Autor: Xhelal NEZIRI
Funksionari i lartë CDU-së dhe kandidati më serioz për të marrë kreun e partisë nga Angela Merkel,- Friedrich Merz,- para pesë ditëve njoftoi se është testuar pozitiv me virusin korona, të quajtur COVID-19. Në ditët e para kishte përjetuar një lodhje dhe rritje të temperaturës, por në ditën e pestë raportoi se gjendja e tij po normalizohet ndërsa temperatura po bëhet më e ulët. “Dita e pestë. Simptomet bëhen më të dobëta, por shqetësimet e mia për zhvillimin ekonomik janë duke u bërë më të forta. Ne duhet të mendojmë thellësisht se si të ruajmë vendet e punës e si t’i shpëtojmë kompanitë nga bankroti”, shkroi Merz në Twitter.
Është një deklaratë e cila e ngre Merzin mbi nivelin e politikanit, pra në atë të burrështetasit. Ai nuk mendon për zgjedhjet e ardhshme në parti, ku duhet të zëvendësojë kancelaren Merkel, e as për zgjedhjet e radhës në Gjermani. Bile nuk ve në dyshim se mjekësia dhe shkenca gjermane do t’i japin përgjigje kësaj sëmundje. Shqetësimi i Merz janë humbja e vendeve të punës për mijëra gjermanë dhe mbyllja e qindra fabrikave gjermane, si pasoja që do të lë pas sëmundja.
Prandaj, jo vetëm Gjermania por e tërë bota i ka sytë kah institutet dhe laboratorët edhe në kohën kur shkencëtaret rrudhin krahët e nuk i gjejnë dot përgjigje kësaj situate. Serioziteti i situatës duket se ka bërë që edhe politikanët më kryeneç e arrogantë të ulin kokën e të dëgjojnë këshillat e ekspertëve. Shumë shtete të prekura kanë deklaruar mbyllje totale, ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre edhe gjendje të jashtëzakonshme. Armiku i padukshëm i ka bërë të gjithë që të drejtojnë sytë kah ekspertët, shkencëtaret e institutet hulumtuese.
Është nisur një garë e pashpallur se kush do të vijë i pari te vaksina apo ilaçi kundër kësaj sëmundje. Në këtë garë shtetet ndahen në dy grupe – me arsim e shkencë të zhvilluar, apo me arsim dhe shkencë të pazhvilluar. Në një situatë të tillë, shtetet e grupit të dytë i kanë varur shpresat te ato të grupit të parë. E shohin se nuk mund të bëjnë asgjë në luftën me këtë armik mikroskopik. E vetmja gjë që mund të bëjnë është të mbajnë situatën nën kontroll nëpërmjet vet-izolimit të njerëzve që shëndetësia e brishtë të mund të trajtojë të sëmurit.
Elita politike e shteteve të grupit të dytë është duke u bindur për gabimin që kanë bërë në shkurtimin e fondeve për modernizimin e shëndetësisë, për anashkalimin e shkencës, për injorimin e instituteve kërkimore dhe për nënçmimin e shkencës. Ata politikanë që mendjen e kanë pasur te përqindjet që do të marrin nga tenderët për ndërtimin dhe modernizimin e shëndetësisë – tash e shohin se paraja që kanë fituar nuk mund t’i bëjë imunë nga sëmundja. Me milionat që kanë fituar nuk mund të gjejnë askund një vend të sigurtë për t’u strehuar me familjet e tyre. Në këtë luftë e me këtë armik nuk mund të gjesh një vend të sigurtë ku të shkosh refugjat.
E njerëzit e këtyre shteteve tash po binden se investimi në arsim e shkencë është më vizionar sesa investimet në ndërtimin apo modernizimin e kishave, xhamive apo objekteve tjera të kultit. Askush sot nuk pyet sa kisha e xhamia kemi, por sa shtretër, mjek, infermeiere dhe makina për frymëmarrje. Është kjo një kohë vetë-reflektimi edhe për qasjen tonë ndaj natyrës. Mos vallë viruset janë anti-trupthat e natyrës kundër infektimeve që ne ia shkaktojmë?
Dhe në tërë këtë gjendje që duket apokaliptike për botën, kur pritet të mendohet e reflektohet me seriozitet, politikanët në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë duket se ende mendojnë për zgjedhjet e ardhshme. Përplasja PS-PD në Shqipëri vazhdon edhe për maskat e munguara dhe për (keq)menaxhimin e situatës, politikanët në Shkup vazhdojnë me fushatë edhe në kohën e virusit duke mbajtur konferenca shtypi çdo një orë, kurse kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkoi më tutje – shkarkoi Ministrin e Brendshëm Agim Veliu, pa konsultim me partnerin e koalicionit LDK-në, nga e cila varet kabineti i tij. E kjo e fundit, pa menduar aspak, ka nisur mocionin për rrëzimin e qeverisë Kurti.
E tash kthehemi te Merz dhe shqetësimi i tij kundrejt shqetësimit të politikanëve të Ballkanit. Edhe në këtë kohë të pandemisë, kur në pikëpyetje është vënë fati i miliona njerëzve, njeriu i Ballkanit mbetet një politikan i ulët, duke menduar vetëm për zgjedhjet e ardhshme, e assesi të ngritët në niverlin e burrështetasit (apo gruashtetases) që mendon për gjeneratat e ardhshme.
Nëse vet-izolimi zgjat më shumë se dy muaj, atëherë mijëra punëtorë nga industria e shërbimeve dhe turizmit do të ngelin pa punë, shumë biznese do të mbyllen shkaku i mungesës klientëve dhe e tërë ekonomia do te gjendet para kolapsit. Nëse kësaj ia shtojmë edhe varësinë e ekonomisë së shteteve ballkanike nga eksporti në Gjermani, atëherë periudha që vjen bëhet edhe më e zymtë. Kjo nga shkaku se Gjermania po ashtu përgatitet për një krizë ekonomike që do të ndikojë negativisht në blerjen e mallrave nga Ballkani. Nëse autorietet politike në Shkup, Tiranë e Prishtinë mendojnë për të ardhmen e qytetarëve, atëherë nuk duhet që egot dhe sedrat personale t’i vënë mbi nevojën e mobilizimit të gjithëmbarshëm të kapaciteteve humane për ta mposhtur virusin. Pasi të jetë mposhtur, mbase gjendja do të imponojë një inkluzivivitet në qeverisje, një kabinet të formatit të zgjeruar apo të pajtimit kombëtar, me qëllim të menaxhimit me sukses të krizës së shkaktuar nga virusi korona. /KDP