të shteteve, të cilat tashmë duhet injektojnë financa të drejtpërdrejta për mbajtur gjallë ekonomitë dhe bashkë më këtë për të siguruar mbijetesën e qytetarëve në rrethana të papërjetuara më parë.
Edhe në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë, me shumë ngërçe dhe me shumë paqartësi është hapur debati mbi masat ekonomike, të cilat pritet së shpejti të miratohen nga qeveria. Përfaqësuesit qeveritarë kanë vënë në dukje mungesën kapaciteteve buxhetore, ndërkohë që kanë paralajmëruar shkurtime në pagat e administratës, që është kundërshtuar në opinion. Sidoqoftë, qeveria ka insistuar në këtë masë si një formë e solidaritetit me sektorin privat, i cili mendohet se në këtë situatë do të rrezikohet seriozisht.
Pas një fillimi të mirë me menaxhimin e situatës me virusin korona, qeveria ka zvarritur masat ekonomike, ndërkohë që në opinion janë shtruar dilemat nëse gjithë kjo dramë me masat urgjente dhe paralajmërimet për krizë buxhetore po sajohen me qëllim nga qeveria për të “zhvatur” nga pjesa e administratës, e cila vlerësohet të këtë paga të ulëta në raport me shportën harxhuese për një muaj. Përkundër pakënaqësive të shfaqura, përfaqësues qeveritarë, sidomos lideri i partisë në pushtet, Zoran Zaev, ka insistuar me tone “melodramatike” për një solidarizim në rrethana kur shteti nuk mund të përballojë “vrimën” buxhetore të shkaktuar nga kriza e virusit korona. Nuk kanë munguar në mediat online edhe shpalime tjera, të cilat ndërlidhen me premtimet e qeverisë të udhëhequr nga LSDM përgjatë periudhës tre vjeçare. Sidomos premtimet për kthim të parave të personave që në mënyrë të paligjshme kanë përfituar gjatë qeverisjes së mëparshme.
Sidoqoftë, në rrethana të një debati që determinohet nga përballja me virusin korona, dy lajme të mira vijnë për Maqedoninë e Veriut. Shteti i brishtë, i zhvatur gjatë kohë, i tranzicionit të përjetshëm, tashmë është anëtare e NATO-s dhe ndërkohë ka hapur bisedimet për anëtarësim në BE. Janë dy lajme, dy ngjarje komplementare, që hapin një horizont të ri për gjithë qytetarët e Maqedonisë. Duket se përfundimisht, Maqedonia e Veriut, po futet në dimensione tjera afirmimesh perëndimore, të cilat gjatë kohë kanë qenë pritje e vazhdueshme për qytetarët.
Pa shumë eufori, nën hijen e pandemisë së virusit korona, këto dy ngjarje shënojnë një rinisje të re, një mundësi të re për të tejkaluar gjithë atë defetizëm disavjeçarë, që ka mbajtur të paralizuar energjitë për ndryshim, për reforma aq shumë të kërkuara nga përfaqësuesit e BE-së. Anëtarësimi në NATO dhe çelja e bisedimeve me BE, janë momente shpresëdhënëse për gjithë qytetarët që përgjatë rrugëtimit gati tre dekadash janë përballur me qeverisje tipike ballkanike, me praktika të pashembullta të improvizimeve të përhershme që kanë krijuar depresion të vazhdueshëm dhe mosbesim ndaj politikës.
Këto dy ngjarje, padyshim, tashmë do të hapin një paradigmë tjetër qeverisjeje, e cila do të duhet që të implementojë brenda vizionit të saj standarde që kërkohen nga NATO dhe BE. Dhe, pikërisht këto standarde, ky sistem vlerash që i nënkupton integrimi euro-atlantik, jep shpresë së Maqedonia e Veriut domosdoshmërisht do të duhet të tejkalojë praktikat shkel e shko, të cilat përgjatë kësaj periudhe të dhimbshme të tranzicionit janë shndërruar në mendësi politike.
Ndryshimi i mendësisë politike mbetet dimensioni kryesor për t’iu dhënë impulsin e domosdoshëm procesit të integrimeve që tashmë ka një moment shndërrimi kualitativ dhe një moment për të reflektuar në gjithë planimetrinë e jetës institucionale dhe shoqërore. Nëse deri më tani, qeveria, politikat, nuk kanë pasur një referencë vlerësimi dhe kanë mundur të proklamohen si parulla partiake, tashmë ky proces nënkupton një evoluim të përhershëm, një monitorim dhe një llogaridhënie karshi institucioneve europiane, të cilat paraprakisht në nivel europian kanë miratuar metodologjinë e re të bisedimeve, që është e ndryshme nga ajo paraprakja, pikërisht në kriteret për të afirmuar sistemin e vlerave europiane jashtë improvizimeve dhe retorika të mësuara përmendësh këtu në Maqedoninë e Veriut.
Nën hijen e virusit korona, kufizimeve që vijnë nga kjo situata dhe riprogramimeve institucionale, debati mbi përbrendësimin e standardeve duket pak i pamundshëm. Por, me kalimin e kohës, pas mundjes së këtij virusi “fodull” që rrezikon jetëra njerëzish, ashtu siç shpreson fort e gjithë bota, ky debat do të jetë esencial për rrugën euro-atlantike. Ka shumë gjëra për t’u debatuar që kanë mbetur nën rrënojat e fasadave politike. Përfundimisht, do të kërkohet një qeverisje shumë më transparente dhe më efikase dhe shumë më tepër llogaridhënie nga institucionet.
Këto dy ngjarje, padyshim ofrojnë mundësinë e një transponomi të madh institucional dhe shoqëror. Anëtarësimi në NATO dhe çelja e bisedimeve janë dritë shprese në fund të tunelit të tranzicionit të dhimbshëm. Një transponim i gjithanshëm mendësie politike dhe qeverisjeje do të krijonte predispozitën e nevojshme për të përafruar qenësinë tonë me vlerat dhe standardet të kultivuara në BE. Ky imperativ tashmë ka prapa vetes dy frymëzime komplementare që krijon hapësirë mundësish për të ecur përpara drejt një sistemi të mirëqenë vlerash. Kjo do të thotë më shumë investime, më shumë demokraci, më shumë transparencë, më shumë llogaridhënie. Kjo do të thotë më shumë liri në kuptimin politik dhe kulturor, më shumë mirëqenie dhe promovim të një mendësie që përkon me mendësinë europiane. /KDP