E enjte, 22 Shkurt, 2024

Emisarët e kancelares Merkel dhe presidentit Macron për vizitë në Kosovë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimit me emisarët gjermanë e francezë tha, se Bashkimi Evropian nuk mund të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi pa i hequr vizat për qytetarët e Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha të martën (10.03) se Bashkimi Evropian nuk mund të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi pa i hequr vizat për qytetarët e Kosovës. Sipas Presidentit Thaçi, “mos-uniteti i BE-së është ndëshkues, i padrejtë dhe gabim strategjik në raport me Kosovën”. Këto komente presidenti i vendit i bëri pas takimit me dyer të mbyllura që zhvilloi në Prishtinë me një delegacion gjermano-francez, i përbërë nga Jan Hecker, këshilltar i kancelares gjermane, Angela Mergel dhe Emmanuel Bonnem këshilltar i presidentit francez, Emmanuel Macron. Dy emisarët  nuk u prononcuan për mediat, as pas një takimi që zhvilluan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Mirëpo burime brenda qeverisë thanë, se “përfaqësuesit e Francës dhe të Gjermanisë, Bonne dhe Hecker rikonfirmuan përkushtimin e vendeve të tyre për ta ndihmuar dhe mbështetur Kosovën në një proces të suksesshëm të dialogut dhe në procesin e integrimit në BE”.

“Bashkimi Evropian duhet të nxjerrë vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kur të merret ky vendim, atëherë ne duhet të diskutojmë si lidership i Kosovës t’i përgjigjemi ftesave të Bashkimit Evropian. Flas në emrin tim, si president i vendit dhe do të flas edhe me të gjithë lidershipin e Kosovës që përderisa nuk ndodh liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian, së paku, unë si president i vendit, nuk ulem në tavolinë në Bruksel, sepse nuk meriton këtë kredi që Kosova t’ia japë Brukselit, për sa i përket kësaj çështjeje”, deklaroi me nervozizëm presidenti Hashim Thaçi, duke thënë se këtë qëndrim ua përcolli emisarëve nga Gjermania dhe Franca. Sipas Thaçit emisarët diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë, Ballkanin Perëndimor, për aktualitetin dhe perspektivën, por sipas Presidentit “pa e hapur ai temën për liberalizimin, dy këshilltarët e Macronit dhe Merkelit, s’do të flisnin fare”.

Deklarata e sotme e presidentit të Kosovës bëhet në kohën kur ai po këmbëngul për rolin udhëheqës të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, i cili është ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa 100% për mallrat e Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës. SHBA-ja po kërkon heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe presioni ndaj qeverisë së Albin Kurtit po rritet çdo ditë, madje me paralajmërime amerikane për sanksione të mundshme.

Mediet në Prishtinë publikuan një postim në Twitter të senatorit amerikan, David Perdue, ku tha se Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë në Kosovë, nëse ajo nuk heq tarifat ndaj Serbisë.

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin e arritur historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqen, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë e atje”, shkroi David Perdue në Twitter.

Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk beson se do të ketë sanksione nga SHBA-ja ndaj Republikës së Kosovës. Ai tha se njëherë për njëherë nuk mund të implementohet plani i tij për heqjen e tarifës, për shkak se ai e do një konsensus të plotë brenda qeverisë në mënyrë që kur të votohet ky vendim në Kuvend të marrë mbështetje unanime.

Sidoqoftë, angazhimi i shtuar i Gjermanisë dhe i Francës, përkatësisht i kancelares Merkel dhe presidentit Macron në dialogun Kosovë-Serbi, u shpreh në një konferencë e liderëve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt në prill të vitit të shkruar në Berlin. Kancelaria gjermane, Angela Merkel pati porositur që konferenca nuk e ka për qëllim ta zëvendësojë dialogun e udhëhequr nga Brukseli dhe sipas saj, “zgjidhja përfundimtare për Kosovën dhe Serbinë nuk duhet të jetë në dëm të vendeve të tjera në rajon”.

 

Të fundit