E diel, 12 Maj, 2024

OSMANI: ÇELJA E NEGOCIATAVE VENDIM HOSTORIK QË RIKTHEU OPTIMIZMIN  

Në një intervistë ekskluzive për KDP, zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani, çeljen e negociatave me BE e ka vlerësuar si një vendim historik, që ofron perspektivë dhe benifite për gjithë qytetarët. Sipas tij, nën hijen e pandemisë së virusit korona, ky lajm krijon optimizëm, sepse hapet perspektiva europiane për Maqedoninë e Veriut. Osmani beson se bashkërisht do të tejkalohet situata me pandeminë. “Do e tejkalojmë këtë situatë. Unë jam i bindur. Ne kishim situatë të ngjashme edhe në 2009 me çështjen e H1 N1 , por ia dolëm atëherë, do ia dalim edhe tash. Nuk ka nevojë për panik, vetëm duhet kujdes, duhet respektim i rekomandimeve”, thekson Osmani.

Pjesë nga intervista në formën e shkruar mund ta lexoni në vazhdim, ndërsa intervistën e plotë në formën multimediale mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.

Intervistoi: Xumadije Ibrahimi

KDP: Z.Osmani, vendimi i vendeve anëtare të BE-së që t`i japin “dritë jeshile” Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave, nuk është një dhuratë, por paraqet një vendim të pastër politik si mirënjohje për progresin thelbësor ndaj reformave. Kështu deklaruat dje në një konferencë për media. Çfarë e pret vendin në të ardhmen?

BUJAR OSMANI: Në fakt, dje, thashë se nuk është as dhuratë, as vendim politik, është diçka krejtësisht e merituar si rezultat i progresit të arritur në implementimin e reformave në vend, në fqinjësinë e mirë, në mbylljen e temave politike, në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Dhe vërtet ky vendim është historik. Edhe pse gjithë kjo shkoi nën hijen e kësaj që po ndodhë me pandeminë e virusit, mirëpo edhe ajo që porosita dje në fjalimin se pandemia do kalojë, jeta do të kthehet, mirëpo këto vendime do mbesin jo vetëm si udhërrëfyes, por edhe si mundësi që japin perspektiva të reja jo vetëm vendit, por çdo familje dhe çdo individi në vend. 20 vite jemi në këtë rrugëtim. Para 20 viteve kemi nënshkruar marrëveshjen për stabilizim asocim. Nga viti 2005, 15 vjet pra jemi kandidatë dhe tash pas 15 viteve pritje, 11 refuzime, kishim këtë këshill që e aprovoi provimin në fazën e fundit, ose në pjesën e fundit të rrugëtimit tonë drejt BE, që tani më  do të përfundojë me anëtarësim të plotë në BE. Andaj, pavarësisht zhurmës që e krijon pandemia edhe ndoshta nuk mund të shpërthente si lajm i madh ky vendim i djeshëm, unë mendoj që secili qytetarë, dje e ka pasur një fije shprese e ka parë si një dritë në fund të një tuneli të gjatë i ngarkuar tani edhe më tepër me këtë pandemi. Te njerëzit ka rikthyer optimizmin se jeta do vazhdojë dhe ka një perspektivë të mirë për të gjithë. Jam i lumtur personalisht që jam pjesë e kësaj elite politike, e cila mundësoi në një mënyrë të vijmë deri në këtë ditë, por normalisht meritat iu shkojnë të gjithë qytetarëve që në asnjë moment nuk humbën entuziazmin edhe përkundër të gjitha frustrimeve që u shkaktuan, ata asnjëherë nuk e zbehen entuziazmin e tyre për anëtarësim në BE si e vetmja alternativë për vendin tonë, për njerëzit që jetojnë këtu. Natyrisht që nuk do të thotë anëtarësim i plotë por do të thotë faza e fundit në këtë drejtim dhe tani na pret një punë e vëllimshme. Bisedimet janë një prej operacioneve më të vështira dhe më të kompiluara që një administratë shtetërore duhet t’i kalojë, por duke marrë parasysh benefitet që sjellin vetë bisedimet, mendoj që do të jetë e vështirë për politikanët, për administratën, për institucionet, por njerëzit do kenë vetëm benefite nga këto bisedime.

KDP: Vendimi është marrë pa kushte plotësuese. Me këtë, Komisioni Evropian i ka duart e lira që të fillojë ta formojë të ashtuquajturën kornizë negociuese. Do të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare, që do të thotë fillimi zyrtar i negociatave. Kur do të ndodh kjo?

BUJAR OSMANI: Deri më tani kemi pasur vështirësi të marrim vendim për fillimin e bisedimeve për shkak të vetos greke, franceze, holandeze e kështu me radhë. Ajo për të cilën ne kemi aspiruar këto 15 vite u mor dje. Ne morëm vendimin për fillimin e bisedimeve. Kur merret vendimi nga vendet anëtare japin pëlqimin për t’i filluar bisedimet dhe autorizojnë komisionin që të përgatit kornizën negociuese, që pastaj është baza mbi të cilën zhvillohen bisedimet. Secili vend fut elementet, të cilat mendojnë që janë prioritet për atë vend. Zakonisht merr disa javë përgatitja e kornizës negociuese dhe në momentin kur do aprovohet kjo kornizë, ashtu kërkon vendimi, që menjëherë, pa vonesë të mbahet mbledhja e parë ndërqeveritare në të cilën fillojnë normalisht bisedimet.  Në ato mbledhje ndërqeveritare, delegacioni shtetëror i Maqedonisë së Veriut, unë jam shef i delegacionit shtetëror në bazë të vendimit të qeverisë, do duhet atje të shkojë dhe para përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të japë ose të prezantojë pozicionet tona mbi kornizën negociuese dhe pastaj aty në një ceremoni rasti fillojnë bisedimet, me çka grupet e punës fillojnë të shkojnë në Bruksel. Fillon skriningu real ose në fakt vazhdon skriningu, aty ku e kemi lënë dhe në fakt fillon më hapja klasterave të reja, ose kapitujve të mëparshëm.

 KDP: Cili është mesazhi juaj?

BUJAR OSMANI: Mesazhi është që do e tejkalojmë këtë situatë. Unë jam i bindur. Ne kishim situatë të ngjashme edhe në 2009 me çështjen e H1 N1 , por ia dolëm atëherë, do ia dalim edhe tash. Nuk ka nevojë për panik, vetëm duhet kujdes, duhet respektim i rekomandimeve. Natyrisht do të ketë pasoja ekonomike. Duhet të jemi solidar në kësisoj situate, secili t’i ndihmojë njëri-tjetrit, t’iu ndihmojmë fqinjëve. t’i ndihmojmë shtetit, shteti t’iu ndihmojë njerëzve. Tani solidarizimi duhet të vijë në shprehje, që të gjithë ndoshta nga pak do të dëmtohemi, por të gjithë ta mbijetojmë këtë situatë edhe në aspektin shëndetësor edhe në atë ekonomik.

 

https://www.facebook.com/KlubiDebatitPolitik/videos/828319640998353/

Të fundit