E premte, 26 Korrik, 2024

“Plan sekret” mund të mos ketë, biseda sekrete për kufij ka pasur

Enver Robelli

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është afër, sinjalizonte presidenti Donald Trump në dhjetor 2018. Para tij, në gusht 2018, këshilltari për Siguri Nacionale, John Bolton, theksonte se SHBA-të nuk do të kundërshtojnë “shkëmbimin e territoreve” mes Serbisë dhe Kosovës dhe nënvizonte se “ka shenja të reja” se palët “janë të gatshme të negociojnë për këtë”. Më qartë një diplomat nuk mund të flasë. Idenë e kanë shoqëruar me tekste mbështetëse edhe intelektualë me ndikim si Ivan Krastev apo ish-diplomati austriak Wolfgang Petritsch. Për kufijtë hapur kanë folur presidentët e Kosovës dhe Serbisë. Njëri duke thënë se Kosova e merr Luginën e Preshevës, tjetri duke treguar se është folur që edhe pjesë të Anamoravës t’i bashkohen Serbisë. Ndoshta ndërkohë ideja për shkëmbim territoresh është varrosur. Këtë do ta kuptojë opinioni i Kosovës mbase këtë vit. Dhe do të shihet kush e tha të vërtetën: Albin Kurti që me ton pothuaj panikmbjellës alarmoi se “ekziston një plan” për prekjen e kufijve apo Avdullah Hoti, kandidati i mundshëm i LDK-së për kryeministër, i cili po thotë se kjo është përrallë. Ndërsa sa i përket shqetësimit të europianëve që Trump po “përzihet në kopshtin tonë”, duhet thënë: europianët kanë fjetur me vite.

Jo për t’ia prishur entuziazmin atyre që pas deklaratës së fundit nga SHBA-të thonë se gjithçka ka qenë dramë e panevojshme, sepse “nuk ka plan sekret për shkëmbimin e territoreve”, por për hir të së vërtetës duhet renditur faktet që tregojnë se gjithsesi prekja e kufijve ka qenë pjesë e bisedave mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

1.

Në verë të vitit 2018 presidenti i Kosovës nisi një seri konferencash për shtyp, prononcimesh publike dhe takimesh me përfaqësues të Luginës së Preshevës. Me atë rast ai njoftoi opinionin se ka ardhur dita dhe koha që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Me sforcimin e lajmit se Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës, synohej të qetësohej opinioni para se të kuptonte se një pjesë e veriut të Kosovës do t’i jepej Serbisë. Nën presionin e opinionit kryetari i Kosovës më shumë se njëherë ka krijuar përshtypjen se Kosova s’jep asnjë milimetër, ndërsa Serbia do ta pranojë Kosovën, duke ia dhënë Kosovës edhe një pjesë të Preshevës. Tingëllon si përrallë. Gjithsesi është iluzion epokal të besohet se Serbia e bën këtë pa e marrë një copë të territorit të Kosovës në veri apo gjetiu. Përkrahësit e idesë për shkëmbim territoresh në biseda konfidenciale kanë thënë se kryetari i Kosovës “nuk e ka prezantuar bindshëm idenë në opinion”, “nuk ka qenë bashkëpunues me klasën politike”, “nuk ka komunikuar si duhet”, “përherë ka tentuar që krejt procesin dhe meritat eventuale t’i ruajë për vete”.

2.

Idenë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës e përkrahu kryetari i komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i tanishëm i LDK-së, madje me premtime bukur të zëshme. Me këtë gjuhë politike shtyhej gjithsesi agjenda për “korrigjim të kufijve”. A e ka bërë këtë me a pa vetëdije kryetari i Gjilanit, mbetet të shihet në të ardhmen.

3.

Më 24 gusht 2018 këshilltari i atëhershëm për siguri nacionale i Donald Trumpit, John Bolton, në një konferencë për media në Kiev të Ukrainës tha: SHBA nuk e kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. “Mendoj se ka shenja të reja për atë se të dy qeveritë janë të gatshme të negociojnë për këtë. (…) Politika jonë, politika e SHBA-ve është që ne nuk i përjashtojmë korrigjimet territoriale, nëse të dy palët përpilojnë një gjë të tillë mes vete dhe mund të arrijnë një pajtim”. Këto janë fjalët e Boltonit. Ky është një sinjal i qartë se në bisedimet mes kryetarit kosovar dhe kolegut të tij serb është folur edhe për kufijtë, ndryshe Bolton nuk do të thoshte se udhëheqjet janë të gatshme për këtë.

4.

Nga mesi i dhjetorit 2018 presidenti Donald Trump i dërgoi një letër kryetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Në letrën dërguar presidentit Hashim Thaçi, Trump shkruante se i përshëndet përpjekjet për pajtim me Serbinë dhe apelonte që të shfrytëzohet ky shans i papërsëritshëm. Mosshfrytëzimi i rastit do të ishte tragjik, porosiste Trump. Sepse, shtonte ai, një rast i ri nuk do të vijë shpejt. Trump theksonte se do të ishte i gëzuar t’i priste në Shtëpinë e Bardhë kryetarët e Kosovës dhe Serbisë për të kremtuar “marrëveshjen historike”. Marrëveshja, sipas Trump, është shumë afër për t’u arritur. Ky ka qenë një sinjal tjetër se negociatat përkatëse mes dy palëve, domethënë kryetarit të Kosovës dhe atij të Serbisë, janë zhvilluar. Letra e Trumpit erdhi pak javë pasi kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, vendosi tarifa ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake. Tarifa përkohësisht e bllokoi fushatën për promovimin e “korrigjimit të kufijve”. Por në verë të vitit të kaluar ndodhën dy gjëra: Partia Demokratike e Kosovës paralajmëroi se do të mund të largohej nga qeveria nëse Haradinaj nuk i heq tarifat. Ndërsa Haradinaj befas u ftua nga Gjykata Speciale. Ai e mori si shkas këtë thirrje për të dhënë dorëheqje, ndonëse nuk kishte aktakuzë. Dorëheqja e tij duket më shumë pretekst për të ikur nga posti në mënyrë që të mos heq tarifën. Haradinaj i ka përshkruar presidentin kosovar, atë serb dhe kryeministrin e Shqipërisë si politikanë që po bënin plane për ta ndarë Kosovën dhe pasurinë e saj.

5.

Që nga vera e vitit 2018 një sërë personalitetesh ndërkombëtare kanë zhvilluar aktivitet të dendur lobues për “zgjidhjen e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës”. Më 28 janar 2019 njëri nga intelektualët më me ndikim nga Europa Lindore, bullgari Ivan Krastev, botoi një editorial në “New York Times”, ku kritikonte “kryeqytetet europiane” që ua ndaluan presidentit serb dhe atij kosovar të flasin për “korrigjimin” e kufijve të tyre. Krastev nuk e akuzonte BE-në për pengim të debatit për kufijtë, sepse kryediplomatja e atëhershme Federica Mogherini dhe ekipi i saj ishin pajtuar me këtë. Krastev i akuzonte kryeqytetet europiane, Berlinin dhe Londrën. Ai theksonte se ndryshimi i kufijve nuk është asnjëherë ide e mirë, por “t’u thuash udhëheqësve të zgjedhur se nuk mund t’i dizajnojnë raportet mes vendeve të tyre po ashtu nuk është ide e mirë”. Mesazhi i editorialit të Krastevit ishte ky: kryeqytetet europiane nuk duhet t’i pengojnë kryetarët e Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një zgjidhje, qoftë ajo edhe prekje e kufijve. Ngjashëm ka argumentuar edhe Wolfgang Petritsch. Sipas tij shkëmbimi i territoreve është “një shans i vërtetë”. Petritsch nuk është person pa informata. Së pari ai ka një karrierë të gjatë si diplomat austriak dhe i BE-së në rajon, së dyti ai punon për një zyrë avokature në Vjenë, e cila këshillon qeverinë e Serbisë (mes tjerash kjo zyrë e ka përfaqësuar Serbinë në betejën juridike për të penguar pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të futbollit). Më 6 shtator 2018 Petritsch i tha një intervistë “Deutsche Welles”, ku thoshte: “Kanë rrjedhur informacione se të dy presidentët kanë folur apo paramenduar një shkëmbim territoresh”. Për të çuar përpara një plan të tillë është kontaktuar edhe një ish-sekretar shteti i një vendi europian. Lidhur me këtë ai ka marrë mendimet e disa ekspertëve dhe gazetarëve që mbulojnë Ballkanin.

6.

Diplomatë të Kosovës kanë thënë (në kushte anonimiteti, natyrisht) se diplomatë amerikanë ia kanë bërë me dije kryetarit të Kosovës se “nuk ka vija të kuqe” në diskutimet mbi zgjidhjen e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është kuptuar siç është thënë: mund të flitet për çdo temë, edhe për korrigjim kufijsh.

7.

Në mars të vitit të kaluar Franca ka theksuar po ashtu se nuk ka vija të kuqe sa i përket zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës. “Nuk kemi vija të kuqe kur bëhet fjalë për zgjidhjen e kontestit Serbi – Kosovë, që do të thotë se do të pranojmë çdo gjë për të cilën merren vesh këto dy vende”, tha ambasadori francez në Beograd, Frédéric Mondoloni në një intervistë për televizionin N1. Dhe shtoi: “Ne nuk jemi për ose kundër (ndryshimit të kufijve). Nëse zgjidhja është e pranueshme për të dy palët dhe sjell stabilitet për rajonin, për ne është e pranueshme”. Presidenti Emmanuel Macron e ka takuar kryetarin e Kosovës – dhe në takim, siç shihet në fotografi, ka qenë i pranishëm edhe një deputet francez i Parlamentit Europian, i cili me vite ka qenë pjesë e botës së shërbimit sekret francez dhe i ngarkuar për veprimtari në Ballkan. Sinjale se e mbështesin “korrigjimin e kufijve” kanë dërguar edhe politikanë austriakë.

8.

Kryetari i LDK-së dhe vartësit e tij kanë dhënë premtime të mëdha se në procesin negociator nuk do të flitet për kufijtë e Kosovës. Avdullah Hoti, i cili po përmendet si emër i mundshëm për kryeministër, i ka quajtur përralla njoftimet se ka plan për shkëmbim territoresh. Ndoshta ndërkohë ideja për shkëmbim territoresh është varrosur për shkak të rezistencës së madhe në Europë dhe në rajon. Këtë do ta kuptojë opinioni i Kosovës mbase këtë vit. Dhe do të shihet kush e tha të vërtetën: Albin Kurti që me ton pothuaj panikmbjellës alarmoi se “ekziston një plan” për prekjen e kufijve apo Avdullah Hoti, i cili prekjen e mundshme të kufijve e quan opsion kashelashash. Sidoqoftë, për liderët e LDK-së është mirë të mos japin shumë betime solemne, sepse mund të mbesin të hutuar në fund të procesit për shkak se ka disa vite që negociatat me Republikën e Serbisë janë monopol i presidentit dhe këtë, në fund të fundit, e kanë toleruar të gjitha partitë, me përjashtim të VV-së, e cila ka qenë në opozitë gjatë gjithë kohës, me përjashtim të 52 ditëve të Albin Kurtit si kryeministër. Rrjedhimisht, këto parti, herët apo vonë, do të vrapojnë pas agjendës apo cakut që ka skicuar presidenti i Kosovës. Ramush Haradinaj ka dhënë sinjale se tarifa do të hiqet, sepse atij, siç ka thënë, i mjafton garancia amerikane se nuk ka plan sekret për ndarje. E nëse ndodhë e kundërta dhe preken kufijtë e Kosovës me Serbinë dhe Haradinaj dorëzohet si në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, atëherë ndoshta ai i shkon për vizitë Edi Ramës në vilën qeveritare në Vlorë apo Himarë, ku mund t’i marrë paratë që i ka fituar Edi Rama nga shitja e Trepçës. Politika shqiptare i ka edhe anët e saj humoristike.

9.

Muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse Albin Kurti e nxiti rënien e tij nga pushteti për shkak se i besoi informatave apo gjymsëinformatave se Kosovën e pret një marrëveshje shumë e keqe, e cila ia copëton kufijtë, andaj Kurti, sipas këtij versioni, s’deshi të marrë përgjegjësi. Ose ndoshta si kryeministër ai ka marrë informata të dorës së parë se çka e pret Kosovën, ka dashur të qëndrojë në post dhe të kundërshtojë, por LDK nuk e ka lënë për shkak se presioni nga i dërguari i Donald Trumpit për rajon ishte tepër i madh. Por, vetë Kurti në ditën kur u rrëzua nga posti tha se nuk e ka parë marrëveshjen. Në këtë mjegull i vetmi që e di të vërtetën e plotë është kryetari i Kosovës. Çka nëse marrëveshja e negociuar është e keqe, por jo katastrofale dhe parasheh që Serbia të pranojë Kosovën si shtet? A është e mundur që presidenti, i cili është një kryemjeshtër i prapaskenave dhe kurtheve dhe gjithsesi ka përparësinë e pasjes së informacionit të dorës së parë, t’i ketë dërguar apo dhënë Kurtit qëllimisht sinjale se marrëveshja është tashmë e negociuar në mënyrë që Kurti të acarohet edhe më shumë drejt kundërshtimit të marrëveshjes dhe si rezultat i kësaj të bie nga pushteti për shkak se LDK nuk ishte e gatshme ta përkrahë më tutje? Nëse marrëveshja parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, ky do të jetë aduti që do ta përdorë kryetari i Kosovës për të ilustruar “sukseset” e tij. Këto, tani për tani, janë vetëm supozime, por duhet marrë në konsideratë për të plotësuar tablonë e zhvillimeve të fundit politike në Kosovë. Një gjë mund të thuhet me siguri të plotë: edhe nëse ekziston një marrëveshje sekrete, këtë SHBA-të nuk do ta thonë publikisht. E vërteta tjetër është kjo: gjatë gjithë këtyre viteve në emër të Kosovës ka negociuar një president që ka frikë reale se mund të marrë ftesë nga Gjykata Speciale si dëshmitar apo i akuzuar. Mund të merret me mend se gjatë negociatave me presidentin serb, me emisarët amerikanë dhe europianë presidenti i Kosovës e ka pasur parasysh edhe fatin e tij personal, jo vetëm atë të vendit.

10.

Deklarata e mbrëmshme e lëshuar nga Departamentit i Shtetit se “nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim të tokës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” në lexim të parë tingëllon në rregull, por vetëm në lexim të parë. Profesori Daniel Serwer shkroi kështu në blogun e tij: “Ngjashëm si shumë deklarata tjera të qeverisë, edhe kjo na tregon më shumë bazuar në atë që nuk e thotë, sesa në atë që është thënë, ndonëse përfshin një gjë të rëndësishme: fjalinë në fund që i referohet njohjes reciproke. Por, duhet theksuar se edhe aty nuk përmendet një gjë. Nëse shkëmbimi i territoreve nuk është duke u negociuar, atëherë është dashur të shkruajë ‘njohje reciproke brenda kufijve të tyre ekzistues’, apo ‘njohje reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial’”. Ndoshta ky është një interpretim tepër i njëanshëm i Daniel Serwerit. Ndoshta këtë e sqarojnë përgjegjësit e administratës së Donald Trumpit. Gjithë këtë spektakël europianët (sidomos Gjermania) po e përcjellin me njëfarë shqetësimi e zemërimi që Donald Trumpi po përzihet “në kopshtin tonë”. Kështu u bën vaki edhe kopshtarëve që i zë gjumi. Futen të tjerët në kopsht, kapin ndonjë gjë ose ngulin ndonjë hu.

Të fundit