E shtunë, 12 Tetor, 2024

VJEN QËNDRIMI I WASHINGTONIT: NE JEMI ME POPULLIN E KOSOVËS, S’KA PLAN TË FSHEHTË PËR SHKËMBIM TERRITORESH

As ka plan të fshehtë për shkëmbim territoresh e as i dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Ky është qëndrimi i përbashkët i të dërguarit special presidencial Richard Grenell, ambasadorit Philip Kosnett dhe Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ndaj pretendimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për ekzistimin e një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë.

Në deklaratë edhe një herë bëhet thirrje për heqjen e taksës 100 për qind me Serbinë, ndërkohë që është rikonfirmuar mbështetja e SHBA-së për popullin e Kosovës, njofton KDP.

Më poshtë e keni deklaratën në tërësi:

“Shtetet e Bashkuara janë me popullin e Kosovës. Ne i çmojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, me rrezik të madh, për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim krerët e Kosovës që të ndjekin Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues.

Për më tepër, ne vazhdojmë t’i nxisim liderët e Kosovës që të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat po dëmtojnë popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë edhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme – dhe duke penguar rritjen ekonomike.

Ne duam të sqarojmë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbime të tokave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial Richard Grenell nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradë midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se kjo vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë.”

Të fundit