E shtunë, 27 Korrik, 2024

NE JEMI EVROPIANË, JEMI NATO

Autor: Xhelal Neziri

Pandemia e COVID-19 ka mbyllur në shtëpi pjesën më të madhe të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, duke ngjallur kështu një frikë dhe pasiguri për atë që do të sjellin ditët në vazhdim. E njëjta gjendje është e pranishme te qytetarët anembanë botës – zymtësi, ankth dhe trishtim.

Në këto ditë, që u ngjajnë filmave apokaliptikë, duket se më shumë preket shëndeti mental i tufave politike sesa mushkëritë e pacientëve me virusin korona. Kokteje të çuditshme ideologjike-religjioze të nihilistëve të papërmirësueshëm, të bashkuara rreth projekteve politike në gjeografinë shqiptare, duken si të çoroditur në hapësirën publike: as nuk çajnë kokën se çfarë mund të sjellë virusi në ditët apo muajt e ardhshëm, e as çfarë do të sjellë politika e tyre e çmendur në planin afatgjatë. Për këto kokteje të rrezikshme eksperimentale do të rikthehemi në ndonjë rast tjetër në të ardhmen, kur virusi do të jetë e kaluar dhe me këtë efekti i koronës mbi kokat e mercenarëve cerberë të vetshkatërrimit do të jetë më i butë.

Tani, të kthehemi te hallet reale të qytetarëve, të cilat nuk mund të zgjidhen as me ideologji e as me sofizma populiste. Virusi korona do të kalojë, por atë që e pret qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm është vërtetë sfiduese: recesioni i filluar global do të prekë më shumë ekonominë e brishtë të vendit dhe rajonit, gjë që mund të prodhojë nus-efekte tjera për sigurinë.

Thonë se miqtë e vërtetë shihen në kohë të vështira. Pikërisht në këtë kohë kur jetojmë me ankthin e së panjohurës për ditët e ardhshme, NATO dhe BE sollën lajmet e mëdha. Me përmbylljen e procedurës në Departamentin e Shtetit Amerikan, pasi të gjitha shtetet e kishin miratuar protokollin e anëtarësimit, Maqedonia e Veriut realizon orientimin strategjik për të cilin kanë punuar disa gjenerata politikanësh vizionarë që nga viti 1992 – bërjen pjesë e NATO-s si organizatë më e fuqishme ushtarako-politike në Botë. Ditë më parë, krerët e shteteve dhe qeveritë e BE miratuan përfundimet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’u jepet ata e shumëpritur dhe e merituar për fillimin e bisedimeve anëtarësuese. Dy vendet e Ballkanit, tani si anëtarë të NATO-s dhe si kandidatë që kanë hyrë në procesin negociues për të qenë pjesë e BE-së, do të kenë qasje në fondet e solidaritetit dhe do të përfshihen në luftën e përbashkët kundër armikut të padukshëm.

Kjo garanci për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve, që ofrojnë strukturat Euro-Atlantike, janë lajmet e mira në këto kohë të zymta nëpër të cilat po kalon qytetërimi botëror shkaku i virusit që e ka origjinën nga Kina. Anëtarësimi i plotë në NATO dhe futja në rrugën njëdrejtimëshe për në BE do t’i bëjnë këto vende pjesë e sistemit mbrojtës nga të gjitha rreziqet e ndikimeve infektuese, të cilat mbajnë peng zhvillimin ekonomik dhe përparimin e gjithmbarshëm të tyre.

Po, Maqedonia e Veriut tani më është anëtare e 30-të e NATO-s bashkë me Shqipërinë, Greqinë, Bullgarinë, Kroacinë e Slloveninë. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në procesin e negocimit për anëtarësim në BE, njëjtë si Mali i Zi dhe Serbia. Edhe pse në ankthin e korona virusit, gati të gjithë qytetarët festuan dhe iu gëzuan këtyre lajmeve. Është vërtetë realizim i ëndrrës për liri, barazi, demokraci, shtet ligjor dhe respektim të të drejtave të njeriut, si vlera themelore dhe të pakontestueshme mbi të cikat janë ngritur NATO dhe BE. /KDP

Të fundit