Vetëm një ditë pas rrëzimit të Qeverisë së Kosovës, Departamenti Amerikan i Shtetit doli me një reagim të përbashkët të tre zyrtarëve të lartë amerikanë, duke hedhur poshtë deklarimet për një plan të fshehtë për shkëmbime territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo përgjigje e të dërguarit special të presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, erdhi pas një sërë akuzash se ekziston një marrëveshje sekrete mes palës kosovare dhe serbe, me ideatorë presidentët, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq.
Lidhur me këtë çështje, analistët politik në vend thonë se reagimi amerikan është një sinjal i mirë për institucionet e Kosovës, por edhe një kërkesë e qartë që tarifa 100 përqind duhet të hiqet tërësisht, për të rinisur negociatat.
Kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij nga partneri qeveritar – LDK, e ndërlidhi me atë që quajti marrëveshje presidenciale për shkëmbimin territorial.
Kurse, partneri i tij qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës veprimin edhe pse në kohë të pandemisë CoVid-19, e arsyetoi me dëmtimin e raporteve të SHBA-së nga ana e Kurtit për mos heqjen e tarifës si dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita si ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Çështja e kufijve, ishte nisur nga presidenti Thaçi në verën e vitit 2018 kur proklamonte idenë e tij për “korrigjim të kufirit” mes të dyja vendeve pa u specifikuar se çfarë do të thoshte ajo.
Por edhe pse me dialog të pezulluar për shkak të tarifës 100 përqind, këtë fillimvit mes Kosovës dhe Serbisë, u nënshkruan tri marrëveshje me ndërmjetësim të Richard Grenell.
KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, kishte arritur t’i sigurojë marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë bërë për korridorin hekurudhor, ajror dhe për autostrada mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kurse, vetëm një ditë pas deklaratës së përbashkët të Departamentit Amerikan të Shtetit, emisari special i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e shohin si opsion shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për televizionin T7, ai tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i kishte premtuar se do ta hiqte tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe Bosnje Hercegovinës.
“Kurrë s’është ngritur si çështje në praninë time e kam thënë edhe më pasë në Twitter, por disa po zgjedhin të mos na besojmë dhe kjo u përket atyrë. Janë vetëm thashetheme. Unë nuk nuk e shoh si opsion shkëmbimin e territoreve”, tha ai.
Ai ka thënë se janë thashetheme planet e përmendura se ekziston një plan për ndarjen e Kosovës.
“Kurrë nuk është ngritur në praninë time. Nuk është diçka që e kam parë dhe që kam lexuar. Kjo nuk hera e parë që ka thashememe. Janë thashethme. Ne e kemi thanë disa herë, por disa po zgjedhjen të mos na besojnë. Fakti është qe nuk kam parrë kurrë një marrëveshje sekrete”, thotë ish-ambasadori i ShBA-së në Berlin.
“Unë personalisht nuk besoj. Nuk e shoh si opsion”, tha ambasadori Grenell kur u pyet se a mund të ketë mundësi që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë të përfshijë edhe shkëmbimin e territoreve.
Menjëherë ndaj këtyre deklaratve, ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka treguar se në dy herët që është takuar me Grenellin, asnjëherë nuk i ka thënë se do ta heq tarifën, pa reciprocitet.
Në anën tjetër, Eliot Engel kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një deklaratë ka thënë se është thellësisht i shqetësuar në “taktikat” që administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përdorë mbi Kosovën.
A i hoqi dilemat deklarata e amerikanëve?
Valmir Ismaili nga organizata joqeveritare, Demokraci Plus (D+) thotë për KALLXO.com se është folur shumë në diskursin politik në Kosovë që ka një marrëveshje të fshehtë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, sipas tij asnjëherë askush nuk ka paraqitur asnjë dokument që do të dëshmonte një gjë të tillë.
“Natyrisht që kësaj amullisë së krijuar në lidhje me ekzistimin ose jo të një marrëveshje finale, i ka kontribuar mos-transparenca e madhe që e ka përcjellë procesin e dialogut në përgjithësi, përfshirë edhe këto dy marrëveshjet e fundit për vijat ajrore dhe hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.
Kjo, dhe deklaratat e ndryshme nga shumë zyrtarë të përfshirë në dialog, siç thotë Ismaili, kanë krijuar një atmosferë që shkonte në favor të krijimit të besimit se ekziston një marrëveshje e fshehtë.
“Tani, deklarata e Departamentit të Shtetit Amerikan se nuk ekziston një plan për shkëmbim të territoreve dhe marrëveshje finale, është një sinjal i mirë që do të duhej të përdorej nga institucionet kosovare. E para, tarifa do të duhej të hiqej pa ndonjë shtyrje të mëtejme, dhe e dyta, askush nuk do të duhej të frikësohej se tashmë më nuk ka çka dialogohet sepse vetëm ekziston marrëveshja në tavolinë”, shton ai.
Në këtë mënyrë, Ismaili verëson se është krijuar një momentum për rifillim të dialogut.
“Deklarata e fundit e Departmentit të Shtetit është një ‘armë’ që i vihet në dispozicion delegacionit kosovar nëse kurdo, për çfarëdo arsye, sjellet në tavolinë të dialogut ndonjë marrëveshje e arritur në mënyrë të fshehtë. Kjo deklaratë e krijon mundësinë e tërheqjes nga dialogu nëse servohet diçka e tillë”, përfundon ai.
Ndërkaq, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, thekson se reagimi amerikan tregon se nuk ka pas diskutime në Uashington për shkëmbime territoriale.
“Derisa janë tre njerëzit më kryesor që janë në Uashington që lidhen edhe në politikën e jashtme amerikane por njëkohësisht edhe në çështjen e dialogut, janë deklaruar se nuk ka një marrëveshje sekrete e cila lidhet me “korrigjimin e kufijve apo me ndarjen e Kosovës, atëherë po mendoj që është tashmë e qartë që kjo temë nuk ka qenë temë diskutimi së fundi në Washington, po ashtu mund të jetë edhe një interepretim që Uashingtoni nuk është ndihmës i një teme të tillë që është fol qysh moti”, thotë ai për KALLXO.com.
Demhasaj shton se secila qeveri që mund të vjen në pushtet, do ta ketë presion heqjen e tarifës.
“Çfarëdo qeverie që të krijohet tash me të gjitha matematikat që mund të bëhen, ajo qeveri kur të krijohet, qysh në ditën e parë presioni do të ekzistojë për me heq tarifën, me u kthy në proces të dialogut dhe shpejt ndoshta me pas një marrëveshje e cila pastaj mund të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Reagimet pas takimit në Shtëpinë e Bardhë
Njohës të politikës amerikane karshi vendeve të Ballkanit, duke u thirrur në burime të tyre brenda Shtëpisë së Bardhë kishin deklaruar se në takimin e fundit në Uashington mes presidentëve Thaçi e Vuçiq dhe njerëzve të afërt të presidentit Trump është diskutuar ndarja e Kosovës.
KALLXO.com mblodhi deklaratat e njerëzve të përfshirë në këto diskutime në lidhje me epilogun e dialogut Kosovë-Serbi.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në fillim të këtij muaji, në një seancë të Kuvendit deklaroi se ka pasur një ide që të ketë një marrëveshje për shkëmbime territoriale mes Hashim Thaçit e Aleksandër Vuçiqit, ku do të ishte pjesë edhe veti ai.
“E di që ka pasur një ide se do të mund të bëhet midis presidentëve edhe me mua si kryeministër një marrëveshje për shkëmbim territorial. Unë, këtu para jush deklaroj, Presidenti aktual i Republikës së Kosovës nuk ka autorizim për marrëveshje me Serbinë dhe së dyti nuk ka fuqi implementuese për çfarëdo marrëveshje që mund ta imagjinoj ai. Kjo nuk do të ndodhë”, kishte thënë Kurti më 2 mars në Kuvendin e Kosovës.
Pak ditë më vonë pas Kurtit, deklaratë kishte dhënë edhe profesori amerikan Edward Joseph, që thoshte se në Uashington ishte diskutuar për ndarjen e Kosovës.
Deklarata e profesorit Joseph kishte ngritur reagime në Kosovë e Amerikë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i cilësuan deklaratat lajme të rreme.
“Është zhgënjyese të shohësh se si disa analistë mund të krijojnë me lehtësi planet e tyre trilluese (shkëmbim tokash, ndarje, autonomi) dhe t’ua atribuojnë atyre që po përpiqen të bëjnë një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë. Përhapja e planeve dhe lajmeve të rreme nuk e ndihmojnë procesin”, ka shkruar Thaçi më 7 mars të këtij viti.
“Lajm i rremë. Kjo kurrë nuk është diskutuar në praninë time. Edward Joseph është i pamatur këtu”, kishte qenë reagimi i ambasadorit Richard Grenell në Facebook.
Ndërsa që mund të ketë një marrëveshje sekrete mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë e ka pati thënë në emisionin Jeta në Kosovë edhe ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Daniel Serwer.
“Ajo çka ne dimë është prej njerëzve në Prishtinë dhe në Beograd, dhe kjo duket si një marrëveshje për shkëmbim territoresh, si një marrëveshje që nuk do të sjellë anëtarësimin në OKB dhe që do t’i ofronte Asociacionit të Komunave Serbe më shumë se ajo që ka thanë Gjykata Kushtetuese që është e lejueshme. Pra, në aspekt të asaj se sa afër janë palët për arritjen e marrëveshjes është ende e dyshimtë, por Shaun dhe unë kemi menduar që ka mjaftueshëm tym prandaj kemi vendosur që është më mirë që zjarri të fiket më herët se sa më vonë”, kishte thënë Daniel Serwer javën e kaluar në emisionin Jeta në Kosovë.
Një nga më të zëshmit kundër idesë së shkëmbimit të territoreve ka qenë edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Në një intervistë dhënë për televizionin Top Channel në Shqipëri, Haradinaj kishte deklaruar se ka pasur një projekt për ndarjen e Kosovës, por s’ka dhënë detaje të tjera.
“Kur e kam parë ku mundet me më ardhur vija e ndarjes, jam detyru me ba. Ky projekti i korrigjimit e di ku ka pasë më pru vijën e ndarjes. Ka ekzistu ai projekt. Ka pasë edhe harta”, kishte thënë Haradinaj në fillim të këtij viti në një intervistë për Top Channel.
E pas të gjitha këtyre diskutimeve, me 26 mars ShBA-të mohuan të ketë “plan të fshehtë”.
“Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime të tokave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhor dhe autostradë midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se kjo vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e DASh-it.