E shtunë, 12 Tetor, 2024

Koronavirusi, pandemia që mund të përcaktojë fatin e përballjes SHBA-Kinë

Ndërsa COVID-19 po vazhdon të përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara, analistët janë përqendruar me të drejtë mbi pasojat e mundshme shëndetësore dhe ekonomike. Por kjo pandemi, është duke diktuar zhvillimin më të rëndësishëm gjeopolitik të shekullit XXI:rivalitetin mes SHBA-së dhe Kinës, mbi atë se kush do e drejtojë botën në të ardhmen.

Mënyra se si do i menaxhojnë Uashingtoni dhe Pekini pasojat e pandemisë së koronavirusit në javët në vazhdim, mund të përcaktojë se kush do ta udhëheqë rendin ndërkombëtar dekadat e ardhshme. Tek e fundit, siç e shpjegoj në një libër të ri, pandemitë globale kanë kontribuar shpesh në ngritjen dhe rënien e fuqive të mëdha në të kaluarën.

Në shekullin V Para Krishtit, Athina ishte fuqia më e madhe e Greqisë së lashtë. Ajo ishte një shtet i pasur tregtar, qendra e artit dhe kulturës greke, dhe një fuqi detare që e kishte udhëhequr me sukses Aleancën Deliane në luftë kundër Perandorisë së fuqishme Persiane.

Por gjatë Luftën Peloponeziane kundër rivales së saj Spartës, Athina u godit nga një epidemi e rëndë në vitin 430 Para Krishtit. Studiuesit modernë, besojnë se ka qenë një epidemi e tifos e ardhur nga Afrika e Veriut. Sëmundja e shfarosi popullsinë e Athinës, e dërrmoi ushtrinë e saj, dhe madje i mori jetën udhëheqësit të saj më të mirë, Perikliut.

Para epidemisë, Athina ishte shumë pranë fitores, por e dobësuar nga sëmundja, ajo u detyrua të nënshkruajë një paqe të përkohshme në vitin 421 Para Krishtit. Kur rifilluan luftimet, Athina u mund nga Sparta, dhe forma e saj demokratike e qeverisjes u rrëzua nga spartanët fitimtarë.

Një fat të ngjashëm pati Republika e Venedikut. Sot, ne e shohim Venecian si një destinacion të mrekullueshëm turistik. Por në fund të Mesjetës dhe fillim të periudhës së hershme moderne, ajo ishte një superfuqi.

Venecia ka të ngjarë të ketë në atë kohë qyteti më i pasur në botë, fuqia më e madhe tregtare dhe detare. Ajo kontrollonte territorin, portet tregtare dhe kolonitë nga Italia kontinentale, në të gjitha rajonet e Mesdheut dhe Detin e Zi. Gjithsesi, ashtu si Athina, edhe Venecia u përball me raste të përsëritura të epiodemisë.

Murtaja Italiane e viteve 1629-1631, besohej se e kishte origjinën në Kinë, dhe prej andej u përhap në Perëndim, duke ndjekur trajktoren e të famshmes Rruga e Mëndafshit. Si një qendër e madhe tregtare, Venecia ishte ndër më të goditurat.

Ndërsa autoritetet bënë çmos për ta luftuar epideminë (fjala karantinë vjen nga fjala në dialektin venecian që do të thotë ‘40 ditë’), por nuk ishte e mjaftueshme. Murtaja Italiane, ndikoi në një ndryshim të madh në ekuilibrin evropiane të pushtetit, teksa Venediku ra, ndërsa shtetet e Evropës Veriore, si Anglia dhe Republika Holandeze, u ngritën për t’u bërë fuqi të mëdha gjeopolitike.

Siç thoshte dukur Ciceroni, paratë janë vektorët e pushtetit. Kina po raporton aktualisht ecurinë e saj ekonomike më të keqe ndër dekada. Tregu i aksioneve në SHBA është në rënie të lirë, teksa ekonomistët parashikojnë një recesion të afërt.

Që të dy fuqitë do të dobësohen ekonomikisht, por jo në mënyrë të barabartë. Aftësia e tyre relative për të “lundruar” në mesin e kësaj stuhie, do të përcaktojë kur dhe ndoshta edhe nëse, Kina mund ta kapërcejë SHBA-në, si fuqia më e madhe ekonomike në botë.

Në rafshin diplomatik, në garën SHBA-Kinë ekziston një element ideologjik, pasi shumë analistë e shohin modelin e drejtuar nga shteti autoritaro-kapitalist i Kinës, si një alternativë të zbatueshme ndaj sistemit demokratik të tregut të hapur që përfaqëson Amerika.

Për t’u përballur me COVID-19, Partia Komuniste Kineze u përpoq që ta fshehë epieminë, gjë që vetëm sa i përkeqësoi gjërat. Por pas një reagimi të ngadaltë, Kina vendosi masa drastike, dhe duket se e vendosi sëmundjen nën kontroll.

Analistët janë tani sy e veshë, për të parë nëse Shtetet e Bashkuara demokratike, do të jenë më të afta që ta përballojnë këtë krizë. Siç ndodh shpesh në shoqëritë e lira, qeveritë vendore dhe aktorët privatë, si universitetet ashtu dhe ligat sportive profesioniste, kanë ndërmarrë veprime më të vendosura sesa qeveritë kombëtare.

Por ekspertët paralajmërojnë, se do të nevojitet një veprim më i fortë në nivel federal. Suksesi i përgjigjes së SHBA-së, do të formësojë perceptimet globale mbi efikasitetin relativ të demokracisë përkundrejt autokracisë.

Dhe kjo nga ana tjetër, do të ndikojë në gjendjen globale të SHBA-së, fuqisë së saj të butë dhe aftësisë së saj për të tërhequr aleatët e lëkundur në orbitën e vet, dhe jashtë sferës së ndikimit të Kinës.

Ndërkohë në fushën ushtarake, Komisioni i Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes për vitin 2018, paralajmëroi se Lufta e Trete Botërore me Kinën, është një skenar i mundur, dhe se Shtetet e Bashkuara, kanë gjasa edhe ta humbasin atë.  COVID-19 do të ndikojë mbi personelin ushtarak, dhe gatishmërinë e të dyja palëve, por edhe mbi strategjitë e qeverive kombëtare.

Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, besojnë se pasiguria mbi ekuilibrin e fuqisë ushtarake dhe zgjidhjen e kësaj çështje, është shkaku kryesor i konfliktit. Nëse qeveria amerikane është e fokusuar në reagimin ndaj katastrofave në shtëpi, dhe nëse ka për shembull një shpërthim epidemik tek personelit ushtarak amerikan, a do ta mendonte Pekini që tani është koha e duhur për të vepruar kundër Tajvanit?

Sigurisht, rreziqet e një lufte SHBA-Kinë mbeten të ulëta, por gjasat janë më të mëdha se sa disa javë më parë, dhe pasojat do ishin potencialisht katastrofike. Për fatin e mirë të SHBA-së, studimi im tregon se demokracitë në përgjithësi, ua kalojnë rivalëve të tyre autokratikë në garat e mëdha për pushtet dhe ndikim.

Nuk ka kohë për të humbur. Ndërsa udhëheqësit amerikanë, po përgatisin reagimin e tyre ndaj koronavirusit, ata duhet të mendojnë jo vetëm mbi krizën emergjence të shëndetit publik, por edhe për të ardhmen e udhëheqjes globale amerikane.

Shënim: Matthew Kroenig, është drejtor i Nismës së Strategjisë Globale në Qendrën Skaukroft për Strategji dhe Siguri në Këshillin Atlantik. Ai është edhe autori i librit “Rrithimi i rivalitetit mes fuqive të mëdha:Demokracia përkundrejt autokracisë, nga bota e lashtë, deri tek SHBA-ja dhe Kina”.

Nga Matthew Kroenig / “National Interest” – Bota.al

Të fundit