E premte, 4 Tetor, 2024

Debati cinik për milionat, pas epidemisë

Plani financiar për zbutjen e pasojave të koronavirusit, ka ndryshuar tonet e politikës më vend. Ilir Meta, ndryshe nga fillimi i krizës, duket më normal, më i qetë dhe më bashkëpunues, por ka këtë merakun e lekëve pas krizës.

Lulzim Basha ka gjetur një zgjidhje më dembele, siç pritej. Të gjithë në shtëpi, shteti të paguajë.

Edi Rama ndërkohë, ka premtuar se javën që vjen mund të ketë një plan të zbutjes së pasojave financiare të koronavirusit.

Nga gjithë ky debat, lajm i mirë është që dy drejtuesit e opozitës hoqën dorë nga roli i “mjekëve” që jepnin receta kundër koronavirusit, dhe u kthyen tek lekët.

Lajm i keq është se brenda opozitës, karantina ka sjellë përçarjet e saj, njësoj si sherret brenda familjeve.

Ndërkohë që Basha e Meta bëhen më normalë, Sali Berisha duket se po çmendet dhe më tepër.

Deklaratat e tij të marra, shpikjet se si një 50- vjeçar ka vdekur nga karantina para dy ditësh në Memaliaj, ndërkohë që karantina në Qarkun e Gjirokastrës fillon nesër, apo sajime të tij të përditshme për ngjallje paniku, janë në dispropocion me qëndrimet e Bashës, biles dhe të Metës, në këtë histori.

Por përpjekja për të pasur një plan urgjent për financimin e krizës do të jetë një dështim. Ajo që mund të bëjë qeveria dhe mund të premtojë, është sigurimi i gjërave bazike për popullsinë, sigurimi i ushqimit dhe shërbimeve bazike. Pasojat e tjera financiare nuk mund të parashikohen pa mbaruar kriza, biles pa filluar mirë.

Çdo plan që do tingëllojë si premtim politik, mund të përmbyset nga pasojat reale që mund të ketë kjo krizë, ashtu siç mund të jenë të ekzagjeruara, nëse kemi fat dh e kalojmë pa shumë pasoja.

Një plan real do të ishte mire të bëhej, atëhere kur kurba të bjerë dhe të duket dritë në fund të tunelit. Deri atëhere, duhet që Qeveria të marrë përsipër mbijetesën nga kriza, të monitorojë importet e ushqimeve dhe sendeve bazike, si dhe të hartojë plan social për mbijetesën e të moshuarve të vetmuar, që janë me shumicë në Shqipëri, për shkak të emigracionit.

Asgjë më të dhimbshme nuk ka në këtë periudhë se një brez i tërë të moshuarish, që nuk kanë fëmijët pranë dhe që janë të rrezikuarit e mëdhenj të epidemisë. Ata janë brezi më i rrezikuar dhe brezi që ka bërë më shumë sakrifica se ne, për këtë vend.

Lista e parë që duhet të bëjë qeveria dhe t’ia shpërndajë çdo bashkie për t’u qëndruar tek koka, është kjo listë. Të tjerët që kanë familje dhe që duhet të qëndrojnë mbyllur në shtëpi, u mjafton sigurimi i ushqimeve dhe ilaçeve.

Përpjekja për të bërë debat për miliona e miliarda, para syve të miliona njerëzve që urojnë të dalin gjallë e të kenë çfarë të hanë të nesërmen, është cinizëm i tepëruar.

Kjo nuk do të thotë që Qeveria të mos bëjë llogaritë e saj, por para tyre duhet të sigurojë jetën e qytetarëve, sidomos të moshuarve të vetmuar, dhe pastaj qytetarëve që janë mbyllur në shtëpi. Dhe hap pas hapi të sigurojë mbijetesën e atyre bizneseve prodhuese që mund të funksionojnë.

Kur rreziku të kalojë, natyrisht që duhet një plan ringritje ekonomike, por është e gabuar që tani, kur është në pyetje ekzistenca, të imponohet një debat për miliardat e së ardhmes, që duhet t’i gjejë Qeveria./GazetaTema

 

Nga Mero Baze

Të fundit