E premte, 4 Tetor, 2024

Qeverisë në detyrë i kërkohet ndarja e mbi 300 milionë eurove për sektorin privat

Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, i kanë kërkuar Qeverisë në detyrë në Kosovë, që të prezantojë pakon e masave emergjente që synojnë të ofrojnë mbështetje ndaj ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia me koronavirus.

Sipas këtyre institucioneve, autoritetet përgjegjëse duhet të ndajnë së paku 300 milionë euro për këtë fazë, me qëllim të mbështetjes së sektorit privat.

“Duke pasur parasysh impaktin tejet negativ që pandemia COVID-19 ka pasur në tërë sistemin ekonomik dhe vonesën e institucioneve për t’u dalë në ndihmë ndërmarrjeve të prekura, një numër i madh i punonjësve të vendit do të mbeten pa të ardhura që nga muaji mars. Një situatë e tillë do të ndikonte në thellimin e mëtejmë të gjendjes, tashmë të vështirë sociale në vend”, është thënë mes tjerash në komunikatë.

Aktualisht në Kosovë është raportuar për 86 persona të infektuar me Covid-19, sëmundje që shkakton koronavirusi i ri.

Deri më tani një pacient ka vdekur me koronavirus në këtë shtet.

Përpara rrëzimit, Qeveria ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Ajo po ashtu ka marrë vendim edhe për kufizim të lëvizjes brenda disa orëve në ditë, masë me të cilën nuk është pajtuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar interpretim kushtetues të këtij vendimi.

Të fundit