E hënë, 7 Tetor, 2024

BE pajtohet që Lajçak të jetë Përfaqësues i posaçëm për dialogun

Në mesin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian është arritur pajtimi që Miroslav Lajçak, të emërohet edhe formalisht si Përfaqësues i posaçëm për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për disa çështje të tjera të angazhimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nga burimet diplomatike në BE mësohet se vendimi për emërimin e Lajçakut do të merret javën e ardhshme, në ndonjërin prej takimeve të Këshillit të ministrave të bllokut.

Ideja ishte që këtë emërim ta bëjnë ministrat e Jashtëm, gjatë takimit të paraparë për të hënën, por kjo mund të shtyhet për më vonë gjatë javës, pasi dokumenti për mandatin e Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së duhet të ndryshojë.

Disa shtete kanë kërkuar që në tekstin e mandatit të bëhet e qartë se fokusi i punës së Përfaqësuesit të posaçëm të jetë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më shumë sesa çështjet tjera në rajon, siç është pajtimi apo diplomacia publike.

Po ashtu, disa shtete kanë kërkuar që të sqarohen edhe raportet që të sqarohen edhe raportet që do të ketë Lajçak me përfaqësuesit e posaçëm të BE-së në Prishtinë dhe Sarajevë.

“Për emërimin e Miroslav Lajçak ka pajtim, por ende pritet të sqarohen disa hollësi rreth mandatit”, tha një diplomat i BE-së.

Këshilli i BE-së – që është institucioni që ka përgjegjësinë për emërimet e përfaqësuesve të posaçëm që zakonisht emërohen për shtete dhe rajone problematike -është po ashtu në pritje të ndryshimeve të procedurave, pasi shumica e takimeve zhvillohen përmes videove online, pa praninë fizike të ministrave në Bruksel, pas përhapjes së koronavirusit të ri.

Sipas rregullave ekzistuese, për të pasur mundësi të vendimmarrjes në takimet e Këshillit të ministrave, të pranishëm fizikisht duhet të jenë së paku gjysma e tyre. Por, për shkak të krizës së shkaktuar nga përhapja e koronavirusit, fizikisht është e pamundur të ketë një kuorum të tillë.

Sekretariati i Këshillit dhe shërbimi ligjor janë duke e shqyrtuar mundësinë, që për një kohë kalimtare, të mund të merren vendime edhe me procedurë të shkruar dhe kjo mund të bëhet në rastin e emërimit të Lajçakut. Nëse lejohet që vendimet të merren në formë të shkruar, atëherë emërimi i Lajçakut mund të bëhet në cilindo prej takimeve të ministrave të BE-së në Këshill.

Për vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të mërkurën, Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Përfaqësuesi i lartë dhe kryeministri diskutuan edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Përfaqësuesi i lartë përsëriti qëndrimin e BE-së se tarifat duhet të hiqen pasi ato janë një pengesë për bashkëpunimin rajonal, i cili sot është më i nevojshëm se kurrë. Është e rëndësishme për Kosovën që të drejtojë një proces negociator përfshirës me Serbinë në formatin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka njoftuar Komisioni Evropian pas kësaj bisede telefonike.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre, pasi Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018 vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Serbia ka kushtëzuar kthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e taksës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Kosovës që të heqë taksën, me qëllim që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut.

Të fundit