Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të mblidhet për të marrë vendime në përputhje me kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
SHBA-ja është duke kërkuar heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe, e vendosur në fund të vitit 2018.
“Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi, në rrjetin social Facebook, duke shtuar se “konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”.
https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/3543072002429800
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 shkurt pati propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si “shenjë e vullnetit të mirë” dhe e gatishmërisë “për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.
Por, propozimi i Kurtit nuk gjeti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e madje as të partnerit të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Të martën, senatori amerikan David Perdue, përmes një shkrimi në Twitter ka shkruar se në rast që Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA. duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar a senatori Perdue.
Deklaratës së tij i bëri jehonë edhe i dërguari i presidencial i SHBA-së, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell.