E premte, 26 Korrik, 2024

MALL PËR ARBËRINË!

Autor: Sefer Tahiri 

Kishim ecur shumë, gati se tërë ditën nëpër Arbëri. Ishte pasdite e bukur prilli me diell pranveror në Frasnitën e frashëllinjve. Ishim lodhur shumë dhe kishim nevojë për të pirë ujë! U lëshuam rrugës me gurë të gdhendur të këtij fshati me stilin e veçantë të arkitekturës.

Disa nga kolegët e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup kishin mbërritur më herët tek një shtëpi, e cila rastësisht kishte pasur dyert hapur! Kishin pyetur nikoqirin e shtëpisë, Michele Greco se a mund të pinë ujë? U kishte thënë hyni lirisht si në shtëpinë tuaj! Kur arritëm ne tjerët, që kemi lëvizje më të ngadalshme, Michele, së bashku me motrat e tij jo vetëm ujë, por e kishte shtruar tavolinën me të gjitha të mirat që i ka falë Zoti! Ne kishim një çifteli me vete dhe ia filluam këngës së bashku. Buçiste kënga shqipe në një shtëpi arbëreshe!

Në një moment kur ndaluam, Mikele kërkoi fjalë. Me një zë mallëngjyes, por me vendosmëri tha “Ju lutem këndoni këngën që këndoni gjithmonë për ne”. Dhe sikur në kor të gjithë ia filluam “Vajtova kalova, gjithë Kalabrinë…”. Mikeles i ishte bërë zemra mal dhe duke qenë këngëtar, zëri i tij sikur i rritej dyfish më lartë nga emocionet, duke kënduar këtë këngë! Në ato çaste u krijua një sinergji e përmasave me amplituda tepër të larta. Ndjehej sikur malet e larta arbërore kumbojnë shqip, ndërsa Mikele thoshte “Kam hare, hare, zemrat tona u bënë një…”. Motrat e tij ndjeheshin të gëzuara për gëzimin e Mikeles, i cili vazhdimisht na thoshte “Ju jeni vëllezërit e mi!” Bashkë me ne ishin edhe dy shoferë, që ishin joshqiptarë dhe të cilët ngelën gojëhapur nga atmosfera e krijuar dhe komunikimi i krijuar brenda pak çastesh mes njerëzve që kur nuk ishin parë, por silleshin sikur të njiheshin moti, shumë moti. Në dalje nga kjo shtëpi me zemër të madhe, Mikele dhe motrat e tij na përshëndetën një nga një, duke na dëshiruar që të kthehemi sërish në Arbëri.

Mikele është kultivues i kulturës arbëreshe dhe kryetar i Shoqatës Kulturore Folklorike “Vëllezërit Arbëresh”. Këtyre ditëve, duke qenë se është periudha e virusit korona, që fatkeqësisht Italinë e ka goditur shumë, përmes facebookut komunikuam me Mikelen, duke i uruar që të jetë mirë ai, familja, miqtë dhe e tërë Arbëria. Me një humor të hollë arbëresh më shkroi “Faleminderit vëlla i dashur, në Frasnitë nuk ka mbërritur virusi korona, por jemi strukur dhe nuk dalim dot nga vrima”.
Në këto ditë të rënda dëshirojmë që vëllezërve dhe motrave tona në Arbëri të mos u ndodh asnjë e keqe dhe gjithmonë të kenë “hare, hare”! Nuk meritojnë sfida të reja. Jeta e tyre ka qenë dhe është sfidë në vetvete!

Marrë nga profili i autorit në Facebook

Të fundit