E premte, 4 Tetor, 2024

Të gjithë mund të ndihmojnë kundër përhapjes së virusit Corona

Në Gjermani njoftohet vdekja e dy vetëve për shkak të virusit Corona. Mos shkoni në klube, pakësoni udhëtimet dhe ecni me biçikletë në vend të autobusit bën thirrje ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Në Gjermani njoftohet vdekja e dy vetëve për shkak të virusit Corona. Qarku Heinsberg dhe qyteti i Essenit në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë e njoftuan këtë sot. Në Essen ndërroi jetë një grua 89-vjeç, e cila virusi u zbulua të martën e kaluar. Për personin që ndërroi jetë në Heinsberg, ende nuk ka të dhëna.

Kancelarja Merkel i ka vlerësuar përpjekjet e deritashme kundër virusit Corona. Ajo tha se virusi po përhapet, jo sepse kanë qenë të kota të gjitha masat për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit, siç janë urdhërat e karantenës.   Me to është fituar kohë për kërkime mjekësore dhe për të përgatitur sistemin shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn (CDU) u ka bërë thirrje të gjithëve që të mbështesin luftën kundër përhapjes së virusit Corona. “Sa më ngadalë të përhapet virusi, aq më mirë”, tha ai në një konferencë për shtyp. Për këtë, është e nevojshme që çdo qytetar të zvogëlojë rrezikun e infektimit sa më shumë që të jetë e mundur.

Në këtë kuadër, Spahn-i u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mendojnë se cilat aktivitete janë me të vërtetë të nevojshme javët dhe muajt e ardhshëm dhe nga se mund të heqin dorë për ca kohë. “Nga këndvështrimi im, është më e lehtë të mos shkosh në një koncert, në një lojë futbolli ose në një klub, sesa të mos shkosh në punë ose të mos çosh një fëmijë në cerdhe”, tha ai.

Spahn u shpreh kundër mbylljes së të gjitha shkollave

Në këtë linjë argumentimi, Spahn u shpreh kundër mbylljes së të gjitha shkollave dhe kopshteve ditore. Po të bëhet kjo ekziston rreziku që mjekët, infermierët ose policët mund të mos shkojnë në punë, paralajmëroi ai. “Kjo do të kishte pasoja edhe për jetën publike”.

Një ndihmë mund të jetë, për shembull, pakësimi i udhëtimeve, puna nga shtëpia kur është e mundur, ose në qytetet e mëdha ecja në këmbë ose me biçikletë, në vend që të përdorni transportin lokal publik.

Spahni konfirmoi edhe rekomandimin e tij për të anuluar aktivitetet me më shumë se 1.000 spektatorë. Ai i inkurajon shprehimisht ata që janë përgjegjës ta bëjnë këtë.

Në dallim nga shumë vende fqinje, në Gjermani nuk mund të vendoset në mënyrë qendrore, që të anulohen të gjitha ngjarjet me një numër të caktuar vizitorësh ose që ato të zhvillohen me sallë bosh. Vendimin për këtë e marrin autoritetet lokale shëndetësore.

Qëllimi kryesor: të parandalojmë që të sëmuren të gjithë njëkohësisht

Qëllimi është të ngadalësojmë përhapjen e virusit aq sa sistemi shëndetësor gjerman të mund të kujdeset për të gjithë personat e sëmurë rëndë. “Me sa dimë, kjo sëmundje kalon butë në katër nga pesë raste,” tha Lothar Wieler, Presidenti i Institutit Robert Koch. Por kjo gjithashtu do të thotë që një në pesë persona është i sëmurë rëndë.

Kjo zakonisht kalon në pneumoni, e cila mund të kërkojë trajtim në pavionin e kujdesit intensiv. Vërtet që Gjermania në krahasim me shtete të tjera paraqitet mirë me rreth 28.000 shtretër të kujdesit intensiv. Por një shpërthim i madh i sëmundjes, kur mijëra vetë sëmuren njëkohësisht, mund të çojë sistemin në kufijtë e tij.

aud (dpa, spiegel, dlf)

Të fundit